Artan Hajrullahu në skenën vendore prej kohësh e ka pozicionuar qasjen e tij artistike. Materialet e ambalazheve i kthen në vepra arti. Në dimensione të vogla dokumenton nostalgjinë, u jep frymë ironisë e provokimit. Këtë e bën duke bashkuar edhe tradicionalen me bashkëkohoren. Historitë që i rrëfen me art do t’i shtrijë edhe në Japoni, në trienalen “Yokohama”, në edicionin e tetë të ngjarjes me nam.
Jehona e ekspozitës “A House Without Walls” e hapur në shtator të vitit të kaluar në galerinë “Sarieva” në Bullgari kishte bërë që kuratorët e edicionit të sivjetmë të trienales të njiheshin me imazhet e artit të Hajrullahut. Liu Ding dhe Carol Yinghua Lu nga Kina kishin kërkuar që një pjesë e ekspozitës të shfaqej edhe në ngjarjen e madhe të artit. Janë 34 vepra të artistit kosovar që do të zënë vend në Muzeun e Artit të Yokohamas, një prej ndërtesave kryesore të artit në Japoni, i hapur në vitin 1989.
Artisti Hajrullahu të dielën ka thënë se në komunikimet që ka pasur me kuratorët, atyre u ka pëlqyer instalimi i njëjtë i veprave siç kishin qenë në galerinë e qytetit Plovdiv të Bullgarisë. Audienca në Japoni është e para jashtë kontinentit ku artisti nga Kosova shkon me art.
“Bienalet e trienalet i japin artistit mundësi të vazhdojë karrierë më të mirë, më të bujshme për të ardhmen. Pres shumë nga kjo trienale. Kjo është hera e parë që ekspozoj në një vend jashtë kontinentit. Mendoj se do të jetë diçka shumë e pritshme për mua. Është ana tjetër e stilit unik, besoj se do të pëlqehet shumë atje. Mendoj se do të jetë diçka shumë e mirë për të ardhmen time”, ka thënë artisti gjilanas derisa ka treguar se edhe kornizimi i veprave është pjesë e prezantimit të punës së tij.
Ai vizaton me lapsa të zakonshëm dhe i kornizon veprat e tij me karton që e punon vetë. Të gjitha këto zgjedhje artistike shtyjnë edhe drejt perceptimit të punës e tij me ndjenjën e varfërisë.
“Kësaj here edhe kornizimi i veprave është i bërë nga unë, jo me korniza të fabrikuara por ato që i bëj si proces i punës. Nuk ka asgjë të fabrikuar. Edhe nga trienalja kur e kanë parë këtë mënyrë të instalimit siç e kam pasur në Bullgari u ka pëlqyer shumë dhe kanë kërkuar që të sigurohen veprat komplet siç kanë qenë, pa ndërhyrje”, ka thënë artisti, i cili aktualisht është mësimdhënës i pikturës në Shkollën e Mesme të Artit në Gjilan.
Hajrullahu ka marrë pjesë në shumë projekte vendore dhe ndërkombëtare. Atij i ishte dhënë çmimi “Artistët e së nesërmes” në vitin 2013, ndërsa në vitin 2018 ishte nderuar me çmimin “Muslim Mulliqi” nga Galeria Kombëtare e Kosovës.
Ekspozita e tij e fundit “A House Without Walls” (Një Shtëpi pa Mure) e kishte hapur sezonin e ri të galerisë “Sarieva”. Kuratorja e ekspozitës, bullgarja Vesselina Sarieva, kishte shkruar për veprat se në to paraqiten situata tipike të përditshme dhe se temat janë të sakta për jetën ballkanike.
“Ato paraqesin objektivitetin tipik ballkanik dhe estetikën e së kaluarës – mobilie modeste, soba me dru, batanije punëdore, mbulesa dantelle dhe shalqinj, të kombinuara me simbole të modernitetit – televizorë, raketa, automobila dhe makineri. Bashkëjetesë me objektet janë imazhet e anëtarëve të familjes dhe të komunitetit – bashkëshortëve, prindërve, fëmijëve, vëllezërve, motrave, hallave, vjehrrive , kolegëve, shokëve të klasës, e të tjera”, kishte shkruar kuratorja e ekspozitës për veprat që do të shtrihen në objektin madhështor të Muzeut të Artit në Yokohama.
Muzeu ka një koleksion prej rreth 13 mijë veprash arti moderne dhe bashkëkohore që nga hapja e tij. Aty ka zënë vend një shumëllojshmëri e gjerë ekspozitash sikurse edhe seminare e programe të vlerësimit të artit si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit.
Muzeu që për një kohë prej tre vjetësh ka qenë në rinovime do të rihapet këtë mars me edicionin e tetë të trienales “Yokohama”.
Veprat e Hajrullahut që do të zënë vend në njërën prej hapësirave aty janë si pasqyrim i përditshmërisë së të kaluarës në miniaturë. Do të jenë të qasshme për publikun nga 15 marsi deri më 9 qershor, aq sa zgjat edhe programi i trienales “Yokohama”. Punimet që shfaqin jetën e dikurshme të familjeve në Ballkan përshtaten edhe me temën e sivjetme të ngjarjes - “Wild Grass: Our Lives”.
“Është e rëndësishme që si artist të përshtatesh deri diku me temën dhe kohën përafërsisht. Artistët gjithmonë e kanë formën e tyre, konceptin në zhvillimin e punës së tyre artistike. Gjithsesi janë detajet që kapen me temën e trienales, por jo gjithsesi të punoj diçka për temën. Unë zhvillimin e artit tim nuk e bëj për tema të caktuara, por thjesht që e zhvilloj një koncept të punës sime”, ka thënë artisti Hajrullahu, i cili në veprat e tij praktikon pikturën e vizatimin.
Në punime ai paraqet mobilie modeste, soba me dru, batanije e mbulesa tradicionale. Aty janë edhe elemente të modernes, si televizorë, raketa e vetura. Ai krijon edhe bashkëjetesën ndërmjet anëtarëve të ngushtë e të gjerë të familjes. Shpërfaq intimitetin e zhvillimit të jetës brenda mureve të shtëpisë.
Disa prej veprave që do të prezantohen në “Yokohama Triennale” kanë qenë të ekspozuara në kuadër të programit të bienales nomade evropiane “Manifesta” në edicionin e 14-të në Prishtinë në korrik të vitit 2022. Veprat e “On Love”, si pjesë e ekspozitës tematike “Grand Scheme of Things”, kanë qenë si sekuenca kujtimesh të shkëputura prej ndonjë ditari intim. Me to artisti zbërthente e rikthente natyralitetin e jetës njerëzore.
“Ka pasur edhe disa vepra që kanë qenë në ‘Manifesta’ e që janë bartur edhe në ekspozitë personale. Por aty ka pasur vepra të reja, por edhe të tjera të punuara në periudha të ndryshme kohore, ka qenë cikël i përzier kohor”, ka treguar Hajrullahu.
Aty përfshihen gjithashtu disa vepra që ishin ekspozuar në institutin e artit bashkëkohor “Arkiv” në Pejë nën titullin “Silence Took a Hold of the Rooms”. Me të kishte nisur së funksionuari institucioni në korrik të 2022-s.
Veprat me dimensione të vogla, ku rrëfimi vendoset në material të ambalazhit të produkteve e po ai është edhe sfondi i veprës, vijnë si nostalgji e përmallim për ngrohtësinë në familjen ku anëtarët ndajnë të njëjtën hapësirë për shumë funksione, në të njëjtën mënyrë siç ndodhte dikur.
Narrativet nga përditshmëria dhe kujtimet janë pasqyrim në veprat e artistit. Në përgjithësi veprat u referohen temave tradicionale, por që përfshijnë edhe lakuriqësinë si temë tabu.
“Është madhështi dhe privilegj për mua, meqenëse jam artisti i vetëm atje, pres që prezantimi dhe pritja në aspektin profesional nga artdashësit dhe kuratorët atje të jetë shumë e mirë pasi e jep një pasqyrë edhe për vendin. Thjesht, pres të jepet një ngjyrë shumë pozitive në këtë rast”, është shprehur artisti Hajrullahu.
“A dream of home” e punuar me ngjyra druri në material letre të paketimit, ku është paraqitur peizazhi imagjinar i fëmijërisë, ishte një prej veprave që ishte ekspozuar në “Sarieva”. Superfuqia e njeriut vjen e para në mendje tek shihen dy njerëz që fluturojnë. Hapësirën pranë tyre e përshkon tymi që del prej oxhakut të një shtëpie tradicionale, pranë së cilës qëndron një pemë. Poshtë saj artisti ka shtuar një veturë brenda garazhit të rrethuar i mbuluar me material të tejdukshëm.
Vetë materiali i përdorur jep përshtypjen se ngjarja është realiteti i së shkuarës. Veprave u jep efektin se mesazhi vjen për të kaluarën, duke mos pasur nevojë që të ndërhyjë në sfondin e objekteve të paraqitura.
Në “Silence” rrëfimi vjen në formë të një kartoline ku shfaqet përditshmëria brenda shtëpisë, përkatësisht dhomës së qëndrimit ditor. Tri gra të ulura në tavolinë dhe një tjetër tek pushon në divan, janë protagoniste të kësaj vepre. Një fotografi njeriu në mur dhe një pikturë peizazhi e varur aty, bashkë me llambadarin në majë të veprës sjellin intimitetin e jetesës në bashkësi.
“The diary”, “Floëer”, “Bird”, “Game”, “Gallery”, “Prom night”, “ERCP doctor”, “Marketplace”, “Made in Albania”, “Bathing Together”, “Weddings”, “A summer day”, “Bride”, “Home” e vepra të tjera, prej të cilave edhe pa titull, pritet të ekspozohen në trienalen që mbahet në qytetin jugor të Japonisë, në Yokohama.
Lista e artistëve sivjet përmban 68 veta dhe kolektivë, nga të cilët 21 do të prodhojnë vepra të sapo-porositura. Artistë nga e gjithë bota do të jenë pjesë e ngjarjes.
Mes tyre janë: Danezja Søren Aagaard, belgu Dirk Braeckman, Élise Carron e Fanny Devaux nga Franca, kinezja Chan Susan, amerikani Larry Clark e Norm Clasen, italiania Raffaella Crispino, Carlomar Arcangel Daoana nga Filipinet, britanikja Jeremy Deller e të tjerë.
Folegj: Materialet e ambalazheve i kthen në vepra arti. Në dimensione të vogla dokumenton nostalgjinë, u jep frymë ironisë e provokimit. Këtë e bën duke bashkuar edhe tradicionalen me bashkëkohoren. Historitë që i rrëfen me art do t’i shtrijë edhe në Japoni, në trienalen “Yokohama”, në edicionin e tetë të ngjarjes me nam