Edicioni i sivjetmë i “Autostrada Biennale” shpaloset edhe në filmin dokumentar ku zbërthehet ajo që solli ekspozita “Çka nëse një rrugëtim…”, duke bërë të ditur se Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza do të vazhdojnë rolin e tyre si bashkëkuratore edhe në edicionin e ardhshëm që pritet të mbahet në vitin 2023
As viti 2021 me pandeminë s’ka qenë i lehtë, megjithatë “Autostrada Biennale” e ka zbërthyer formulën se për ata që punojnë në fushën e artit bashkëkohor, gjetja e mënyrave për të realizuar dhe ndarë punën e tyre me publikun është kthyer në formë rikuperimi dhe mbijetese. Në një film dokumentar të lansuar në rrjetet e tyre sociale, ekipi ka përmbledhur punën e madhe që ka bërë gjatë kësaj vere, e që i dha formë edicionit të tretë. “Çka nëse një rrugëtim...”, ishte titulli i ekspozitës së “Autostradës...”. Bashkë me publikimin e dokumentarit gjysmorësh, organizatorët kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë të punojë me Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza si bashkëkuratore të edicionit të katërt, i cili pritet të mbahet në vitin 2023.
“Ne do të vazhdojmë ta ndërtojmë rrugën që kemi nisur bashkërisht”, është shprehur ekipi i Bienales në një komunikatë për media. E ka cilësuar të suksesshëm edicionin e tretë që nisi më 1 korrik dhe përfundoi më 11 nëntor. “Çka nëse një rrugëtim…” ishte një ekspozitë për dy skajet e një rruge që takohen ndërmjet mikpritësit e të ftuarit, të mërguarës e vendores, ndërmjet infrastrukturës dhe intimitetit. Erdhi si një ekspozitë për artin si formë e rikuperimit nga kurthet e përditshmërisë. E sipas stafit organizativ, “Çka nëse një rrugëtim...” u mbajt me sukses në Prizren, Prishtinë dhe Pejë gjatë verës së këtij viti.
“Ekspozita ishte e thurur rreth ndërveprimit midis një mikpritësi dhe një mysafiri – domethënë veprat e artit u realizuan kryesisht në vend nga bashkimi i forcave të brendshme dhe të jashtme të imagjinatës artistike, ekspertizës, njohurive dhe kërkimeve lokale, në vend që të transportohen nga jashtë. Ata i krijuan komunitetet e tyre brenda dhe përreth”, është shkruar në komunikatën për media.
“Autostrada Biennale” për këtë edicion organizoi biseda që bënë bashkë artistë, aktivistë, krijues, punonjës të kulturës, studiues vendës dhe ndërkombëtarë. Gjithë atë që kanë arritur në këtë rrugëtim e kanë përmbledhur në filmin dokumentar.
Ai nis me pamje të aktiviteteve që zunë vend sivjet.
“Të shkoj t’i marr farat”, dëgjohet një zë gruaje. Është periudha e prillit atëherë kur u mbollën farat e lulediellit për veprën “Fushat e lulediellit 2021” të artistes amerikano-hungareze Agnes Denes, që zuri vend në platenë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Ajo erdhi si dëshmi e aktivizmit me art.
Vatra Abrashi, bashkëthemeluese e “Autostrada Biennale”, ka thënë se si institucion i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren ajo funksionon me dy shpejtësi.
“Njëra është ekspozita fizike që organizohet çdo dy vjet e tjetra është hapësira jonë e re e edukimit dhe e prodhimit në ish-bazën ushtarake të KFOR-it, tani ITP. Përmes edukimit, trajnimit dhe prodhimit të hapur drejt ekspozimit, qëllimi ynë është që të zhvillojmë modele të reja të krijimit kulturor që do të inkurajojë brezin e ri të mendojë në mënyrë kritike për artin dhe të bëhet pjesë e krijimit dhe instalimit të veprave artistike”, thotë ajo në dokumentar.
Më pas Leutrim Fishkqiu tregon nisjen e “Autostrada Biennales”, e cila thuhet se u ndërtua mbi nevojën për më shumë shkëmbime kulturore në rajon dhe në botë. E Baris Karamuço tregon më shumë për temën e sivjetme që zbërthehet më shumë nga fjalimi që kuratorët e mbajtën me rastin e hapjes së “Autostrada Biennales”.
Për këtë edicion në Prishtinë prej 1 korrikut deri më 11 shtator u ekspozuan veprat e Agnes Denes, Petrit Halilajt dhe Alvaro Urbanos. “Lule mos më harro” ishte titulli i ekspozitës që solli në kryeqytet dyshen Halilaj-Urbano e që hapi edicionin e tretë. Dy artistët, sipas dokumentarit, prezantojnë një formë tjetër të dashurisë, një formë tjetër të qenies dhe një formë tjetër të dijes.
Fill pas kësaj Halilaj falënderon të gjithë ata që ishin të pranishëm në hapje të ekspozitës, gjersa Urbano tregon se lulet janë rezultat i marrëdhënies së tyre: tregojnë kujdesin. “Lule që ne i kemi dhuruar njëri-tjetrit dhe familjeve tona”, thotë ai teksa dokumentari zhvendoset te vepra e artistes 90-vjeçare.
“’Fushat e lulediellit’ nga Agnes Denes është një projekt arti mjedisor, është një propozim dhe vepër arti që është pjesë e një cikli të tokës që nuk lë gjurmë pas, por gjithmonë ndryshon shpirtrat”, tregon Joanna Warsza. E tutje shpalosen një nga një veprat e të gjithë artistëve që u bënë pjesë e këtij edicioni. Në Prizren prej 17 korrikut e deri më 11 shtator në forma të ndryshme u shpalosën veprat e një grupi artistësh vendorë e ndërkombëtarë. E në Pejë rrugëtimi nisi prej 19 korrikut deri më 11 shtator.
Dokumentari përfundon me lulet e diellit dhe korrjen e tyre që shënoi edhe përfundimin e edicionit të sivjetmë dhe mesazhin e artistes: “Ne të gjithë mund të jemi si luledielli, të mbledhim ngrohtësinë, të shikojmë diellin dhe t’ua japim atë njerëzve të tjerë”.
Duke lënë pas dokumentarin, që dokumenton të shkuarën, tre bashkëthemeluesit e “Autostrada Biennale” – Vatra Abrashi, Baris Karamuço dhe Leutrim Fishekqiu – sa i përket të ardhmes kanë thënë se janë shumë të kënaqur që po vazhdojnë të punojmë së bashku me Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warszan.
“E konsiderojmë shumë të rëndësishme vazhdimin e projekteve të hapura për të bërë hulumtime më të thella, në mënyrë që të kemi ndikim më të madh në shoqëri”, thuhet në deklaratën e tyre.
Kurse kuratoret Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza kanë shtuar se rrugët e tyre u kryqëzuan në kohën e duhur me ekipin punëtor, të përkushtuar dhe bujar të “Autostrada Biennale”.
“Ne jemi më se të lumtura që po e vazhdojmë këtë rrugëtim së bashku, për të parë se në cilat horizonte të reja ky rrugëtim do të na dërgojë”, është shprehur dyshja.