Nëntë artistë, tre prej të cilëve nga Kosova, do të takonin refugjate nga Ukraina duke dëgjuar rrëfimet e tyre të trishta, por të cilat si kontrapunkt kanë shpresën. Në këtë frymë janë edhe veprat e tyre të bashkuara në ekspozitën “Artistë dhe refugjatë” në “Çifte Hamam” të Shkupit. Diella Valla, Andin Bakija e Butrint Pasha u janë bashkuar tre artistëve nga Maqedonia e Veriut dhe një artisti nga Ukraina për t’iu dhënë zë fateve të njerëzve të mbërthyer nga lufta, por që emërues të përbashkët kanë jetën
Janë bërë më shumë se dy vjet prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. Mbi gjashtë milionë refugjatë u dëbuan nga shteti i tyre, pa llogaritur të zhvendosurit brenda vendit, duke marrë më vete edhe përjetimet e trishta. Por, rrëfimet e disa prej tyre jetësohen nëpërmjet artit.
Ekspozita “Artistë dhe refugjatë” në Shkup bashkon edhe veprat e tre artistëve nga Kosova me ato të po aq nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Ukraina. Aty përkthehet realiteti i luftës nëpërmjet ngjyrave në kanavacë, skulpturave dhe performancave artistike. E organizuar nga qendra për art bashkëkohor në Shkup, “SBunker” dhe “Women Integration Network” e Bukureshtit, kjo ekspozitë fillin e ka te koncepti qendror, që është bashkimi i artistëve nga Maqedonia, Kosova dhe Ukraina me refugjatët ukrainas në Rumani përmes bisedave dhe mbledhjes së rrëfimeve të tyre. Kështu fillimisht ishte synuar që përmes kësaj iniciative të fuqizohej zëri i refugjatëve, duke u dhënë hapësirë që të ndajnë historitë e tyre.
Maja Taneva, Andin Bakija, Gjorgje Jonvanoviq, Ozbek Ajvazi, Serhii Tiekhov, Diella Valla e Butrint Basha kishin mundësinë të vendosnin drejtimin që do të merrnin veprat e tyre.
Diella Valla ka zgjedhur që historitë drithëruese t’i shndërrojë në një poezi vizuale që u jetësua nëpërmjet pikturës së saj.
Pas njohjes me trembëdhjetë refugjate nga Ukraina, të zhvendosura në Bukuresht të Rumanisë, Valla kishte arritur të mblidhte inspirimin e saj nga historitë prekëse që kishte dëgjuar, për t’iu përveshur pastaj punës në kanavacë.
“Nga përmbledhja e këtyre rrëfimeve kam arritur që të nxjerr një pikturë, nën shkrirjen e ngjyrave akrilik, e cila mbërthen më vete një element të përbashkët të refugjateve: shpresën e jetesës”, ka thënë Valla për KOHËN duke përshkruar bazën mbi të cilën ajo ka realizuar veprën e saj.
Piktura me dimensionet 150 me 130 centimetra, e cila titullohet “A parallel reality”, zë vend në galerinë kombëtare të Maqedonisë, “Çifte Hamam” në Shkup prej ditës së dytë të prillit.

Edhe pse e ndërtuar mbi zymtësinë e një realiteti lufte, rrezaton për nga paleta e kufizuar në nuancat e së artës dhe të zezës si një pasqyrë lirike e pozicionit të pathyeshëm të një gruaje, që në luftë prioritet ka mbijetesën e kujdesin ndaj fëmijëve.
“Në pikturë shpaloset shpresa përmes fëmijës, ngaqë pjesa më e madhe e grave janë nëna dhe shpëtimi gjendet normalisht te mbrojtja e familjes. Nga humbja e shtëpive të tyre, e njerëzve të dashur, secila prej këtyre grave tregoi forcë dhe kujdes të papërshkrueshëm përballë vështirësive të mëdha që pasuan që nga fillimi i luftës. Historitë e tyre na kujtojnë rëndësinë e familjes dhe se gjatë luftës, fëmijët kanë nevojë për dashurinë e nënës më shumë se kurrë”, ka thënë ajo për KOHËN.
Me këtë iniciativë, të gjithë artistët pjesëmarrës – pavarësisht lajmeve që vërshojnë shtypin ditor për luftën në Ukrainë – arrijnë të hedhin dritë mbi një anë të paprekur: historitë e vërteta që ndikojnë tek individët. Në artin e tyre ky realitet ndahet me audiencën e ekspozitës si njëmendësi përjetojnë pak nga këto histori.
“Teksa dëgjoja rrëfimet e refugjateve, më nxitën drejt pikturimit, pikërisht këto rrëfime më drejtuan dorën që të krijoj piktura si artefakte të së vërtetës, një mënyrë për të treguar të vërtetën”, ka thënë Valla.
Nisur nga ndjeshmëria e tematikës, edhe procesi i punës kishte qenë sfidues, por arti, nisur nga gjeneza e tij, e ka ndihmuar në artikulimin e ndjenjave të artistes në raport me atë se çfarë kishte dëgjuar.
“Krijimi i pamjeve nga mendja jonë ka arritur të zbërthehet pikërisht përmes veprës artistike. Ato janë jetësuar në atë formë duke e bërë audiencën të bashkëndiejë”, ka thënë ajo duke shprehur mirënjohjen për faktin që ishte pjesë e këtij projekti, të cilin e ka cilësuar unik.

Siç shihet nga pamjet dhe fotografitë, veprat e artistëve pjesëmarrës shpalosen në mediume të ndryshme. Fillojnë nga format e qarta skulpturore si ato të Maja Tanevës dhe Andin Bakisë, deri te skulpturat lëvizëse dhe instalacionet e veçanta të Gjorgje Jovanoviqit dhe Ozbek Ajvazit, që kërkojnë bashkëveprim nga ana e audiencës në mënyrë që të shpaloset gjerësia e tyre.
Bakija te “Fuqia e shpresës”, siç përshkruhet, realizuar me material qeramikë të lustruar, përqendrohet te gënjeshtrat dhe propaganda rreth së vërtetës së luftës në Ukrainë.
“Përfaqëson një instalim të ndërlikuar skulpturor, të krijuar nga tri pjesë të ndërlidhura, që krijojnë një kompozicion të veçantë. Ne qendër të veprës qëndron një fëmijë, simbol i shpresës dhe së ardhmes së Ukrainës. Fëmija i mbron prindërit nga tmerri, duket se brezat e rinj do ta trashëgojnë detyrën e rindërtimit të kombit, pas shkatërrimit prej luftës”, shkruhet në tekstin prezantues të ekspozitës.
Artisti ukrainas Serhii Tiekhov, shenjën e tij e lë në pikturë. Aty nuk mungojnë as format alternative të shprehjes artistike.
Butrint Pasha, si artist dhe regjisor teatri, përfshin edhe audiencën me monodramën e tij “Kush e do tokën time?!”, të krijuar sipas mënyrës së teatrit përfshirës. Performanca pyet: Çfarë ndodh pas luftës?
“Efekti si te Benjamin Button na kthen në fëmijërinë e ‘Yllzës’, deri në pikën kur ajo s'mund ta përdorë më gjuhën. Foshnja shndërrohet në kukullën e saj. Si koncept është frymëzuar nga ‘Mbretëria dhe mërgimi’ e Albert Kamys, në mënyrë që të krijojë parehati tek audienca dhe për të krijuar efekte të fuqishme pamore”, përshkruhet vepra e Pashës.
Ekspozita “Artistë dhe refugjatë” pritet që ndjeshmërinë e veprave të përfshira ta shfaqë edhe në Kosovë. Itinerari i ekspozitës kolektive do të vazhdojë për në Prishtinë, në muajin maj të këtij viti.