Kulturë

“Autostrada Biennale” konfirmon zgjerimin me tre hangarë shtesë

Autostrada Bienale

Zgjerimi i paralajmëruar tashmë është konfirmuar zyrtarisht të martën nëpërmjet një ceremonie nënshkrimi ndërmjet drejtorit dhe bashkëthemeluesit të “Autostrada Biennale”, Leutrim Fishekqiu, dhe drejtorit të ITP-së, Muhamed Rexhepi (Foto: Autostrada Biennale)

“Autostrada Biennale” tashmë është në “shpejtësinë” e pestë e në këtë hov po zgjerohet. Tre hangarë shtesë do të shndërrohen në hapësirë ekspozuese në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren. Ky zgjerim i paralajmëruar tashmë është konfirmuar zyrtarisht të martën nëpërmjet një ceremonie nënshkrimi ndërmjet drejtorit dhe bashkëthemeluesit të “Autostrada Biennale”, Leutrim Fishekqiu, dhe drejtorit të ITP-së, Muhamed Rexhepi.

“Në kuadër të këtij partneriteti të zgjeruar, tre hangarë shtesë në ITP Prizren do të shndërrohen në hapësira ekspozuese për edicionin e 5-të të ‘Autostrada Biennale’. Ky bashkëpunim i qëndrueshëm, i bazuar në angazhimin e përbashkët për rigjallërimin e hapësirave dhe nxitjen e dialogut artistik, synon të vazhdojë të riformësojë peizazhin kulturor të rajonit. Gjatë tre muajve të edicionit të ardhshëm këta hangarë do të funksionojnë si hapësira ekspozuese për artin bashkëkohor, me përfshirje aktive të komunitetit dhe shkëmbim kulturor e krijues”, shkruhet në komunikatë për media të “Autostrada”. 
Edicioni i sivjetmë i njërës prej ngjarjeve më të mëdha artistike në vend dhe më gjerë do të mbahet prej 5 korrikut deri më 5 tetor. 

Zgjerimi ishte paralajmëruar qysh në fillim të marsit, jo vetëm në hapësirë por edhe në kohëzgjatje.  Vetë hapësira ku “Autostrada...” vepron është identitare për punën e organizatës me të njëjtin emër. Prej shtatorit të vitit të kaluar hapësirës me shumë funksione i janë shtuar edhe Hangari II, Teatri i Hapur dhe Rezidenca për Artistë. Kjo kishte qenë risia e jubileut të zanafillës së “Autostradës...” e me inaugurimin e tyre është festuar një dekadë aktivitet, sukseset dhe arti bashkëkohor vendor në përgjithësi.

“Autostrada Biennale” si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren, i themeluar në vitin 2014, funksionon në dy shpejtësi: “Autostrada Biennale” ekspozita ndërkombëtare e artit bashkëkohor, e cila mbahet çdo dy vjet, duke filluar nga viti 2017 dhe Autostrada Hangar – Qendra për Art Bashkëkohor, që përfshin hapësira për edukim, prodhim, ekspozita dhe rezidencë për artistë, e vendosur në ish-bazën ushtarake, tani Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP). Sipas përshkrimit, Qendra për Art Bashkëkohor përfshin dy hangarë, rezidencën për artistë dhe teatrin e hapur. Këto hapësira ofrojnë programe të ndryshme, të krijuara nga Autostrada Biennale. Hangarët I dhe II janë të hapura për publik me aktivitete të ndryshme, si ekspozita të vazhdueshme, kuzhinën vegjetariane, studion për prodhimin e veprave artistike, depon profesionale për vepra të artit, bibliotekën, barin dhe hapësirën multifunksionale për organizimin e ngjarjeve të ndryshme.

“Rrymat që shpalosen: Pulsi i kohës” është tema e edicionit të sivjetmë të “Autostrada Biennale” kuruar nga  Erzen Shkololli. Ekspozitat do të shpalosen në disa monumente historike. Midis tyre janë Sahatkulla, Shtëpia e Shani Efendiut dhe Hamami i Gazi Mehmet Pashës. Vepra ekzistuese e ato të komisionuara synojnë të nxisin dialog duke reflektuar në të kaluarën. Siç kanë shpjeguar organizatorët, “tema e këtij edicioni vë theksin te ndërthurja dinamike mes artistëve, veprave të artit, audiencës dhe kontekstit të pasur historik të Prizrenit”. “Si qytet me shtresa të shumta arkitekturore dhe kulturore, Prizreni shërben si visar i gjallë i trashëgimisë së Kosovës”, shkruhet aty.

Fraza “Rrymat që shpalosen” sipas zbërthimit që i bëhet, sjell ndër mend evoluimin e vazhdueshëm të narrativave historike dhe artistike. “Ndërsa ‘Pulsi i kohës’ ngërthen natyrën ritmike dhe të pareshtur të këtyre shndërrimeve. Titulli nxjerr në pah angazhimin aktiv të bienales me çastin shumështresësh në të cilin jetojmë”, shkruhet në shpjegim.

Kuratori Shkololli në një përgjigje për KOHËN kishte thënë se “lidhja midis trashëgimisë kulturore dhe artit bashkëkohor në këtë edicion të ‘Autostrada Biennale’ është e ngushtë dhe ndërvepruese. 

“Bienalja synon të krijojë një dialog dinamik mes monumenteve historike dhe veprave të artit bashkëkohor, duke angazhuar artistët të ripërfytyrojnë narrativat historike përmes ndërhyrjeve artistike”, kishte thënë ai për ngjarjen, e cila në edicionin e katërt  më 2023, kuruar nga Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza, u përzgjodh nga revista prestigjioze britanike "Frieze Magazine" si një ndër dhjetë ekspozitat më të mira në Evropë për atë vit.