Kulturë

“Athua ëndërr ishe ti” me thesarin e artit pamor si hyrje në net magjike

Ekspozita "Athua ëndërr ishe ti"

Adem Kastrati, Engjëll Berisha, Hamdi Bardhi, Muslim Mulliqi, Nysret Salihamixhiqi, Rexhep Ferri, Simon Shiroka e Zake Prelvukaj, janë artistët veprat e të cilëve vijnë si pjesë e koleksionit privat të sipërmarrësit kosovar Rasim Mrlaku, në ekspozitën e kuruar nga Arta Agani nën titullin “Athua ëndërr ishe ti”

”T’knoft zemra”, është motoja e edicionit të katërt të “Rame Lahaj International Opera Festival”, por para se ta pushtojë sheshin me magjinë e zërave operistikë, uverturë është ekspozita “Athua ëndërr ishte ti”, me vepra kryemjeshtërish të artit shqiptar, një pjesë nga thesari i Rasim Mrlakut, kuruar prej Arta Aganit. E hapur të dielën pasdite në Galerinë e Fakultetit të Arteve, ekspozita me rreth 40 vepra është shpalosje e historisë së artit në këto anë

Mbrëmjes së parë me muzikë, në edicionin e katërt të festivalit “Rame Lahaj International Opera Festival” i ka paraprirë ekspozita me art pamor. Njëjtë sikurse vitin e kaluar, edhe sivjet hapja e festivalit – me pesë net dedikuar muzikës klasike e aktiviteteve rreth saj – u bë me pikturën. Para koncertit të parë të hënën mbrëma që i dedikohet një emri legjendar në muzikën shqipe, Nexhmije Pagaraushës, ngjashëm veprohet dhe në Galerinë e Fakultetit të Arteve, por këtë radhë aty zënë vend emrat ikonikë të artit pamor në Kosovë. 

Adem Kastrati, Engjëll Berisha, Hamdi Bardhi, Muslim Mulliqi, Nysret Salihamixhiqi, Rexhep Ferri, Simon Shiroka e Zake Prelvukaj, janë artistët veprat e të cilëve vijnë si pjesë e koleksionit privat të sipërmarrësit kosovar Rasim Mrlaku, në ekspozitën e kuruar nga Arta Agani nën titullin “Athua ëndërr ishe ti”, huazuar ai i këngës së grupit të famshëm “Minatori”. 

Janë vetëm dyzet e sa sosh nga një koleksion prej qindrash të Mrlakut, të cilat me “Athua...” vijnë për herë të parë para publikut e bashkë me to dhe pesha e atyre që i kanë nënshkruar. Mundësia për të parë vepra të piktorëve të këtij kalibri bashkë në të njëjtën kohë është shumë e rrallë, por me intervenimin kuratorial të Arta Aganit individualiteti i secilit vjen në pah nëpërmjet një emëruesi të përbashkët në trinë midis kujtimeve, nostalgjisë dhe simbolit. Ky vëllim i madh veprash, nisur fillimisht nga pesha e rëndësia artistike dhe historike që secila nga to përfaqëson, ani pse me tentimin e kuratores që t’i lidhë në një fije që i bën të komunikojnë mes vete, secila është botë më vete, ka fuqinë të tërheqë duke larguar vëmendjen nga i tërë koncepti i cili në dukje është sipërfaqësor. Veprat më të vjetra aty mbajnë nënshkrimin e Nysret Salihamixhiqit me ciklin e tij “Loja” të viteve ‘60.

Historia, figurativja e poetika e thellë përvidhen te pikturat ikonike të Adem Kastratit. Në foto: “Krushqit e ngurosur”(1999) (Foto: RLIOF)

Surealizimi abstrakt e prekja moderniste e tij dëshmojnë prezencën e Salihmixhiqit në këtë ekspozitë, por mbi të gjitha rikujtojnë gjurmët e lëna gjatë parakalimit të tij nga skena e artit të Kosovës. Historia, figurativja e poetika e thellë përvidhen te pikturat ikonike të Adem Kastratit. “Pranvera me lulëkuqe” (1977), “Nusja e Hasit” (1993), “Krushqit e ngurosur”(1999) janë vetëm disa nga kryeveprat e tij, pjesë e ekspozitës, e “Duke çuar bukën” (1976) është nga ato kompozicionet e rralla të cilat nuk i ngjasojnë asnjërës për nga stili. Me ngjyra dheu në to paraqiten disa gra tek bartin ujë e bukë që ua çojnë burrave që punojnë tokën. Kështu poetika e Kastratit merr hov edhe në të, duke filluar nga duart si karakteristikë e tij, i bën ato qëllimshëm më të mëdha në dukje si tregues i zellit të gruas shqiptare. Frymëzimi te rrënjët është evident dhe te veprat e Engjëll Berishës. Në ekspozitën “Athua...” janë dhjetë nga “Medaljonet” e tij. Mbështetja në forma të simboleve arkeologjike, simetria e trajtimi ekskluziv i një subjekti të vetëm janë elementet që bërtasin se Befre është aty. 

Misionin që të jetë posedues i veprave artistike nga emra të shquar të pikturës koleksionuesi Mrlaku e kishte nisur dy dekada më parë. Kishte pasur rastin që me shumë prej tyre të njihej dhe nga afër, por ideja e një ekspozite me vepra nga koleksioni i tij kishte qenë gjithmonë e huaj. Deri kur në mes kishte hyrë tenori Rame Lahaj, i cili e bindi atë që të realizonin këtë ekspozitë. 

“Koleksionoj piktura tash e 25 vjet dhe kjo ka rrjedhur pak edhe nga familja. Motra është një koleksionuese e pikturave dhe nga aty kam filluar, dhe ndoshta është më shumë ndjenjë e pasion sesa mendim. Pastaj shumicën e piktorëve i kam njohur dhe personalisht, i kam takuar dhe kam marrë piktura nga ta. Por Rama ka qenë faktori që më ka bind me i ekspozu pikturat, sepse në asnjë moment nuk e kam pasur një plan të tillë që të bëj një ekspozitë me pikturat që i kam në posedim”, ka thënë ai duke shtuar se pikturat e ekspozuara në “Athua...” janë vetëm një pjesë e vogël e koleksionit të tij. 
Në ekspozita të tilla del në pah shpesh roli i artit edhe si njëfarë komoditeti a relikti i cili ushqen një status të caktuar shoqëror. Por veç të qenit i tillë, Mrlaku me artin duket se ka edhe angazhime personale. Të gjitha veprat e ekspozuara sipas tij kanë një mesazh me të cilin mund të bashkëndiejë çdo shqiptar. 

“Të gjitha këto piktura dhe këta piktorë kanë elementin nacional në to, dhe secilën pikturë që e sheh besoj që secili shqiptar gjen diçka të veten në to ose nga pjesa e jetës ose nga kujtimet, nga të gjitha ato që ne i përjetojmë”, ka shtuar Mrlaku. 

Te asnjëra nga veprat e varura në muret e galerisë nuk nevojiten përshkrimet, emrat e autorëve përkatës janë lehtë të identifikueshëm edhe me njohje sipërfaqësore të historisë së artit në Kosovë. Tablotë si pjesë e një koleksioni për zili janë trashëgimi e vërtetë artistike e kombëtare. 

Veprat më të vjetra aty mbajnë nënshkrimin e Nysret Salihamixhiqit me ciklin e tij “Loja” të viteve ‘60. Surealizimi abstrakt e prekja moderniste e tij dëshmojnë prezencën e Salihamixhiqit në këtë ekspozitë (Foto: RLIOF) 
 

Aty janë dhe “Portretet” e Muslim Mulliqit bashkë me origjinalitetin e tij që i “rehaton” subjektet në tablo me mjeshtri teknikash e ekspresionizëm. Janë dhe disa vepra të Hamdi Bardhit si “Protestat”(1997) e disa nga cikli i tij i famshëm me fasadat e ndërtesave të qytetit të Prizrenit. Me origjinalitetin e tij e me prezencën prej shkëlqimit të argjendit janë dhe tri punime të mjeshtrit Simon Shiroka. “Fyelli”, “Bariu në natyrë” dhe “Pa titull”, janë tri kryevepra në filigran argjendi mbi pëlhurë. 
Një fond i tillë veprash mund të konsiderohet dhe si sfidues për çdo kurator kur ndeshet që të nxjerrë një ekspozitë me to. Por kjo nuk ka qenë çështje për kuratoren e ekspozitës, Arta Agani.

“Përzgjedhja ka qenë e lezetshme dhe aspak e vështirë, sepse kemi të bëjmë me kolosët e artit kosovar dhe profesorët që i kam njohur edhe personalisht. Për mua ka qenë kënaqësi e madhe ta bëj këtë përzgjedhje. Për mos me qenë subjektive, ka qenë për mua e rëndësishme ta gjej një koncept rreth të cilit të ndërtohet pastaj edhe ekspozita. Të gjitha këto piktura lidhen me simbole të ndryshme që simbolizojnë dashurinë ose nostalgjinë, emocionet romantike dhe ato simbole, pastaj janë ose lulet, ose krijesat e tjera të ndryshme joreale si te Salihamixhiqi, apo te dritaret e Hamdi Bardhit”, ka thënë kuratorja duke shpjeguar dhe përzgjedhjen e titullit të ekspozitës. Sipas saj, kënga “Athua ëndërr ishe ti” nga grupi “Minatori” i përgjigjet mirë atmosferës së krijuar nga pikturat e përzgjedhura. E ekspozita do të jetë e hapur për vizitorë deri më 31 korrik. 

“Rame Lahaj International Opera Festival” edicionin e katërt e hap sonte (e hënë) me koncert në Sheshin Skënderbeu në kryeqytet në qiell të hapur e në harmoni me uratën e sivjetme të festivalit “T’knoft zemra”. Sjell në Prishtinë artistët ndërkombëtarë: mexosopranon e njohur nga Egjipti, Farrah el Dibany dhe tenorin Mavrik Mkrtchyan, të cilët do të performojnë në shqip. Kryevepra të muzikës shqipe të kënduara nga Nexhmije Pagarusha gjatë kësaj mbrëmjeje do të interpretohen edhe nga sopranot Adelina Thaçi e Kaltrina Miftari, si dhe baritoni Artur Vera. Në programin e sivjetmë janë paraparë dhe masterklasa, net dedikuar operës, koncerte promovuese dedikuar gjeneratave të reja në muzikën klasike, por epilogun do ta ketë më 2 gusht. “Tre tenorët” – me tre emra të skenave prestigjioze: Rame Lahaj, Charles Castronovo e Murat Karahan – do të bëhen bashkë në mbrëmjen gala për t’ia vënë pikën këtij edicioni.