Shkencëtarët në Holandë duke përdorur skanimet e gjurmimit të syve dhe imazhe me rezonancë magnetike kanë zbuluar ndryshim të madh midis veprave origjinale dhe posterëve në stimulimin e trurit
Një studim neurologjik në Holandë ka zbuluar se veprat e vërteta të artit të varura në muze stimulojnë trurin në një mënyrë që është dhjetë herë më e fortë sesa shikimi i një posteri i po atyre veprave.
I iniciuar nga muzeu “Mauritshuis” në Hagë, shtëpia e pikturës “Girl whith a Pearl Earring” e Johannes Vermeerit, studimi i pavarur përdori teknologjinë e gjurmimit të syve dhe skanimet në rezonancë magnetike për të regjistruar aktivitetin e trurit të vullnetarëve që shikonin vepra arti të vërteta dhe riprodhime. Kështu, shkencëtarët zbuluan se njëzet vullnetarët e përfshirë në hulumtim kishin reagim që ishte dhjetë herë më i fortë, kur shikonin artin e vërtetë.
“Ky është një ndryshim goxha i madh dhe kjo është ajo që ndodh kur njeriu shikon një riprodhim në krahasim me një vepër reale”, ka thënë Martine Gosselink, drejtoreshë e muzeut “Mauritshuis”. “Mendja pasurohet kur i shikojmë gjërat me sytë tanë, pavarësisht nëse jemi të vetëdijshëm apo jo, sepse kështu krijohen lidhje në trurin tonë”.
Gosselink tregoi që para se të kryhej ky studim, ajo kishte qenë e bindur për fuqinë prapa veprave reale, por kishte dashur që dyshimi i saj të hetohej zyrtarisht.
“Ne të gjithë e ndiejmë ndryshimin mes artit të vërtetë dhe atij të riprodhuar – por më interesonte a është i matshëm, a është i vërtetë? Sot mund të themi se është i vërtetë”, ka thënë ajo.

Martin de Munnik, bashkëthemelues i institutit për hulumtime “Neurensics”, i cili e realizoi studimin me specialistë të tjerë neurologë, ka thënë se ai ndahej në dy elemente.
Vullnetarët, të moshës nga 21 deri në 65 vjeç, u pajisën me një skaner truri elektroencefalogram (EEG) dhe pajisje për gjurmimin e syve. Atyre iu kërkua t’i shikonin pesë piktura në muze, e më pas posterët e tyre në dyqanin e muzeut. Në fund, studiuesit i analizuan efektet që krijonin imazhet e veprave reale kundrejt riprodhimeve te vullnetarëve, me ndihmën e një makinerie funksionale skanimi (MRI) në Universitetin e Amsterdamit.
“Nëse doni të dini se çfarë mendojnë njerëzit, është më mirë të bëni matje për këtë sesa t’i pyesni ata. Rezultatet ishin të jashtëzakonshme”, ka thënë De Munnik.
Veprat e vërteta të artit ngjallën reagim të fortë pozitiv në një rajon shumë të zhvilluar të trurit që lidhet me ndërgjegjen, vetë-reflektimin dhe kujtimet personale, kanë konstatuar studiuesit. Piktura
“The Violin Player” e Gerrit van Honthorst shkaktoi stimul pozitiv në shkallë prej 0.41 te vullnetarët kur po e shikonin atë të varur në muze, por vetëm 0.05 në formën e posterit.
Në këtë hulumtim gjithashtu u analizua piktura ikonike, “Girl with a Pearl Earring”. Në përgjithësi kjo vepër e famshme tërhoqi vëmendjen më të madhe dhe e tërhoqi syrin e vullnetarëve në atë që studiuesit e përshkruan si “një cak i qëndrueshëm” – një trekëndësh midis syrit të theksuar, gojës dhe vathit të vajzës në pikturë.
Erik Scherder, profesor i neuropsikologjisë klinike, i cili ishte ftuar për të komentuar rezultatet, ka thënë se ky studim nënvizoi edhe një herë rëndësinë e kulturës, veçanërisht kur Qeveria në Holandë po impononte reduktime të shpenzimeve publike.
“Kjo tregon se çfarë i ndodh trurit tuaj kur shikoni një vepër arti”, ka thënë ai. “Ky është një mjedis i pasur që me të vërtetë bën ndryshime të rëndësishme, veçanërisht për fëmijët në fazën e rritjes”.