Me promovimin e katër titujve të ri, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK) ka vijuar projektin e saj tashmë çerekshekullor për botimin e emrave të shquar të traditës albanologjike.
Paraditën e së premtes, në institucionin më të lartë akademik në vend, Seksioni i Gjuhësisë dhe Letërsisë ka sjellë në shqip emra të vjetër e të rinj albanologësh të huaj.
Duke nderuar kontributetet e vëllimshme të gjuhëtarit austriak me origjinë hebreje Norbert Jokl (1877-1942), tashmë në duart e lexuesve dhe studiuesve shqiptarë janë edhe veprat “Studime historiko-krahasuese për gjuhën shqipe” (Historisch-Vergleichende untersuchungen über das Albanische), e përgatitur nga akademik Rexhep Ismajli dhe homologu i tij nga Akademia e Austrisë, Heiner Eichner; si dhe “Gjurmime linguistike historike-kulturore në fushë të shqipes (Linguistisch-Kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen), përkthyer nga Skënder Gashi dhe përgatitur nga Rexhep Ismajli e Heiner Eichner.
“Ky projekt i ideuar që më 1996 ka krijuar autoritet dhe rezultatet e tij janë bërë të kërkuara gjithandej”, ka thënë akademik Ismajli në fjalën e mbajtur me këtë rast.
Sipas tij, studimet e Joklit sollën një frymë të re në gjerësinë dhe thellësinë e metodave studimore në albanologji.
“Botimi i veprave të tij ka qenë sfidë meqë nuk kishte një traditë të fiksuar përkthimesh nga gjermanishtja”, ka shtuar Ismajli.
Në vazhdim është bërë edhe përurimi i botimit “Studime albano-ballkanologjike” të gjuhëtarit amerikan nga Universiteti Shtetëror i Ohios, Brian Joseph, i cili është edhe anëtar i jashtëm i ASHAK-ut.
Anëtari korrespodent i Akademisë, Bardh Rugova – i cili është përkthyes i studimeve të përfshira në këtë botim – ka thënë se Joseph është një nga autoritetet më të njohura në Amerikë që merret, ndër të tjerash, edhe me shqipen.
“Lidhja e tij me Kosovën ka filluar me një cikël ligjëratash e më pas me studime diakronike që lidhen me probleme të ndryshme të historisë së gjuhës shqipe”, ka thënë Rugova.
Duke konkretizuar dy konferencat e fundit shkencore të karakterit ndërkombëtar, ASHAK ka botuar edhe aktet, prurjet dhe kontributet e studiuesve të huaj për traditën e studimeve albanologjike në Gjermani “Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht” (Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht) si dhe në Itali “Studimet albanistike në Itali” (Gli studi albanistici in Italia).