Kulturë

Artizani që mban gjallë zejen e saraçit

“Kam harru kur kam marrë para prej punës sime”. Për këtë e gjen një fije arsyetimi edhe te pandemia, por me dhimbje e thotë se zeja e tij është në shuarje e sipër.

Nexhdet Belegu, që ka mbushur të 80-at, është artizan, saraç. Një mori librash e një radio që jehon fort janë përditshmëria që ai bën në lokalin e tij në Qendrën Zejtare në Pejë. Nuk i vjen lehtë të lërë në gjysmë emisionin e tij të preferuar të pasdites në radio, por vendos ta bëjë këtë për të shpjeguar gjithë historinë e zejes së tij.

Zeja e tij, siç thotë ai vetë, lidhet me “takëmin e kalit”. E kujton një kohë kur kali ka qenë mjeti kryesor i punës e i transportit, e vetëm në dyqanin e familjes së tij janë shitur mesatarisht nga 50 qafëza kuajsh në javë. Në këtë kohë thotë se aq s’mund të shesë për dy vjet.

Belegu thotë se po punon veprat e fundit me materialet që i ka. Lokalin e tij e quan një lloj atelieje me aspekte muzeale.