Ndërsa urgjenca e ndryshimeve klimatike rrezikon natyrën, veprat e artit të Judy Chicagos i japin zë kësaj çështjeje. Ajo i bashkohet traditës së kamotshme të grave që përdorin artin e tyre për të ndikuar në ndryshimin e ligjeve
Kur mendojmë se kush u dha zë grave gjatë luftës së tyre për të drejtë vote, apo betejës së tyre për legalizimin e abortit, personat nga fusha e artit kanë qenë shpesh prijës në këtë drejtim. Artistët nuk kanë pasur gisht vetëm në ndryshimet politike – puna e tyre ka ngritur biseda jetike për shoqërinë dhe njerëzimin. Nganjëherë kanë ndryshuar edhe ligjet.
Përshkrimet e pakëndshme të Paula Regos të grave që po kalonin nëpër aborte të pasigurta e të paligjshme, ndihmuan në ndikimin e opinionit publik në referendumin e 2007-s në Portugali, për legalizimin e kësaj praktike. Shfaqja “Prima Facie”, me autore Suzie Millerin, e cila shpaloste historinë e një avokateje, njëherësh e mbijetuar e abuzimit seksual, ekspozoi dukshëm të metat në ligj kur bëhet fjalë për viktimat e përdhunimit. Duke pyetur të akuzuarin nëse i ishte dhënë pëlqimi për të kryer marrëdhënie, kjo ndikoi që një gjykatës i lartë britanik të rishkruante deklaratën e lexuar para jurisë gjatë rasteve të përdhunimeve. Pra në disa raste është vërtetuar se arti dhe artistët mund të kenë një ndikim të madh.
Tani për tani, ndryshimi klimatik është një nga krizat më urgjente me të cilën përballet bota. Në Mbretërinë e Bashkuar, vitet 2022 dhe 2023 ishin më të nxehtat në histori. Pranvera me të reshura të vazhdueshme të shiut ka shkaktuar mungesë të patateve në vend, duke rezultuar me rritje të mëdha të çmimeve të ushqimeve. Dhe sipas raportit për vlerësimin e rreziqeve nga ndryshimet klimatike në Britani të Madhe, ka rrezik në rritje për kultivimin e bagëtive, shëndetin e tokës, zakonet e mira të përdorimit të ujit të pijshëm, shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme të njerëzve.
Si munden artistët t’u japin qasje të duhur këtyre bisedave, dhe t’i bindin njerëzit të ndërmarrin veprime ndaj këtyre problemeve?
Në vitin 1984, Agnes Denes tërhoqi vëmendje ndaj lakmisë kapitaliste dhe hendekut ndërmjet mjedisit urban dhe rural, duke mbjellë dhe korrë një fushë gruri prej dy hektarësh në parkun “Battery” në Manhattan. Projekti artistik që mori katër muaj për t’u realizuar, nxori në pah keqmenaxhimin e tokës dhe, siç tha artistja, “prioritetet tona të gabuara dhe përkeqësimin e vlerave njerëzore”. Në anën tjetër, seria e vizatimeve e artistes, Judy Chicago, me titull “The End: A Meditation on Death and Extinction” (Fundi: Meditim mbi Vdekjen dhe Zhdukjen”, pjesë e ekspozitës së saj aktuale në galerinë “Serpentine” në Londër, e përshkruan florën dhe faunën nën kërcënimin e zhdukjes, duke i dhënë një zë natyrës që ngadalë po shkatërrohet nga kjo krizë.
Ndërsa është e rëndësishme që artistët e të gjitha fushave të dokumentojnë atë që po ndodh, kërkohet gjithashtu veprim urgjent. Ky është dhe misioni kryesor i “Murmur”, një iniciativë për ruajtjen e ambientit dhe çështjet klimatike, e cila shtyn për dekarbonizimin e industrive të artit dhe muzikës.
Ani pse ka artistë të cilët e kanë bërë këtë punë për një kohë të gjatë, është e rëndësishme që një numër sa më i madh i tyre ta shfrytëzojnë ndikimin që kana në shoqëri, sidomos tek të rinjtë. Siç thekson themeluesja e “Murmur”, Victoria Siddall, ish-drejtoreshë e panairit të artit bashkëkohor “Frieze”, arti dhe artistët kanë një fuqi të veçantë për të frymëzuar njerëzit.
Të shtunën në Londër ka filluar Java e Veprimit për Çështjet Klimatike, duke e mbushur qytetin plot me ngjarje dhe diskutime se si mund të veprojmë më mirë në këtë drejtim. Po ashtu, zgjedhjet e përgjithshme të javës së ardhshme janë vota më vendimtare e brezit të ri në trajtimin e këtij problemi. Në këto kohë, duhet të përdoren të gjitha burimet e mundshme për t’i dhënë kahe të duhur kësaj bisede dhe për të ndërmarrë veprime.
Ashtu si Suzie Miller që ndryshoi rregullat e gjyqtarëve, apo Paula Rego që ndikoi në ligjin portugez për abortin, arti mund të jetë një mjet i fuqishëm. Por individët, udhëheqësit dhe organizatat e ndryshme duhet ta përdorin ndikimin e tyre gjithashtu.
Çështja e ndryshimeve klimatike duhet bërë prioritet. Nëse jo, çfarë do të kenë për të dokumentuar artistët e së ardhmes? Nuk është e mundur të dokumentohet zhdukja, nëse bota pushon së ekzistuari.
Marrë nga: “The Guardian” (Katy Hessel), përktheu: Edona Binaku