Kulturë

Artistja e pikëpyetjeve prej izolimit deri te ëndrrat në kohë pandemie

Shumicën e kohës artistja Renea Begolli është duke punuar në piktura, instalacione ose videoart. Përmes tyre ajo fokusohet në marrëdhëniet në mes të njerëzve, objekteve dhe hapësirave, duke bashkëdyzuar eksperiencën e saj personale me kujtesën kolektive.

Arti i saj ka si synim të ngrejë pyetje për çështje të ndryshme që i kalojnë nëpër mendje 21-vjeçares së lindur në kryeqytet. Ani pse për pyetjet e saj nuk ka përgjigje e as nuk jepen zgjidhje, Begolli thekson se këtu qëndron fuqia e artit. Sipas saj, arti nuk është për zgjidhjen e problemeve, por është një medium shumë i rëndësishëm përmes të cilit mund të trajtohen çështje të ndryshme, të synohet vetëdijesimi i njerëzve dhe mund të shërbejë si një medium për të ndarë eksperienca. Begolli pyetje ngre edhe përmes videoartit të titulluar “Waiting Game” për ekspozitën “Additions” (Shtesat) të rezidencës artistike “Infrared”, organizuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” në muajin shkurt.

Për këtë vepër, si formë revolte ia vuri flakën një tende. Tenda lidhet me një kujtim nga fëmijëria, kur Begolli e priste motrën e saj që të luanin së bashku me atë që ishte improvizuar si tendë në banesën e tyre. Vite me pas ajo kishte menduar se për çfarë është duke pritur tani. E kishte gjetur veten përballë pikëpyetjeve nëse është duke pritur për të drejtën e lëvizjes, se çfarë ndodh kur njeriu s’mund të lëvizë, e pyetje të ngjashme.

“Kur e kam pyetur veten se çfarë pres unë sot, më është ndërlidhur me idenë e lirisë së lëvizjes dhe me atë izolimin që unë e ndiej si qytetare e Kosovës dhe kam vendosur që ta djeg tendën si një lloj revolte ndaj pritjes, por edhe për të shtruar pyetjen se a kryhet pritja dhe a do të ekzistojë ajo edhe kur një trup që e reprezanton atë nuk ekziston më”, thotë ajo për intervenimin që ishte bërë në një hapësirë në rrugën “Ali Hadri” në Prishtinë. Kjo vepër është vetëm një anë e punës artistike të Begollit që realizohet rreth pyetjeve që shtron.

Gjetja e kuptimeve te gjërat e zakonshme

Te fëmijëria, Renea Begolli kthehet goxha shpesh. Atje gjen brumë për artin e saj.

“Arti im është shumë i bazuar në memorie dhe kujtime, në perceptimet e përditshmërisë. Kujtimet nga fëmijëria, loja e përditshme, ëndrrat, fjalët që kanë mbetur nga ajo kohë. Këto janë disa nga elementet që më ndihmojnë në artin që e bëj sot”, thotë ajo. Te ajo kohë fillon edhe lidhja e saj me artin. Në fillim ishte fokusuar që gjërat që i hidhte në letër të ishin të bukura estetikisht, por shumë shpejt arti u bë një nevojë për t’u shprehur.