Kulturë

Autoritetet shqiptare ftojnë vizitorët t’u kthehen vendeve të trashëgimisë kulturore

Prishtinë, 20 janar – Gjendja e pandemisë gjatë vitit të kaluar e ka mpakur si asnjëherë më parë vizitueshmërinë në vendet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Megjithëse as në kohën e izolimit nuk kanë reshtur vizitat, muzetë, parqet arkeologjike, si dhe kalatë janë vizituar nga 62 mijë e 627 vizitorë. Lajmin e ka bërë të ditur të mërkurën ministrja e Kulturës, Elva Margariti, sipas së cilës nga kjo shifër vizitash janë mbledhur të ardhura në vlerë prej 11.698.370 lekësh (rreth 100 mijë euro).

“Edhe pse një vit i vështirë, nuk e ndalëm punën në promovimin e trashëgimisë kulturore. Shifrat, ndonëse më të ulëta se një vit më parë, tregojnë se shqiptarët e duan të bukurën dhe trashëgiminë kulturore. Kjo, falë edhe politikave për nxitjen e turizmit vendas”, ka shkruar ministrja Margariti në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.

Me këtë rast, drejtuesja e institucionit më të lartë kulturor në Shqipëri ka bërë thirrje që të vizitohen kalatë, si pjesë e “historisë dhe trashëgimisë sonë”.

Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), në periudhën mes viteve 2014-2018, numri i vizitorëve që kanë vizituar parqet arkeologjike, muzetë dhe kala e monumente të tjera ka qenë afërsisht 3 milionë persona me një rritje 49.4 për qind për vitin 2018.

Gjatë vitit 2018, numri i vizitorëve që kanë vizituar kala dhe monumente të tjera ka pasur rritjen mesatare vjetore më të lartë me 53.4 për qind.

Gjithnjë sipas atyre statistikave, më 2018, 377.835 vizitorë kishin frekuentuar parqet arkeologjike, 303.963 muzetë, si dhe 308.656 kalatë dhe monumentet e tjera.

Në të gjithë territorin e Shqipërisë ndodhen 6 muze arkeologjikë, 10 muze etnografikë, 21 muze historikë, 7 muze arti, 6 muze koleksioni, si dhe 3 muze kulti.

Ndryshe, në fillim të këtij muaji është paralajmëruar hapja e qendrës muzeale për historinë e Forcave të Armatosura Shqiptare. Në një hapësirë prej 100 mijë metrash katrorë, në kilometrin e 15-të të rrugës kombëtare Tiranë-Elbasan, do të ekspozohen mjete e pjesë të logjistikës së ushtrisë shqiptare duke filluar nga tankse, autoblinda, kamionë transportues, helikopterë e avionë. Diçka e ngjashme është paraparë edhe me projektin tjetër të Ministrisë së Kulturës për muzealizimin e Muzeut të Arsimit “Mësonjëtorja e parë shqipe” në Korçë.