Kulturë

Artisti i veprave të zjarrta

Dërrasa 30 me 20 centimetra, me një ngjyrë të çelët kafeje, merr flakë pas çdo vije që bëhet në të. Teksa vijat bëhen bashkë, ngadalë fillon të marrë formë një portret familjar. Sytë i rrokullis sa te telefoni ku mbante fotografinë e familjes, sa te dërrasa me portretin bardhezi.

Kur fshin djersët nga vapa e mbrëmjes së 27 gushtit në Sarandë, i riu shkodran me mustaqe klasike e flokë të shthurura, në dorën e djathtë mban pajisjen e mbështjellë me shirit ngjitës. Pajisja e quajtur pirograf përdoret në formë lapsi, por maja e tij është një tel i hollë që skuqet edhe më sa herë prek dërrasën, shkruan Koha Ditore.

I përqendruar në realizimin e portretit të një babai së bashku me tre të bijtë, artisti Ardit Paçrami, pa shikuar fare, përkujdeset që flakët t’i shuajë me një letër gërryese që e mban vazhdimisht në dorën e majtë.

26-vjeçari pushon dy-tre minuta kur të interesuarit ndalen te tavolina e tij, që zë pak vend në krahun e majtë të shëtitores së qytetit bregdetar. Kur ndërron pozitën pas çdo bisedimi, e kap llambën dhe e afron afër vetes tek kërrus qafën për të vazhduar punën në dërrasë. Artin e dekorimit të drurit me flakë, Paçrami ka nisur ta aplikojë kur ishte 16-vjeçar.

“Tash e dhjet vjet e bëj këtë punë. Për këtë formë arti kam mësuar sa punoja në një dyqan suveniresh në Shkodër”, thotë shkodrani fjalëpakë. Përfundimi i Fakultetit të Arteve në Degën e Pikturës në Tiranë i ka ndihmuar që ta përsosë zanatin për portrete.

“Të shkruarit me flakë”

Me qëllim që ta bëjë më të veçantë punën e tij, kishte vendosur që portretet t’i përziente me pirografinë. Ky term vjen nga fjala greke “pyrographia” që në shqip do të thotë: “të shkruarit me flakë”. Kjo teknikë mori hov në shekullin XVII. Në një kërkim të shpejtë në internet, sqarohet se pirografia fillimisht bëhej me një llupë që digjte drurin kur binte në kontakt me rrezet e diellit. Tek nga shekulli XIX avancoi teknika me telin e nxehur që filloi të përdorej më shumë në djegien e dërrasave. Ama shumë historianë botërorë thonë se pirografia është përdorur nga kultura të ndryshme, përfshirë egjiptianët dhe disa fise afrikane... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)