“Për shkak se gjatë zhvillimit të procedurës janë vendosur dhe aplikuar kritere që nuk janë paraparë në konkurs, dhe duke marrë parasysh që kjo mund të cenojë standardet e transparencës, ligjshmërisë dhe mosdiskriminimit, anulohet procedura e rekrutimit….”, është arsyetimi me të cilin Ministria e Kulturës ka anuluar procedurën për katër aktorë rezidentë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Për pjesën e komunitetit që e kishte konsideruar audicionin si skandal, ky vendim është i duhuri, e në TKK nuk e kanë komentuar. Edlir Gashi, Qëndresë Jashari, Valmir Krasniqi e Donikë Ahmeti ishin aktorët e pranuar
Pa u bërë dhjetë ditë prej se është publikuar lista e emrave të aktorëve të pranuar në ansamblin rezident të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Ministria e Kulturës e ka anuluar krejt procedurën. Megjithëse të gjitha ankesat nga aktorët e papranuar MKRS-ja i ka kualifikuar si “të pabazuara”, në fund, vetë ky institucion ka menduar ndryshe.
“Për shkak se gjatë zhvillimit të procedurës janë vendosur dhe aplikuar kritere që nuk janë paraparë në konkurs dhe duke marrë parasysh që kjo mund të cenojë standardet e transparencës, ligjshmërisë dhe mosdiskriminimit, anulohet procedura e rekrutimit….”, shkruhet në vendimin e nënshkruar nga sekretari i përgjithshëm, Bislim Bislimi.
Për pjesën e komunitetit që e kishte konsideruar audicionin si skandal, ky vendim është i duhuri, e në TKK nuk e kanë komentuar.
Edlir Gashi, Qëndresë Jashari, Valmir Krasniqi e Donikë Ahmeti ishin aktorët e pranuar. Reagimet ishin koncentruar në pikën se për 30 minuta audicion s’mund të vlerësohen aktorët e karrierës e ata që numërojnë goxha shfaqje në teatër.
Dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj e dramaturgu Jeton Neziraj ishin ndër më të zëshmit.
“Drejtësia fiton vetëm atëherë kur reagohet kundër atyre që abuzojnë me të, kushdo qofshin ata”, ka thënë Hysaj të martën në mbrëmje. Javën e kaluar ai kishte thënë se në konkurs kishte me bollëk aktorë të nivelit të lartë.
“Të kesh aty një aktor të nivelit të Shpëtim Selmanit, që ka përvojë më të madhe se krejt juria bashkë, është nder. Ai është nivel i aktorit dhe krijuesit, artistit të vërtetë e me nivel të lartë intelektual që nuk e kanë as dy-tre teatro evropiane”, kishte thënë Hysaj. Sipas tij, dy italianët e jurisë nuk dinë të flasin shqip dhe teatri është gjuhë e fjalës e jo trup.

“Gjuha ka finesë, që nëse nuk e flet atë gjuhë nuk e kupton. S’mund t’i fusësh në audicion aktorët e karrierës. T’i thuash aktorit të karrierës këndoje një këngë, interpretoje një monolog, kjo është fyese. Mund të bësh intervistë, por jo audicion”, kishte thënë ai. Sipas Hysajt, pyetje më vete është se a ka arritur juria t’i shikojë e vlerësojë CV-të e konkurrentëve.
Statuti i TKK-së bashkë me Rregulloren për ansamblin rezident përcaktojnë se juria vlerësuese kryesohet nga udhëheqësi artistik dhe pjesë e kësaj trupe janë edhe katër veta nga tetë që udhëheqësi artistik ia propozon Këshillit Drejtues. Por mënyra e përzgjedhjes është kritikuar edhe gjatë procesit.
Ismet Ramadani, aktor e së fundmi i emëruar drejtor i Teatrit Shqiptar në Shkup, këngëtarja italiane Serena Abrami, udhëheqësi artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti, aktori italian e drejtor i Teatrit të Ravenas, Alessandro Argnani, regjisori e profesori i Universitetit të Tetovës, Kushtrim Bekteshi, qenë anëtarët e jurisë. Si ndihmës i këngëtares Abrami, aty është ulur edhe basisti Enrico Vitali. Mehmeti qysh para audicionit kishte deklaruar se ka komunikuar me mbi 30 artistë vendorë, por kishin refuzuar për të qenë pjesë e jurisë.
Anulimin, dramaturgu Jeton Neziraj e ka përshkruar si kronikë të një dështimi të paralajmëruar.
“S’kishte si të përfundonte ndryshe. Veçse, dikush duhet të japë përgjegjësi”, ka thënë ai.
Paraprakisht kishte thënë se TKK-ja është në krizë të thellë mosbesimi e kaosi në të cilën është zhytur TKK-ja, me kredibilitet përtokë, “natyrisht s’është në gjendje me i zgjedhë katër aktorë, për nevojat e veta (të cilat realisht s’i ka)”. “E prandaj bën akrobaci të këtilla, duke ftuar mysafirë të jashtëm, ‘ndërkombëtarë’, ‘neutralë’, e të cilët natyrisht shiten te publiku (e publiku e blen këtë gjë) si ekspertët që kanë me nda drejtësi artistike dhe kanë me i zgjedhë më të mirët! Qysh? Me 30 minuta audicion?!”, kishte thënë Neziraj.
Midis aktorëve që janë ankuar në MKRS për audicion, ishte edhe Afrim Muçaj. Edhe atij ankesa i ishte kthyer si e pabazuar.
“Është mirë që u anulua një maskaradë që u synua të shtyhej tutje, me gjithë një mal shkeljesh që e kishin përcjellë këtë proces. Kosova ka aktorë të mrekullueshëm të cilët meritojnë të trajtohen dinjitetshëm. Teatri është shtëpia e çdo artisti, por edhe vendi ynë i punës, për të cilin kemi studiuar e punuar shumë. Dua ta përmend përkushtimin e ministrit Hajrulla Çeku në trajtimin e këtyre shqetësimeve të ngritura, me gjithë seriozitetin e treguar nga zyrtaret e MKRS-së”, ka thënë ai.
Ministri Çeku të hënën ka takuar disa nga aktorët që kanë bërë ankesa. Kurse vendimi për anulim është marrë të martën.
Udhëheqësi artistik i TKK-së, Kushtrim Mehmeti, ka thënë se s’ka marrë ende asnjë njoftim zyrtar për anulim të konkursit.
“S’kam asgjë zyrtare. Pa pasur një njoftim zyrtar s’mund të komentoj asgjë”, ka thënë ai.
Me datë 20 dhe 21 dhjetor juria vlerësuese ka mbajtur në audicion nga 30 minuta secilin kandidat. Tre prej tyre, Arta Muçaj, Nëntor Fetiu e Rabije Kryeziu kanë munguar. Maratona ishte hapur me kandidaten Blerta Syla-Surroi, pasuar nga Anita Muriqi, Artan Geca, Afrim Muçaj, Fiona Gllavica, Edlir Gashi, Sunaj Raça, Uratë Shabani, Avdi Gërvalla, Adelina Zekolli, Vigan Nuza, Tristan Halilaj, Shpëtim Selmani, Qëndresa Jashari, Qëndresa Loki. Në ditën e dytë në audicion ishin dhe Alban Goranci, Allmir Suhodolli, Flamur Vranja, Zhaneta Xhemajli, Donikë Ahmeti, Verona Koxha, Anisa lsmaili, Valina Muçolli, Valmir Krasniqi, Rajmonda Ahmetaj, Armend Ballazhi, Kreshnik Malushaj dhe Fatlume Bunjaku.
Aktorët pretendues, varësisht prej shijeve, kishin paraqitur monologë e poezi. Te këngët, disa kanë kënduar edhe në anglisht. Madje edhe interpretime me kërkesa mjaft të larta. Juria zakonisht kishte kërkuar që monologët t’i përshtatin edhe për rrethana të tjera. Nëse kanë qenë shumë të qetë, është kërkuar që me të njëjtin monolog t’i drejtohen kinse një mase që duan ta zgjojnë në protestë ose e kundërta. Ose ka pasur raste kur me monologë shumë seriozë u është kërkuar që të jenë ironikë e edhe qesharakë. Rrallë është kërkuar që ta interpretojnë monologun në gjendje të dehur apo edhe duke vallëzuar me muzikë tekno. Nganjëherë te ndonjë kandidat që është parë se s’ka aq vlera, kanë pasur edhe ndonjë kërkesë që ka ngjarë se e kanë veç sa për t’u përmbushur koha prej 30 minutash. Shpesh është dashur ta mbajnë të qeshurën përballë ndonjë patetizmi të nivelit të lartë. Ose me ata që kanë thënë se alamet emrash të aktrimit botëror u kanë thënë se e meritojnë të jenë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.