Kulturë

Arti – ndërmjetës i efektshëm me idetë për ndryshim

Pejë, 18 korrik – Se arti është ndërmjetës i efektshëm për shpërndarjen e ideve falë shtrirjes dhe pranimit që gëzon, ka qenë një prej temave kryesore që është zbërthyer të mërkurën, në ditën e tretë të edicionit të dhjetë të festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”.

Artistët janë konsideruar aktivistë, dhe aktivisti është konsideruar shtylla e shtëpisë. Së bashku, aktivistët janë mobilizimi i komunitetit kundër krimeve qeveritare, por edhe kundër shkeljes së të drejtave të njeriut.

“Bota” ndoshta është drejt fundit dhe moderatori i këtij diskutimi, Chris Keulemans, e vlerësoi këtë kohë si momentin e fundit për të reaguar për të arritur rezultate pozitive në shpëtimin e virtyteve njerëzore, por edhe në shpëtimin e botës.

“Një tullumbace e fryrë e cila pret në çdo moment që të shpërthejë, njëlloj si logoja e sivjetshme e ‘Anibarit’”, ka thënë autori holandez, Keulemas, kur ka folur për botën e sotme.

Logoja e sivjetme e “Anibarit” jubilar jep pamjen e një tullumbaceje gati për të shpërthyer nga sqepi i një korbi të zi. “ARTivizmi: Shpresat dhe frikët” është tema e edicionit të sivjetmë që, siç ishte thënë edhe në hapje, vjen si kundërpërgjigje ndaj indiferentizmit, ndaj ndryshimeve politike, sociale dhe mjedisore që po ndodhin.

Në panel, regjisorja Blerta Zeqiri ka diskutuar për filmin e saj “Martesa”, që në qendër ka një trekëndësh dashurie, ku dy burra janë në dashuri me njëri-tjetrin. Njëri prej tyre është në prag të martesës me të fejuarën e tij, e në të njëjtën kohë edhe në një aferë dashurie me shokun e tij që kthehet nga Evropa në Prishtinë.

Laurent Versini, bashkëproducent i filmit të metrazhit të gjatë të animuar “The Tower” që u shfaq ditën e dytë të “Anibarit”, ka qenë po ashtu pjesë e këtij paneli. Filmi “The Tower” me regji të Mats Grorud paraqet tregimin e Wardit, një vajzë 11-vjeçare palestineze, që jeton bashkë me familjen në një kamp refugjatësh në Liban, ku edhe ka lindur. Versini ka thënë se ka pasur komente të shumta në lidhje me filmin, mirëpo, sipas tij, ata nuk kanë dashur që të realizojnë një dokumentar në lidhje me konfliktin në Palestinë, por thjeshtë të sjellin një film të animuar dhe një tregim përmes tij.

Pjesë e panelit ishte edhe artisti austriak Holger Lang. Ai, po ashtu, është edhe themelues dhe drejtor i festivalit “Under the Radar”. Lang ka folur për punën që është duke bërë “Anibari”, pasi që, sipas tij, lidhet shumë me festivalin e tij.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")