Kulturë

Arti i Driton Selmanit “zhvendoset” në galerinë njëshekullore të Splitit

Me artin e tij, Driton Selmani e “zhvendos” publikun diku tjetër. Kësisoj vepron edhe me “Depart to Somewhere Else”, e cila është hapur në “Salon Galić” të Splitit në Kroaci, galeri me traditë qysh prej vitit 1924. “Duke e konsideruar largimin si një gjendje pasigurie, si një vend, kohë ose një histori në të cilën ne besuam, premisa e ekspozitës sugjeron se duhet të na çojë ‘diku tjetër’...”, shkruhet në përshkrimin e ekspozitës. Artisti Selmani numëron disa arsye se përse kjo ekspozitë ka peshë për të

Janë disa prej veprave që kanë shëtitur në vende të ndryshme. Kanë çuar pluhur gjithandej shkaku i temave që trajtojnë e pyetjeve ironike që shtrojnë.

Tash me “Depart to Somewhere Else”, Driton Selmani ngrit pyetje në Kroaci. Vepra “ZigZag” ku paraqiten pasaporta, bashkë me tri video dhe një vepër të re enkas për ekspozitën në “Salon Galić” në Split, janë një pjesë e mozaikut të Selmanit për qytetin kroat. Ekspozita është hapur zyrtarisht të mërkurën. Pos tyre, Selmani paraqet edhe disa vepra që zënë vend në krijimtarinë e tij prej vitit 2012 e më pas.

Kuratorja e ekspozitës, Jasmina Shariq, në një tekst kuratorial ka shkruar se një pjesë e madhe e krijimtarisë së Driton Selmanit bazohet në mendimet, nocionet dhe thëniet që artisti nxjerr nga mjedisi i afërt dhe përditshmëria e tij, duke kapur momentin e së tashmes së shoqërisë.

“Duke e konsideruar largimin si një gjendje pasigurie, si një vend, kohë ose një histori në të cilën ne besuam, premisa e ekspozitës sugjeron se duhet të na çojë ‘diku tjetër’...”, ka shkruar Shariq, duke aluduar në vetë titullin e ekspozitës. Selmani nëpërmjet ekspozitës dërgon publikun në një vend imagjinar ose në një realitet alternativ, ku mitet e sotme dhe ritualet bashkëkohore ndërthuren, shqyrtohen dhe riformulohen. Krejt këtë e bën nëpërmjet ngacmimeve me veprat e tij.

Image
Me pasaporta imagjinare te “ZigZag”, Selmani luan me synimet e njerëzve për t’u zhvendosur nga një vend në tjetrin

Sa u përket veprave të Selmanit dhe “mjegullën” që krijon te publiku, kuratorja pyet nëse bëhet fjalë për vetëm një ironi apo dyshim të thellë.

Një jelek shpëtimi në format shumë më të madh se të zakonshmit, Selmani e ka shëtitur goxha. Me të ka veshur edhe skulptura me nam, si atë të Domenico Modugnos në Itali.

Me pasaporta imagjinare te “ZigZag”, ai luan me synimet e njerëzve për t’u zhvendosur nga një vend në tjetrin.

“Një dokument ligjërisht i detyrueshëm për ‘gjendjet e pasigurta të qenies’ shoqërohet me serinë e vizatimeve që shfaqen për herë të parë në ‘Salon Galić’. Veç kësaj, një vepër krejtësisht e re e punuar për këtë ekspozitë është flamuri me sintagmën e thjeshtë, që tregon vendin e ekspozitës si një vend historikisht i pasur, i mbingarkuar me turizëm masiv, që është një referencë indirekte për interesimin e thellë të Selmanit për trashëgiminë, historinë dhe ndryshimet kulturore, si dhe eksperienca e tij në Split në vitet e fundit...”, ka shkruar kuratorja.

Selmani i kthehet Splitit pas rezidencës në vitin 2020, ndërhyrjes në “Almissa Open Art” dhe asaj “Voids” po të njëjtin vit. Sipas kuratores, te krijimtaria e Selmanit flamujt zënë një vend të veçantë si simbol i përsosur, po aq i lirshëm i identitetit të ndërtuar, duke ofruar një kënd lojërash.

Vetë Selmani ka thënë se në ekspozitë janë të përfshira disa prej veprave të krijimtarisë së tij si video, më pas “ZigZag” dhe një vepër e re e punuar pikërisht për këtë ngjarje, “You, Yes-You, Lucky You.!”.

“Prezantimi im në ‘Salon Galić’ është me rëndësi të dyfishtë. E para ngase kjo Galeri ka një histori shumë të rëndësishme. E themeluar në vitin 1924, ajo ka qenë dhe është një institucion me shumë peshë në Split dhe Dalmaci. Dhe e dyta sepse ekspozita ‘Depart To Somewhere Else’ vjen në një kohë, ku disa prej punëve të përfshira në të janë të rikontekstualizuara nga kuratorja, por edhe nga momentumi global”, ka thënë Selmani.

Kuratorja Shariq ka shkruar se si vëzhgues, tregues, më tepër se komentues, Selmani arrin shkëlqyeshëm ta bëjë një gjë të pakuptimtë dhe t’i japë kuptim asaj që duket e pakuptimtë.

“Veprat e tij janë të drejtpërdrejta dhe të ndershme, të mprehta dhe të zgjuara, kryesisht lozonjare, por gjithmonë të thjeshta në gjithë kompleksitetin e tyre, duke na ofruar lojëra të panumërta intelektuale”, ka shkruar ajo.

Selmani me veprat e tij është i pranishëm aktualisht edhe në Prishtinë në kuadër të bienales “Manifesta 14”. Me “Do të doja të ishe qese plastike që të ishe e përjetshme”, ai qeset e plastikës i ka kthyer në letra dashurie. “Ideja për këtë gamë të gjerë punimesh lindi nga të kuptuarit se dashuria gjendet po aq në listat e pazareve që ua dërgon partneri – blej katër patëllxhanë, një shishe vaj ulliri dhe diçka për ta shoqëruar çajin – sa edhe në një poezi, një letër, një tekst apo mesazh”, shkruhet në përshkrimin e veprës që ndodhet në hotelin “Grand”.

Image
Pasaportat shoqërohen me serinë e vizatimeve që shfaqen për herë të parë në ‘Salon Galić’