Kulturë

Artistët e Kosovës, tërthorazi në “Eurovision” 

Artistja greke Andromache do të përfaqësojë Qipron me këngën “Ela” (Eja). Kënga është realizuar nga një grup kompozitorësh të njohur, ku udhëheqës është Alex Papaconstantinou. Në ekip janë edhe treshja nga Kosova: Fatjon Miftaraj, Filloreta Raci-Fifi e Yll Limani 

Tërthorazi, edhe Kosova do të jetë në festivalin kryesor të këngës në Evropë. Rruga deri atje është “gjetur” nëpërmjet një ishulli.    

Qiproja do të përfaqësohet në edicionin e sivjetmë të festivalit evropian të këngës “Eurovision” me një projekt ku barrën jo të vogël e ka një grup shqiptarësh. 

Artistja greke Andromache do të përfaqësojë Qipron me këngën “Ela” (Eja). Duke u bazuar në melodi tradicionale, ekipi i ka dhënë frymë moderne krejt projektit, ku këngëtarja e famshme greke i këndon dashurisë.  

Kënga është realizuar nga një grup kompozitorësh të njohur, ku udhëheqës është Alex Papaconstantinou dhe bashkëpunëtorë: Arash, Eyelar Mirzazadeh, Fatjon Miftari, Filloreta Raci-Fifi, Geraldo Sandell, Giorgos Papadopoulos, Robert Uhlmann, Viktor Svensson dhe Yll Limani. Tre prej tyre janë shqiptarë. 

Melodia e këngës është bazuar në instrumentalin e Fatjon Miftarajt. Përveç kësaj, mjeshtri i gjeneratës së re të muziktarëve në Kosovë është edhe producent i këngës.  
Edicioni i sivjetmë i “Eurovisionit” do të mbahet në Torino të Italisë prej 10 deri më 14 maj. 

Kompozitori Fatjon Miftari ka thënë se padyshim që me një punë të vazhdueshme çdokush arrin gjithmonë synimet e veta. Ka thënë se për të është kënaqësi të jetë pjesë e një ekipi me famë botërore. 

“Tashmë të gjithë jemi të vetëdijshëm që rrjetet sociale shërbejnë si mundësi promovimi dhe urë komunikimi në të njëjtën kohë. Pasi është parë dhe është përcjellë puna ime, jam kontaktuar nga krerët e ekipit për bashkëpunim”, ka thënë ai për KOHËN, derisa ka falënderuar Alex Papaconstantinoun. 

Ka thënë se krejt historia e lidhjes së tij me ekipin ka nisur nga një instrumental i tij. Pasi ia kishte prezantuar atë ekipit, menjëherë kishin vendosur që ta vazhdonin punën, pasi ishin të sigurt se kjo do ta përfaqësonte Qipron në garën më të madhe të këngës në Evropë. 

“Pastaj gjithsecili nga ne ka dhënë kontributin e vet në këtë këngë”, ka thënë ai. Ka shpjeguar se qëllimi kryesor ka qenë të bëjnë diçka të bukur që njerëzit nga e gjithë Evropa do ta pëlqenin. 

“Kemi ndërthurur motive etnike greke me muzikën moderne”, ka thënë Miftari. 

Këngëtarja e njohur me emrin artistik Andromache është Andromachi Dimitropoulou. Të njëjtin emër në mitologjinë greke e mban ajo që ishte vajza e Eetionit dhe motra e Podit. Kënga e incizuar në “Panik Records” i është besuar këngëtares 27-vjeçare, e cila u lind në Gjermani, por u rrit në Greqi. Për herë të parë para publikut ajo është shfaqur në vitin 2015, duke qenë pjesëmarrëse në “The Voice of Greece”. Ajo nuk doli e para në këtë sfidë, por morri “krahë” duke vazhduar karrierën me sukses dhe duke nënshkruar kontratë me “Panic Records”.

Qiproja përfaqësohet në “Eurovision” qysh prej vitit 1981. Bëhet fjalë për pjesës greke të ishullit. Asnjë përfaqësues i këtij vendi nuk e ka fituar ndonjëherë garën. E suksesin më të madh e kishte arritur Eleni Foureira, këngëtarja me prejardhje shqiptare. Më 2018 – kur edhe tha se është krenare që është shqiptare – u rendit e dyta me këngën “Fuego”. Se cili do të jetë suksesi i projektit muzikor prej 3 minuta e 10 sekondash mbetet të shihet.

Në edicionin e sivjetmë të festivalit i është mohuar e drejta e pjesëmarrjes Federatës Ruse. Unioni i Transmetuesve Evropian, që e organizon “Eurovisionin”, ka vendosur sanksione kundër shtetit rus. Shkak për këtë vendim është bërë lufta që Rusia po bën në Ukrainë. Vendimi i EBU-së është marrë veç dy ditë pasi ka nisur invazioni ushtarak, më 24 shkurt. Vitin e kaluar grupi italian “Måneskin” me këngën “Zitti e buoni”  u shpall fitues. 

E Shqipëria sivjet përfaqësohet nga Ronela Hajati me këngën “Sekret”. 

Shqipëria për herë të parë mori pjesë në garën e njohur evropiane të këngës “Eurovision” në vitin 2004. Atë vit u përfaqësua nga Anjeza Shahini me këngën “The Image of you” (Imazhi yt), me të cilën zuri vendin e shtatë. Kjo pozitë mbeti më e larta që arriti deri në vitin 2012. 

Kosova në “Eurovision” u përfaqësua edhe me Rona Nishliun me këngën “Suus”. Mban rekordin e rangimit të Shqipërisë, e radhitur në vendin e pestë. Vetëm në këto dy raste, Shqipëria arriti që të radhitet në top-10. Po ashtu edhe më 2017 me Lindita Halimin me këngën “World”. 

E sa i përket Kosovës, shteti më i ri i Evropës, nuk mund të përfaqësohet në këtë festival. Sipas Statutit të tanishëm për anëtarësim të Rrjetit të Transmetuesve Evropianë (EBU), i cili organizon Festivalin, vetëm shtetet të cilat janë anëtare në ITU (Rrjeti Ndërkombëtar i Telekomunikacionit) ose Këshillit të Evropës mund të bëhen anëtare në EBU dhe të marrin pjesë në “Eurovision”. Që Kosova ta arrijë këtë, RTK-ja duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në EBU. Në vitin 2018, EBU-ja nisi një mocion për të votuar për anëtarësimin e plotë të RTK-së për vitin 2019, por që nuk kaloi në Asamblenë e Përgjithshme. Një mocion online, si presion që Kosova të marrë pjesë qe bërë edhe vitin e kaluar.