Secila vepër është situatë a rrëfim më vete, por kur bëhen bashkë, vijnë si mozaik që në esencë e ka kundërpërgjigjen e artistëve edhe në kohë të zorshme. Kjo, zaten është edhe fuqia e artit. Por shikuar në retrospektivë, “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë”, përveç që ka një frakturë dokumentare, dëshmon edhe një realitet të ri, të imponuar
Në katin e parë të Galerisë Kombëtare të Kosovës ka shumëçka që i ngjan shtëpisë. Shtëpia në fakt kishte qenë hapësira e vetme krijuese e shumë prej artistëve kur pandemia COVID-19 pushtoi botën. Larg njëri-tjetrit për disa muaj, ata me veprat e ekspozuara i janë përgjigjur esencës së ekspozitës se mund të krijohet një komunitet më i fortë duke kaluar kohë ndaras. Të inspiruar nga izolimi, ata kanë reflektuar realitetin e tyre në ekspozitën “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë”, që është hapur të mërkurën mbrëma në institucionin më të lartë të artit pamor në vend.
Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka nëpërmjet “Post-Reality Comes in Flashing Light” kanë bartur ngrohtësinë e shtëpisë. Tetë vazo me lule të mëdha asocojnë goxha në një ambient të tillë, që i fton vizitorët nëpër veprat e shtatë artistëve të tjerë: Avdi Hajdari, Arbnor Karaliti, Brilant Milazimi, Jetullah Sylejmani, Luan Bajraktari, Renea Begolli dhe Valdrin Thaqi.
Vizitorët gjatë ecjes duhet të kalojnë pranë tre televizorëve, që shpërfaqin imazhe të tjera që dëshmojnë për realitetin në izolim. Pak hapa më tutje kuleta në xham merr goxha vëmendje. Ani pse në dukje jep ndjesinë e një kulete të zakonshme, është krejt tjetër posa të bie në dorë. Kuletën e tij Luan Bajraktari e ka gdhendur në bronz. Pjesa e dytë e katit të poshtëm të Galerisë Kombëtare të Kosovës dëshmon për një kundërpërgjigje ndaj monotonisë së izolimit. “Dëgërgjik” është loja e vendosur në tavolinën që ka përballë dy karrige. Në një fletore me katrorë është e vizatuar kjo lojë. Dy vizitorë veçse ia kanë plotësuar funksionin instalacionit. Janë ulur për të luajtur një lojë, teksa një grup goxha i madh i vizitorëve është endur përreth veprave të ekspozitës. Të gjitha punimet mbajnë vulën e vitit 2020 dhe 2021.

Për kuratorin, kjo ekspozitë ka dëshmuar potencialin e artistëve të rinj përtej pritjeve nga ta.
“Ideja ka qenë që të rikujtohet një pjesë e eksperiencës së pandemisë dhe ta paraqesë anën praktike të artistëve të rinj se si janë ballafaquar me situatën”, ka shpjeguar kuratori i ekspozitës Gazmend Ejupi.
Artisti Avdi Hajdari - Kame ka gati dy dekada që jeton në Zvicër. Për të pandemia ka qenë një mënyrë e mirë për t’iu kthyer shtëpisë. Te publiku në Prishtinë ka ardhur edhe më pranë përmes instalacionit “Natyral”. Në një hapësirë të ndarë, dyshemenë e ka mbushur më shumë se gjysmën me dhe lulesh. Pranë ka vendosur tri vazo me lule të ndryshme. Për të kjo është ndjesia e oborrit të shtëpisë dhe kthimi aty. Pranë publikut është përballur me trupin e lyer me baltë. Ka zgjedhur atë nga Banja e Dobërçanit sepse thotë që i është përshtatur më së shumti veprës së tij, duke iu ngjitur me lehtë në trup. Disa lule i ka këputur dhe i ka vendosur në trupin e tij. I gjithë ky proces është xhiruar për t’ua dhënë mundësinë ta shohin atë edhe vizitorëve, që vijnë gjatë ditëve të tjera.
“Pandemia na ofroi me shtëpinë dhe familjen. Kishim kohë për çdo gjë. E kam quajtur ‘Natyral’ për të treguar se kemi humbur shumë kohë me natyrën, pranë dheut dhe luleve. Gjatë kësaj kohe veçmas kemi bërë shumë eksperimente”, ka shpjeguar Hajdari për KOHËN, pak kohë pasi që është shpërlarë nga dheu në trup.

Artisti Brilant Milazimi në veprën e tij përsërit thirrjen më të shpeshtë të këtyre vjetëve. “Pastroni duart” është zbërthyer përmes pikturës me vaj dhe sprej në pëlhurë. Realitetin brenda katër mureve e ka shprehur edhe artisti Arbnor Karaliti. Katër piktura të tij dëshmojnë për monotoninë e ditëve pa aktivitete.
“Në punët e mia shihet ai izolimi, sidomos në periudhën e parë të koronës kur kemi mbetur mbyllur dhe krejt kemi kaluar në momente të përditshme në shtëpi. Në pikturat e mia e shpreh gjendjen emocionale të tyre, që vërehet në sytë e tyre dhe në pozitat e tyre”, ka treguar ai për KOHËN.
Pikturat e Karalitit, Blerta Hazirajt ia japin ndjesinë e mesditës. Hajrizajt, që ka qenë një prej shumë vizitorëve të ekspozitës të mërkurën mbrëma, veprat ia kanë përcjellë ndjesitë e artistëve prej hapësirave të tyre më intime.
“Piktura e Valdrin Thaqit aq sa është filmike, po aq të ngërthen një njëfarë mistike kafshërore, që përafron me njerëzoren. Vajzat e Karalitit, gjenden diku mes pushimit të mbasdrekes dhe mendimeve të vazhdueshme. Ndërkaq piktura e Brilant Milazimit, ashtu si praktika e tij artistike, të le gjithmonë me një shije të se panjohurës që të prekë diku thellë në ndjenja”, ka thënë ajo.
Për Galerinë Kombëtare të Kosovës vizitorët e shumtë që e kanë shijuar këtë ekspozitë dëshmojnë efektin e saj që përmes artit t’i përballin vizitorët me kujtimet e një realiteti të ri, që erdhi krejt papritur.
“Është një demonstrim i vërtetë i asaj çfarë ka ndodhur. Këtu vërehet një fluks i madh i vizitorëve, që neve na gëzon si Galeri. Njëherësh shihet një prezantim i denjë dhe një prezantim profesional i kuratorit”, ka thënë zëvendësuesi i drejtorit të GKK-së Naim Spahiu.
Ekspozita “Arti gjatë pandemisë: Bazuar në ngjarje të vërtetë” do të qëndrojë e hapur për një muaj në katin e poshtëm të Galerisë Kombëtare të Kosovës.
