Prishtinë, 21 dhjetor – Sa herë që flitet për ballafaqimin me të kaluarën vihet në pikëpyetje qasja e atyre që refuzojnë të pajtohen me atë që kanë bërë. Politika, fillimisht si mjet destabilizues dhe shkaktar i tensioneve, e më pas edhe roli që mund te ketë në pajtim, ka alamet peshë.
Por është dëshmuar në jo pak raste se arti e kultura tejkalojnë ato barriera të pakapërcyeshme për politikën.
Ndonëse nuk mund të jenë platforma që ndikojnë në vendimmarrje, arti dhe kultura shërbejnë si forma më të mira për të ngritur zërin rreth çështjeve që lidhen me të kaluarën, por edhe të tashmen. Artistë të ndryshëm kosovarë kanë përdorur mediumet e tyre për të ngritur zërin rreth çështjeve të caktuara, kanë prekur tema që deri vonë janë konsideruar tabu, e po ashtu edhe kanë ngjallur debat.
Për të dëshmuar fuqinë e artit në ballafaqim me të kaluarën, të enjten në “Kino Armata” në Prishtinë, u mbajt debat në këtë temë e sebep për këtë qe publikimi numrit të dhjetë të revistës “Balkan Perspectives”, që për temë ka “Ndërtimi i urave me imagjinatë apo emocion: A mundet arti të sjellë shërim?”, botuar në Kosovë nga Forumi ZFD, organizatë e cila merret me trajtimin e temave që lidhen me ballafaqimin me të kaluarën, e revista është vetëm një prej projekteve të saj. Në këtë numër vjen me artikuj të ndryshëm, të cilët sjellin shembuj e analiza mbi këtë temë jo vetëm nga perspektiva e kosovarëve, por edhe e boshnjakëve e maqedonasve.
Artistët Mehmet Behluli, Leonid Palushaj, Mirjeta Qehaja dhe gazetari Dardan Hoti, kanë qenë panelistët e debatit.
Behluli, i cili i takon një gjenerate artistësh të cilët u shkolluan në kohën e ish-Jugosllavisë, e më pas me artin e tyre ngritën zërin kundër represionit serb, ka qenë pjesë e ekspozitës “Përtej” të organizuar në vitin 1997 në Beograd. Kjo ekspozitë, e cila mblodhi edhe artistët Sokol Beqiri, Maksut Vezgishi dhe Ilir Bajri, me kurator Shkëlzen Maliqin, kishte bërë bujë në Kosovë, por edhe në Serbi.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje, krahas debatit, u ekspozuan edhe disa piktura të artistes Mina Krasniqi e Burim Berisha Sihana Klisurica.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")