Kulturë

Artan Boriçi – shkencëtari shqiptar i panteonit të elitës intelektuale

Pedagog shumëvjeçar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Boriçi e përjetësoi emrin e tij në botën shkencore për “fermionet Boriçi-Creutz”. Në karrierën e tij aktive e prodhimtare shkencore, ai kishte bashkëpunuar ngushtë edhe me Akademinë Mbretërore të Shkencave të Suedisë, për propozimet për ndarjen e çmimeve “Nobel” në fizikë, me Qendrën e Kërkimeve Bërthamore Evropiane CERN, Qendrën e Llogaritjeve Intensive në Jylih të Gjermanisë, e të tjera

Shkencës shqiptare i është shkëputur një nga emrat më imponues të saj që u përnjoh edhe nga bota. Mbrëmjen e së enjtes, si pasojë e ndërlikimeve nga COVID-19, ka pushuar së rrahuri zemra e akademikut dhe fizikanit Artan Boriçi.

Lajmin e pikëllimtë e ka bërë të njohur Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e cila 55-vjeçarin e ka cilësuar si një shkencëtar të shquar që hyri në panteonin e elitës intelektuale.

Pedagog shumëvjeçar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Boriçi e përjetësoi emrin e tij në botën shkencore për “fermionet Boriçi-Creutz”.

Në karrierën e tij aktive e prodhimtare shkencore, ai kishte bashkëpunuar ngushtë edhe me Akademinë Mbretërore të Shkencave të Suedisë, për propozimet për ndarjen e çmimeve “Nobel” në fizikë, me Qendrën e Kërkimeve Bërthamore Evropiane CERN, Qendrën e Llogaritjeve Intensive në Jylih të Gjermanisë, e të tjera.

Pasditen e së premtes në mjediset e ASH-së, kolegët akademikë e universitarë, studentë e të njohur kanë bërë homazhe në nderim të tij. Sipas njoftimit të dhënë, trupi i të ndjerit do të varroset të shtunën në varrezat e vendlindjes së tij, në Shkodër.

Me buqeta lulesh, të pranishmit kanë ngushëlluar familjen Boriçi dhe akademiken, duke e vlerësuar atë si njërin nga shkencëtarët më të talentuar që la gjurmë në shkencën shqiptare e atë evropiane.

Në emër të kolegëve akademikë, kryetari i ASH-së, Skënder Gjinushi, e cilësoi ndarjen nga jeta të akademik Boriçit si humbje për bashkësinë e studiuesve fizikanë në Shqipëri dhe Evropë.

“Ardhja e tij në radhët e Akademisë ishte një ogur i mirë për vetë Akademinë, ishte e do të mbetet një vlerësim për tërë anëtarët e saj e të komunitetit të fizikanëve”, ka thënë Gjinushi.

Sipas kryeakademikut, Boriçi synonte që të ngrinte Institutin Kombëtar të Fizikës që do të bashkonte fizikanë shqiptarë dhe nga bota.

“Artan Boriçi la një trashëgimi që nuk hyn dot në kornizën e viteve”, ka thënë, mes të tjerash, Gjinushi.

Edhe Universiteti i Tiranës, teksa ka shprehur ngushëllime për humbjen e Boriçit, ka vlerësuar kontributin e tij brenda dhe jashtë vendit.

Me pjesëmarrjen e tij në konferenca ndërkombëtare, krahas personaliteteve të shquara të fizikës dhe matematikës, Boriçi, sipas UT-së, “ka përfaqësuar denjësisht mendimin shkencor shqiptar dhe ka dhënë kontribute të vyera në këto fusha”.

Me një vlerësim e ngushëllim për shkencëtarin shqiptar ka dalë edhe Ambasada e Zvicrës në Tiranë. Sipas saj, ai ishte një fizikan i shkëlqyer, anëtar i respektuar i Akademisë së Shkencave dhe anëtar aktiv i Klubit Zviceran në Shqipëri.

“Ai studioi në ETH Zürich dhe kreu punë kërkimore me institutin ‘Paul Scherrer’ në Zvicër. Ekipi i Ambasadës zvicerane shpreh trishtim të thellë dhe u dërgon ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve”, thuhet në telegram.

I lindur me 19 prill 1965 në Shkodër, Boriçi ka mbrojtur gradën doktor i shkencave matematike në ETH, Zurich, Zvicër, më 1996. Titullin profesor e mori në Universitetin e Tiranës në vitin 2010.

Sipas jetëshkrimit të dhënë nga Akademia e Shkencave, ai punoi në drejtimet kërkimore të fizikës teorike dhe llogaritëse dhe në fushën e financës llogaritëse në institutin “Paul Scherrer” të Zvicrës; në Shkollën e Lartë Politeknike Federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut (1996-2003).

Kishte 64 artikuj, të cituar 531 herë (ResearchGate), me 34 artikuj të indeksuar në SCOPUS, me indeks H = 9. Botoi në revistat e mirënjohura të fizikës, si “Physical Review D” dhe “Journal of Computational Physics”.

Mori pjesë me referime në 49 konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, në 11 prej tyre si referues i ftuar.

Boriçi punoi mbi 20 vjet si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ai shërbeu si zëvendësdekan i këtij fakulteti (2012) dhe si anëtar i Këshillit Shkencor. Që prej vitit 2012, ai drejtoi grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në Departamentin e Fizikës.