Kulturë

Artisti rus i mikrobotëve në majë të lapsit

Për shumicën e artistëve lapsi është veçse një mjet i thjesht pune që vijëzon e hijëzon. Ideja që të krijohen figura subtile në majën e lapsit është thuajse e paimagjinueshme për secilin artist. Por ky nuk është rasti me artistin vibrant rus, Salavat Fidai, që ka fituar namin e një mjeshtri të vërtetë të artit në miniatura.

Gjithçka që nevojitet është një laps me majën e tij prej grafiti. Prej tij është përftuar një galeri marrafrymëse figurash. Aty janë Trumpi e Putini, Eiffeli e Big Beni, por edhe froni ikonik me 1 mijë shpata nga seriali “Game of Thrones”, “Night King”, stema e simbole gjithëfarësoj. “Po kërkoja materiale të reja interesante për artin në miniaturë”, nis rrëfimin e tij për KOHËN artisti i dhuntishëm rus, kur shpjegon pasionin e tij. Ka lindur në Krasnyy Voskhod, një fshat i tejlargët në jug të maleve Urale.

“Një meditim në mikrokozmos”

Historia e tij me artin nuk është vetëm një vazhdimësi e prindërve artistë.

“Të gjithë artistët përdorin lapsin si mjet. Por, për mua, lapsi është material për të krijuar skulptura”, tregon Fidai.

Arti minaturial i tij është një botë më vete, mendjetrazuese për shumëkënd, që shpaloset në hollësira të sajuara me një aftësi thuajse filigranike, shkruan KOHA.

“Ky është meditim dhe kredhje në mikrokozmos. Jam në një tjetër univers, pra mikrobota është një dimension i ndryshëm”, shpjegon artisti 47-vjeçar.

Është një dashuri kur punon me pjesëzat që sakaq formojnë të tërën e miniaturës.

“Kjo është sprovë në çdo rast – a mund ta bëjë edhe më të vogël, edhe më të vështirë?”

Arti i krijimit të këtyre skulpturave varet, siç thotë ai, nga kompleksiteti dhe sasia e pjesëzave. Ato më të thjeshtat bëhen për 1-2 ditë e ato më të vështirat – për një deri në dy javë.