Kulturë

“Asnjëherë nuk do ta harroj qetësinë në sheshxhirim”: Rishikimi i masakrës së Srebrenicës

Jasna Gjuriçiq në rolin e Aidës në “Quo Vadis, Aida?”

Drama “Quo Vadis, Aida?” eksploron periudhën para gjenocidit të vitit 1995. Aktorja Jasna Gjuriçiq shpreson që filmi ta përshpejtojë procesin e shërimit të plagëve

Në korrik të vitit 1995, aktorja serbe Jasna Gjuriçiq ishte 29 vjeçe dhe bënte karrierë në Teatrin e Novi-Sadit, duke u kujdesur njëkohësisht për vajzën e saj foshnje. Pak më shumë se 100 kilometra larg në zonën e sigurt të Srebrenicës – të shpallur kësisoj nga Kombet e Bashkuara – më shumë se 8 mijë burra dhe djem po masakroheshin nga skuadrat vrasëse të serbëve të Bosnjës, pikërisht para hundëve të paqeruajtësve ushtarakë holandezë të caktuar për t'i mbrojtur ata. Ishte kulmi i një fushate brutale të spastrimit etnik.

“Ne nuk dinim asgjë atëherë për atë që po ndodhte në Srebrenica”, thotë Gjuriçiq. “Pesë vjet më vonë kishte fjalë që tregonin për varre masive, por ne ishim një vend i izoluar nga mediat. Gjithçka ishte e kontrolluar nga shteti. Ju nuk mund të dëgjonit ose të shihnit asgjë jashtë asaj që ata donin që ne të shihnim”.

Tani, ajo ka një rol me rëndësi në edukimin e audiencës në lidhje me gjenocidin. Të “Quo Vadis, Aida?”, që zhvillohet gjatë orëve të para të masakrës, ka rolin e një përkthyeseje imagjinare të Kombeve të Bashkuara, të quajtur Aida Selmanagiq (bazuar lirshëm mbi përvojat e Hasan Nuhanoviqit, për të cilat shkroi te “The Last Refuge”). Ndërsa mijëra myslimanë boshnjakë të tmerruar kërkojnë shpëtim brenda dhe rreth bazës holandeze të Kombeve të Bashkuara, Aida përpiqet të mbajë rendin dhe të shuajë frikën gjersa përpiqet që të mbajë të sigurt familjen e saj.

Ajo gjendet në një gjendje të kuptueshme agjitacioni të shtuar. “Ishte shumë e vështirë”, thotë Gjuriçiq. “Aida është e emocionuar, por nuk ka kohë të ndalet dhe të qajë ose të mendojë. I duhej të ndalte lotët. Ky presion ishte gjithmonë mbi të. Gjithashtu kishte edhe probleme fizike. Nuk e di sesi, por e kam anashkaluar faktin që do vrapoja shumë, isha duke vrapuar gjatë gjithë kohës. Ne nuk menduam për këtë!”

Megjithëse asaj i është dashur që t'u adresohej turmave të mëdha, ose të depërtojë përmes tyre, Gjuriçiq zbuloi se skena më sfiduese ishte ajo ku gjithçka ishte e qetë. Nga fundi, Aida hyn në një hangar, shumë vjet pas masakrës për të kërkuar mes kockash dhe copave të rrobave të lëna në dysheme.

“Nuk kemi bërë ndonjë provë për këtë, sepse ishte kaq delikate”, thotë ajo. “Nuk e dija se ku ishin trupat që po i kërkoja. Kishte një mbivendosje midis realitetit dhe trillimit: paniku i vetvetes, aktorit që nuk mund ta bëjë punën e saj dhe panikut të personazhit, Aida, gjersa kërkon eshtrat e të dashurve të saj. Është e vështirë për të që të njohë ose të kujtojë diçka, siç është një pjesë e veçantë e rrobave, pas kaq shumë vjetësh. A ishte e kuqe? A ishte jeshile?”. Çdo gjë tjetër në film ishte projektuar me përpikëri. “Por kjo ishte skena e vetme që e bëmë vetëm një herë. Kurrë nuk do ta harroj heshtjen në sheshxhirim. Heshtje e plotë”.

Regjisorja e filmit, Jasmila Zhbaniq, e ka përshkruar Gjuriçiqin si “trime e progresive” që mori këtë rol. Ajo ngre supet kur i bëhet ky përshkrim. “Për mua, nuk është e guximshme. Është normale. Unë jam aktore, është puna ime”. A mund të ketë rrezikuar ky rol shanset që ajo në të ardhshmen të punësohet? “Ndoshta!”, qesh ajo. “Kush e di? Gjithçka është e mundur, sidomos në këtë moment. Srebrenica është një temë mjaft prekëse. Kur flet për të, të gjithë bëhen kaq të ndjeshëm. Ka njerëz që besojnë se nuk ka pasur gjenocid dhe ka nga ata që e dinë se çfarë ka ndodhur dhe po flasin për këtë. E gjithë bota ka të njëjtin problem tani, mendoj, me retorikën e krahut të djathtë”. Ajo beson se rëndësia e Srebrenicës është e pagabueshme: “Është plaga më e madhe në Ballkanit”.

Shpreson që “Quo Vadis, Aida?” do të përshpejtojë procesin e shërimit. “Kjo është arsyeja pse ne e realizuam këtë film. Është e rëndësishme që të rinjtë ta shohin atë, sepse nuk dinë asgjë për atë që ka ndodhur, dhe ajo që dinë është ajo që të tjerët u kanë thënë. Problemi është: se në cilën janë ata të tjerët?” Vajza e saj, e cila po studion në Berlin, i telefonoi Gjuqiçiqit menjëherë pasi që e pa filmin. “Ajo i tha, ‘Unë jam këtu duke qarë dhe duke menduar se si të vazhdoj me jetën time’". Kushdo që e ka parë filmin ka të ngjarë të ketë pasur këto ndjenja të rrënimit.

Gjuriçiq, e cila është 54 vjeçe, ka pasur një karrierë të bujshme në Ballkan, si në film ashtu edhe në teatër. Shokun e saj Dushanin, që sot po e bën përkthyesin, e njeh tash e dhjetë vjet që nga shfaqja e tyre e parë së bashku. E pyes se si është ajo në skenë dhe ai nis të tregojë. “Oh, ajo është plot energji të brendshme”, thotë ai. “Ju nuk mund të besoni se personi që hyn në teatër dhe merr një filxhan kafe është i njëjti me atë në skenë. Është akoma ajo, por diçka e pabesueshme ndodh”. Gjuriçiq buzëqesh e skuqur. “Faleminderit, Dushan”, thotë ajo.

Interpretimet e saj nuk janë parë me të madhe jashtë vendit të saj të lindjes, megjithëse ajo fitoi çmimin e aktores më të mirë në Locarno në vitin 2010 për rolin e saj si një grua që është burgosur për vrasjen e burrit në “White, White World”, që solli tragjedinë greke në Serbinë e sotme. Paraqitja në “Quo Vadis, Aida?” e që është edhe kandidati i Bosnjës për “Ocar” për këtë vit, duhet t’i hapë mundësi ndërkombëtare. “Unë mendoj se filmi ka një të ardhme të ndritshme”, thotë ajo. Kjo vlen edhe për Gjuriçiqin.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu Alberina Haxhijaj