Kulturë

Artisti nga Kosova fut në pyllin kroat mësimet nga masakra 

Një pyll i shkatërruar i tëri gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kroaci, si zhdukje e krimit masiv që ka ndodhur aty, ka shërbyer si lokacion për artin e artistit nga Kosova. Driton Selmani ka ekspozuar në pyllin “Dotrščina”, drunjtë e të cilin ishin prerë gjatë një ekzekutimi masiv nga ustashët gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Drunjtë janë të vjetër sa vetë krimi, e midis tyre Selmani, nëpërmjet tabelave të mësimit, lexon mësimin e së kaluarës dhe të ardhmes 

Për një artist është alamet përgjegjësie realizimi i një instalacioni për një park memorial. Pavarësisht konceptit kuratorial, është e domosdoshme baraspesha me ambientin ekspozues. Për më tepër realizimi i një vepre në kujtim të viktimave të fashizmit bart me vete peshë edhe më të madhe.

Si mundet një vepër bashkëkohore të tregojë historinë e mijëra njerëzve të vrarë? Driton Selmani sikur ka zbërthyer përgjigjen në këtë pyetje. Artisti nga Kosova –  kur kanë kaluar pak ditë prej ekspozimit të veprës së tij  – i kthehet asaj tek zbërthen jo vetëm atë, por edhe gjuhën e artit që kapërthehet në art.   

Instalacioni i tij “Beyond, Beyond” ka marrë vëmendjen e mediave kroate dhe është pritur mirë nga kritikët e artit. Ishte propozimi më i mirë që mori sivjet muzeu virtual “Dotrščina”. Kjo bëri që vepra e Selmanit të qëndrojë e ekspozuar për një javë në parkun memorial “Dotrščina”, që brenda vetes bart një rrëfim të trishtë që shpërfaq ligësinë që mund ta kenë njerëzit diku brenda. 

Gjersa ka qenë duke punuar në intervistën e tij për portalin  “Phralipen  portal” që fokusohet në çështjet e minoritetit rom në Republikën e Kroacisë, Selmani ka gjetur kohë edhe për grupin KOHA. Ka treguar disa detaje prapa projektit të tij që u shpalos në javën e parafundit të shtatorit. Vepra e përkohshme u inaugurua për Ditën Botërore të Paqes, më 21 shtator. Është bërë tashmë tradicionale që çdo vit në këtë ditë muzeu virtual “Dotrščina” të prezantojë një vepër. 

Këtë vit, sipas konceptit kuratorial të  Sasha Shipragas, për të nderuar mijëra viktima të fashizmit që u vranë në “Dotrščina”, gara u fokusua në vetë pyllin “Dotrščina”, drunjtë e të cilin ishin prerë gjatë një ekzekutimi masiv nga regjimi i ustashëve (Lëvizja Revolucionale Kroate) gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kështu, drunjtë në këtë park memorial  që shihen sot janë të vjetër sa edhe vetë krimi masiv që u bë aty. 

Sipas kuratorit Shimpraga, vepra e Selmanit është një lexim poetik dhe universal i pyllit a i vendit dhe vë në pikëpyetje të kaluarën po aq sa të ardhmen. 
“Duke vendosur tabela shkollore në thellësi të pyllit, ngjarjet historike por edhe ato të së ardhmes do të jenë udhëzuesi ynë për të ruajtur kujtimet përmes mesazheve dhe mësimeve të paharrueshme”, është shkruar aty. 

Instalacioni “Beyond, Beyond” përbëhet nga tri vepra: “Future Deserts”, “Descendent of Memory” dhe “Everything”. Janë në fakt tri tabela shkollore ngjyrë të gjelbër. Në secilën prej tyre është shkruar nga një mesazh me ngjyrë të bardhë. Por jo me shkumës si në ato tabelat e shkollës, por me bojë që nuk fshihet. Mesazhet janë të shkruara në anglisht: “Past archives are the new found lands” (Arkivat e së kaluarës janë toka të reja të gjetura), “All this pain for an unpredicted pain” (Gjithë kjo dhimbje për një dhimbje të paparashikueshme) dhe “Everything yuu believe was once true” (Gjithçka që ju besoni ishte njëherë e vërtetë).

Artisti ka thënë për KOHËN se tabelat shkollore janë të mbushura me shënime që fshihen pas çdo mësimi që studentët mësojnë në shkolla. Por ka theksuar se ka disa mësime, apo, thënë më mirë, vlera që mësohen e që nuk mund të fshihen. 

Vepra e Selmanit ishte përzgjedhur përmes një gare të hapur për publikun dhe juria përbëhej nga Darko Shimçiq, drejtor i institutit “Tomo Gotovac”, Tonka Malekoviq, fituese e vitit të kaluar në këtë garë, dhe Sasha Shimpraga, themelues dhe editor i muzeut virtual “Dotrščina”. Gara mbahet tash e nëntë vjet. 

Si pjesë e muzeut virtual “Dotrščina” me herët janë prezantuar vepra nga vetë Shimpraga, Davor Sanvincenti, Danijel Kovaq, Slaven Tol, Zoran Paveliq, Gilda Bavçeviq, Sandra Sterla dhe Tonka Malekoviq. 

E Selmani është artisti i parë i huaj që ka shfaqur instalacionin e tij në parkun memorial “Dotrščina”. Qëllimi është që “Dotrščina” të bëhet pjesë e kujtesës kolektive. 
Për parkun memorial “Dotrščina” që nga vitet ‘90 nuk ka asnjë informatë në lidhje me ngjarjet që ndodhën aty, ai nuk është pjesë e protokollit shtetëror, ani pse është një nga vendet më të mëdha ku është kryer një krim në historinë e Zagrebit dhe të Kroacisë sa i përket Luftës së Dytë Botërore. 

Selmani ka thënë për KOHËN se ka dashur që të balancojë natyrën e parkut me kompleksitetin e veprës në mënyrë që historia e prerjes së drunjtëve dhe prezenca e veprës të jenë në harmoni me njëra-tjetrën. 

Propozimi i sivjetmë ishte menduar që të jetë një vështrim i afërt i ngjarjeve shqetësuese që lënë kujtime që më pas gjejnë mënyrën për t’u projektuar në të tashmen. 
“Detyra ishte të shohim përtej rrëfimeve individuale dhe përtej narratives së çmendurisë njerëzore që ndodhi në të njëjtin vend”, ka thënë Selmani për KOHËN.

Në një intervistë për portalin kroat dedikuar kulturës “Viz – Kultura”, Selmani kishte treguar se njëkohësisht ishte i shokuar dhe i intriguar, fillimisht nga niveli i ligësisë njerëzore e më pas dëshmia e gjallë që ruhet në çdo trung të pemëve që janë rritur pasi që pylli ishte shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

“Këta drurë fshehin historinë që mund të matet e të shihet në çdo lëvore dhe gjatësi të pemëve. Ne mund t’i shohim ato edhe si libra të fshehur, ku çdo dru është një faqe e bardhë, në pritje të një poeme për t’u shkruar në to si dëshmi, një bazë e narratives për të shkuarën”, ka thënë ai. Nuk mund të injorohet as fakti se në bukurinë e këtij pylli është edhe dhimbja e së shkuarës, që është një mësim për të ardhmen.

Sa i përket këtij aspekti Selmani ka thënë se ka me mijëra njerëz të vdekur, rrëfimet e të cilëve janë aty, e u takon gjeneratave të së tashmes që t’i lexojnë ato përsëri dhe t’i bartin kujtimet edhe te gjeneratat e ardhshme. 

“Duke e bërë këtë dhe duke e marrë në konsideratë jostabilitetin e kujtimeve të së kaluarës dhe harresën si një vegël për manipulime të shpeshta politike, qëllimi i këtij projekti është që të shohin përtej rrëfimeve individuale”, ka thënë Selmani për KOHËN. 

Selmani ka përfunduar studimet master në artet bashkëkohore në “The Arts University Bournemouth” të Anglisë. Hulumtimi i tij artistik përshkruhet si një “nismë” eksperimentale e vazhdueshme, dhe ka një lidhje të ngushtë me kompleksitetin e ndodhur në identitetin e tij kulturor. Ai përdor një gamë të gjerë të burimeve personale, historike, sociale dhe politike, për të ndërtuar hapësira të reja të “dyshimit” si mjet për të shpalosur një gjuhë të ndjeshme dhe të drejtpërdrejtë. Në fillim të këtij muaji, krijimtaria e Selmanit erdhi edhe në formatin e monografisë, me titull “Hidden in the plain sight”. 

E përkthyer si “E fshehur në fushë të hapur” mëton të mos jetë vetëm një adresë ku të tjerët mund të gjejnë rrugëtimin artistik të artistit, mirëpo shkon më tej: është  reagim mbi indiferencën ndaj skenës artistike kosovare në rrafshet ndërkombëtare.  

{gallery}

Instalacioni “Beyond, Beyond” përbëhet nga tri vepra: “Future Deserts”, “Descendent of Memory” dhe “Everything”. Mesazhet  –  “Past archives are the new found lands”, “All this pain for an unpredicted pain”, “Everything yuu believe was once true”  – janë shkruar në dërrasë të gjelbër me bojë që nuk fshihet  (Foto: Katarina Zlatec)