Xhirimet që ndriçojnë fytyrën e artistes, presin vizitorët në hyrje të ekspozitës së titulluar “The Cleaner”, që po shfaqet në muzeun “Bundeskunsthalle” në Bonn, e që do të qëndrojë e hapur deri më 12 gusht.
Ato pasqyrojnë fragmente nga performanca e famshme e Marina Abramovic, e vitit 2010, e prezantuar në muzeun “MoMA” në New York, me titull “The Artist is Present” (Artisti është i pranishëm).
Për 90 ditë shtatë orë brenda ditës, gjashtë ditë brenda javës – ajo ishte ulur në një karrige dhe s’kishte bërë asgjë më shumë sesa që ua kishte ngulur sytë njerëzve që do të uleshin në ulësen përballë saj për ta vështruar, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e DW. Një video tjetër e shpërfaq Marina Abramovicin, derisa hante një qep të madhe, të pagatuar, pa e ndryshuar fare fytyrën. Fotografi nga performanca e vitit 1973, me titull “Rhythm 10”, e pasqyrojnë atë derisa bën lëvizje ritmike me një thikë ndërmjet gishtërinjve të dorës së saj. Tingulli që lëshon thika jehon nëpërmjet një zmadhuesi zëri. Është goxha frikësuese të shihet kjo performancë.
Abramovic është e njohur për përdorimin e artit që t’i testojë kufijtë e saj mental dhe fizik. Një pjesë e madhe e asaj që ka bërë deri më tani artistja 72-vjeçare e lindur më 1946 në Beograd, padyshim që është radikale, por edhe e ndjeshme gjithashtu. Një gjë e tillë mund të ndihet derisa Marina Abramovic fol me zërin e butë në një konferencë për media para hapjes së ekspozitës: ajo lidh duart, i vë mbi prehër sikur të ishte duke medituar dhe kryesisht injoron pyetjet e cekëta.
“Veprat e saja janë aq të rëndësishme saqë ishte koha e duhur për një ekspozitë të madhe retrospektive”, thotë drejtori i muzeut “Bundeskunsthalle”, Rein Wolfs. Ekspozita retrospektive, e iniciuar në Stockholm, përmban vepra të realizuara në 50 vjetët e fundit, përfshirë edhe piktura të hershme nga koha kur ishte studente në Beograd dhe Zagreb. Vepra nga bashkëpunimi i saj 12-vjeçar artistik me artistin gjerman të njohur si Ulay, emri i vërtetë i së cilit ishte Frank Uwe Layspiepen, po ashtu janë pjesë e ekspozitës, përkrah me vepra të tjera më bashkëkohore. Filma, fotografi, piktura, vizatime, skulptura, instalacione: Abramovic është vërtet artiste multimediale. Performancat e saja të hershme veçanërisht janë mirë dokumentuara dhe shumë mbresëlënëse.
Në kuadër të këtij programi retrospektiv, muzeu i Bonnit do të shfaqë performanca të përpunuara të shumicës prej veprave më spektakulare të artistes. Dy njerëz lakuriqë qëndrojnë të përkulur në hyrje të njërës prej dhomave të muzeut. Në veprën e vitit 1977, me titull “Imponderabilia”, performuar në “Galleria Comunale d'Arte Moderna” në qytetin italian, Bolonja, Abramovic dhe Ulay po ashtu kishin qëndruar në hyrje të muzeut – të zhveshur. Vizitorët duhet të kalojnë andej për t’u futur brenda. Kësisoj, publiku ishte bërë pjesë e performancës. Njësoj kishte ndodhur edhe në performancën publike të vitit 2002, “The house with the Ocean Vieë” (Shtëpia me pamje kah oqeani). Aty nuk kishte privatësi: vizitorët duhej ta shihnin secilin veprim të sajin përgjatë tri ditëve.
Veprat e Abramovic shpeshherë fokusohen në kujtesën, dhimbjen, humbjen, qëndrueshmërinë dhe besimin. Ajo inkorporon përvojën e saj, duke larguar barrierat ndërmjet artit e spektatorëve dhe duke i dhënë audiencës një rol definitiv në performancat e saja provokuese e dinamike. Në një galeri në qytetin italian të Napolit, më 1974, për një vepër të titulluar “Rhythm O”, ajo kishte vendosur një tavolinë me 72 objekte, të cilat i ftonte vizitorët që t’i përdornin. Aty përfshiheshin thika, armë etj. Ekspozita në Bonn shpërfaq fragmente nga ajo performancë.
Në ekspozitën retrospektive, artistja ka thënë se po i sheh për të parën herë disa prej veprave të saja. Lehtësimi, pastrimi – temat që përsëriten në veprat e saj, marrin më shumë sesa kuptim fizik, duke i dhënë veprës së saj kompleksivitet. Reagimi që provokojnë ato, është ndoshta qasja më e përshtatshme për veprën e artistes: nganjëherë arti i saj është bezdisës, nganjëherë zbavitës. Por është gjithmonë prekës dhe i zgjuar- dhe shumë personal. Definivitisht, artistja është e pranishme.