Kulturë

Artisti ia “falsifikon” Muzeut Britanik monedhën 380 vjet të vjetër

Dy monedha false, si ajo e përdorur nga artisti, në një vitrinë në “Goldsmiths”

Dy monedha false, si ajo e përdorur nga artisti, në një vitrinë në “Goldsmiths”

Pasi e rrëmbeu monedhën prej argjendi të shekullit XVII, Ilê Sartuzi e vendosi artefaktin origjinal në kutinë e donacioneve në muze. Këtë akt ai e konsideron si vepër të artit konceptual të cilin e quan “Sleight of Hand”

Artisti brazilian ka bërë një veprim të papritur, duke marrë një monedhë historike nga vitrina ku ishte ekspozuar në Muzeun Britanik, të cilën më pas e vendosi në një kuti donacionesh që gjendej në hollin e muzeut. E gjithë kjo ishte pjesë e një projekti artistik dhe ngjarja ndodhi më pak se një vit pasi u mësua se qindra eksponate janë zhdukur nga Muzeu.

Muajin e kaluar, artisti konceptual, Ilê Sartuzi, e ndërroi një monedhë angleze të kohës së luftës civile, me një të rreme, si pjesë e një projekti që nxjerr në pah numrin e madh të objekteve të huaja që mban Muzeu Britanik. Ai deklaroi se ideja për ta bërë këtë akt i lindi kur pa një vullnetar Muzeu, duke u dorëzuar vizitorëve monedha për t’i vëzhguar. Sartuzi e kishte kërkuar monedhën e argjendtë të shekullit XVII, sepse “është një nga eksponatet e pakta britanike në këtë muze”, dhe me mjeshtëri e ndërroi atë me një monedhë të rreme. Më pas e kishte vendosur monedhën origjinale historike në kutinë e donacioneve që gjendej në dalje të objektit.

Sartuzi e ka xhiruar gjithë këtë skenë të cilën më pas e rrëfeu përmes një videoje të krijuar për diplomë të masterit në Universitetin “Goldsmiths” në Londër. Ai ka thënë se e kishte planifikuar vjedhjen për më shumë se një vit.

Artisti konceptual brazilian Ilê Sartuzi ndërroi një monedhë angleze të luftës civile me një të rreme. E ka xhiruar gjithë këtë veprim të cilin më pas e rrëfeu në një video të krijuar për diplomë të masterit në Universitetin “Goldsmiths” në Londër

Videoja, e xhiruar nga tre miq të artistit, zbulon momentin e kapjes së tij nga një udhërrëfyes vullnetar i Muzeut përpara se të kryente përsëri vjedhjen ditën tjetër, raportoi gazeta “Art”.

Sartuzi pohoi se kishte rruar mjekrën për të mos u identifikuar nga sigurimi i Muzeut dhe pati mundësi t’i ndërronte monedhat me ndihmën e një veprimi të çastit.

Drejtuesit e Muzeut Britanik kanë bërë të ditur se do ta informojnë policinë për incidentin.

“Ky është një akt zhgënjyes që abuzon me shërbimin e drejtuar nga vullnetarët, i cili synon t’u ofrojë vizitorëve mundësinë për të prekur sende reale dhe për t’u përfshirë me historinë”, ka thënë zëdhënës i Muzeut. “Shërbimet si ky mbështeten në një nivel bazë të mirësjelljes dhe besimit njerëzor dhe do të ishte turp të rishikohej ofrimi i këtyre shërbimeve për shkak të veprimeve të tilla”. 

Sipas Sartuzit, institucionet e artit si Muzeu Britanik dhe ai i Louvreit në Paris, e konsiderojnë veten si posedues të thesareve të njerëzimit.

“Problemi është se këto institucione janë baza e kulturave imperialiste që plaçkitën shumë nga këto eksponate nga jugu dhe vendet tjera të botës”.

Monedha në fjalë është e vitit 1645 dhe është farkuar në Newark të Anglisë. Eksponati nuk është i regjistruar në bazën e të dhënave të Muzeut, por është pjesë e koleksionit të krijuar në vitin 2000 të objekteve historike që u ofrohen vizitorëve për t’i prekur, nën mbikëqyrjen e vullnetarëve.
Artisti brazilian dhe avokati i tij pretendojnë se ky veprim, sado i pahijshëm, nuk shkel politikat e Muzeut që ndalojnë trajtimin e objekteve ose largimin e tyre nga ambientet e Muzeut, si dhe nuk bie nën Ligjin e vjedhjes të vitit 1968.

Incidenti doli në pah pothuajse një vit prej se zbulua vjedhja e qindra eksponateve, përfshirë këtu monedha dhe bizhuteri nga koleksioni i Muzeut Britanik
 

Incidenti doli në pah pothuajse një vit prej se zbulua vjedhja e qindra eksponateve, përfshirë këtu monedha dhe bizhuteri nga koleksioni i Muzeut Britanik, gjë që çoi në dorëheqjen e drejtorit të tij, Hartwig Fischer, i cili në asnjë mënyrë nuk ishte i përfshirë në vjedhje. Udhëheqësit e Muzeut gjithashtu pushuan nga puna një punonjës dhe u dha urdhër për forcim të masave të sigurisë.
Sartuzi ka thënë se skandali ishte një “rastësi”. Ai pohon se Muzeu Britanik ishte “pjesë themelore e sistemit kolonial, imperialist” dhe vuri në dukje se monedha që ai ndërroi ishte e vetmja me origjinë britanike e ekspozuar në atë kohë.

Muzeu Britanik ka qenë nën hetime për mënyrën se si i ka përvetësuar disa nga artefaktet që ekspozon, derisa disa shtete kanë kërkuar që eksponatet t’u kthehen në pronësi. Këtu përfshihen disa skulptura nga mermeri dhe bronzi të Partenonit, të grabitura nga trupat britanike në vitin 1897 nga ish-mbretëria e Afrikës Perëndimore të Beninit.