Një lloj rituali përrallor në botë, ngjarje historike në vend. Baleti Kombëtar i Kosovës është harmonizuar me Filharmoninë e Kosovës në kapitullin e baletit klasik si “gurthemel” i produksioneve të mëdha. Kishte kohë që institucionit të Baletit i ishte imponuar të përshtaste koreografitë në version më bashkëkohor e me numër më të kufizuar të balerinëve. Kontrasti është “Arrëthyesi”. Me të ishte synuar tjetër nivel dhe institucioni ishte sfiduar në krejt aspektet. Të shtunën në premierë rezultati qe mbresëlënës
Magjepsës e magjik do të përmblidhej me një fjalë “Arrëthyesi” i Kosovës, një prej produksioneve më madhore në botën e artit skenik si traditë e kahershme e festave të fundvitit. Një lloj rituali përrallor në botë, ngjarje historike në vend. Baleti Kombëtar i Kosovës është harmonizuar me Filharmoninë e Kosovës në kapitullin e baletit klasik si “gurthemel” i produksioneve të mëdha.
Kishte kohë që institucionit të Baletit i ishte imponuar të përshtaste koreografitë në version më bashkëkohor e me numër më të kufizuar të balerinëve. Kontrasti është “Arrëthyesi”. Me të ishte synuar tjetër nivel dhe institucioni ishte sfiduar në krejt aspektet. Të shtunën në premierë rezultati qe mbresëlënës. Si gjithmonë mbresëlënës, kur lihet anash improvizimi i skajshëm dhe i detyrueshëm shkaku i mungesës së një hapësire adekuate pune e shfaqjesh.
Në mungesë të hapësirës, Ministria e Kulturës i ka drejtuar institucionet vartëse të saj në një sallë private. Pak i përafrohet imazhit të një teatri të operës e baletit. Megjithëse vëmendja ka qenë në paraqitjen e interpretuesve. “Arrëthyesi” i Kosovës frymoi magjishëm duke sjellë atmosferën mbretërore e emocione në çdo sekuencë të koreografisë e lojës muzikore.
“Arrëthyesi” me koreografi të Ilir Kernit ka nisur aktin e parë me drama të vogla që ndodhin brenda familjes nën atmosferën festive. Interpretimit i ka paraprirë një intro e Filharmonisë së Kosovës me t’iu bashkuar Orkestrës dirigjenti bullgar Boian Videnoff. Balerinët kanë nisur të marrin pozicionet derisa një nga një kanë dalë në skenën ku janë prezantuar edhe lodrat e figura misterioze, si dhurata fundviti për protagonistët e skenës së parë. Pjesa hyrëse është ndarë me të tjerat me ndezjen e fishekzjarrëve si një prej elementeve që shënjon atmosferën e festave të fundvitit.
Ka qenë një lloj shfaqjeje më aristokrate në paraqitje. Është përcjellë me aktrim e që i ka dhënë ngjyrat operistike baletit “Arrëthyesi” të rusit Tchaikovsky. Shpejt nis të shfaqet edhe karakteri i Arrëthyesit që është luajtur nga balerini Sead Vuniqi. Lodra merret nga Karla, karakter që e luan balerina Jeta Musolli, përplaset përtokë. Loja e saj në qendër të shfaqjes e paraqet në mbrojtje fanatike të lodrës. Kur nata bie nisin edhe përleshjet për të.
Akti i parë mbyllet me skenën e borës, ku Arrëthyesi shndërrohet në Princ dhe e çon Klarën në një udhëtim duke kërcyer tok me flokët e borës.
Këtë rol e ka luajtur balerini hungarez Nikola Hadjitanev, që është ftuar për shfaqje.
“Roli im është ai i Princit që rritet dhe Clara e takon atë më pas. Teknikisht është shumë i komplikuar, me shumë shtresime dhe pjesë solo, por është një prej më të pëlqyerve të mi”, ka thënë balerini i cili e ka luajtur shumë herë “Arrëthyesin” në Hungari e në skena botërore.
Ka thënë se koreografitë në të cilat kanë luajtur kanë qenë më ndryshe, ndërsa produksioni i Baletit të Kosovës ka ardhur si version i “Arrëthyesit” origjinal. Koreografisë origjinale i janë larguar krejt pak pjesë.
“Mendoj se trupa ka shumë potencial, drejtori Sinani më tha se kjo është një ngjarje e madhe për ta, si diçka që e bëjnë për herë të parë, në këtë sallë që nuk është e duhura për një shfaqje të tillë, por janë munduar të bëjnë më të mirën sa i përket kësaj pjese”, ka thënë më tej Hadjitanev.
Në aktin e parë ka qenë tejet i përfshirë misteriozi Drosselmeyer, një magjistar, xhaxhai i Klarës, rol që është luajtur nga balerini Julind Dervishi nga Shqipëria.
Akti i dytë nis me një betejë të një ushtrie minjsh si një seri zbavitjeje, para se të arrihet kulmi pjesën e famshme solistike të rolit të Princeshës Sheqerkë që e ka interpretuar balerina hungareze Marta Petkova. Ajo është shprehur shumë e lumtur që ka qenë pjesë e paraqitjes së parë të baletit për publikun në vend.
“E kam shijuar shumë këtë performancë, jam ndier princeshë e vërtetë me rolin tim, me shumë sharm, e kam shijuar pjesën time. Jam shumë e lumtur të shoh sallën e mbushur me njerëz, gjë që është shumë e rëndësishme për artistët. Kjo do të thotë se njerëzit në Prishtinë e kanë këtë kulturë, gjë që është shumë me rëndësi për skenën artistike të baletit”, ka thënë balerina Petkova.
Ajo ka interpretuar “Vallen e Borës” dhe “Valsin e Luleve”, kryeveprat botërore të baletit, pjesë tejet zbavitëse e magjike.
Vallëzime të vendeve të ndryshme me përfshirjen e kulturave me muzikë e kërcim kanë nisur të zënë vend në skenën e “Arrëthyesit”. Karla është mikpritësja dhe përcjellësja e krejt solistëve që vijnë në grupe të vogla në skenë me pika të ndryshme koreografike.
Balerina Jeta Musolli që e ka luajtur rolin kryesor të “Arrëthyesit” ka thënë se është ndier e privilegjuar dhe e nderuar që i është besuar roli. Sipas saj, baleti klasik është shumë i vështirë dhe kërkon precizitet maksimal e disiplinë në punë. Ka treguar se për tre muaj janë përgatitur për shfaqjen.
“Kanë qenë disa javë me të vërtetë intensive me një dinamikë të fortë, lodhje, emocion dhe intensitet tepër të lartë. Sonte jam ndier jashtëzakonisht mirë, edhe publiku u nda i kënaqur sonte. Kjo është ajo që ka rëndësi për ne, sepse të tjerat të gjitha harrohen pastaj”, ka thënë Musolli, e cila është shprehur e lumtur me kompletimin e trupës për “Arrëthyesin” dhe rikthimin në balet klasik.
“Mendoj që një prej arsyeve kryesore se pse jemi duke bërë më pak balet klasik është mungesa e teatrit që tashmë dihet, e bëmë në këtë sallë të improvizuar, sepse edhe ne e duam baletin klasik edhe publiku po ashtu ka nevojë të shoh balet klasik dhe neve në forma të ndryshme, mirëpo me të vërtetë ishte edhe kënaqësi edhe një energji tjetër edhe për ne”, është shprehur balerina Musolli.
Që në fillim ishte e qartë se “Arrëthyesi” kërkon perfeksion, lëvizje të sakta e sfiduese. Në muajin e kaluar koreografi i shfaqjes, Ilir Kerni, në pauzë provash kishte thënë prerazi: “Kjo shfaqje o bëhet siç duhet, o nuk bëhet”.
Pas përfundimit të shfaqjes së baletit, Kerni është shprehur shumë i kënaqur me paraqitjen finale para publikut.
“Që të gjithë kanë bërë maksimumin sot, dhe për këtë jam jashtëzakonisht i kënaqur, por gjithmonë kur ndodhin premierat emocionet janë të paevitueshme dhe ndonjë gjë e vogël mund të vërehet, por e tëra ishte një mrekulli dhe jam shumë i kënaqur me perfomancën e tyre, andaj i përgëzoj të gjithë për punën e madhe që ka bërë trupa e baletit dhe për pasionin e madh që ata kanë”, është shprehur koreografi Kerni nga Shqipëria, i cili me Baletin Kombëtar të Kosovës ka bashkëpunuar edhe për shfaqje të tjera ndër vite, si baletet “Sylfida”, “Balloja e diplomës” dhe “Dashuria që vret”.
Kerni e ka vlerësuar moment historik shfaqjen e “Arrëthyesit”. Ka thënë se është përpjekur fort për ta realizuar shfaqjen në mënyrën më korrekte.
“Vendosja e ‘Arrëthyesit’ këtu në Kosovë mendoj që është një moment historik për kulturën e Kosovës, dhe mendoj që është privilegj për kryeqytetin, Prishtinën, që të ketë këtë performancë në repertorin e saj dhe t’u bashkohet të gjitha kryeqyteteve ku tashmë zhvillohet, në muajin dhjetor me rastin e festave. Në këtë pikë jam shumë i lumtur që unë isha i pari që vendosi një gur themeli në kuptimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë sektorëve ku janë orkestra, baleti, teknika, ndriçimi”, është shprehur Kerni duke thënë se si koreograf i shfaqjes ndihet fatlum dhe i lumtur me punën që është shpalosur të shtunën. Shfaqjen e ka konsideruar “hap gjigand” drejt sukseseve të institucionit.
Vallëzim oriental kanë shfaqur balerinat Aulonë Nuhiu dhe Leonora Rexhepi në aktin e dytë të shfaqjes. Të dyja kanë qenë si soliste në rolet e valltareve arabe. Nuhiu ka thënë se e ka shijuar tej mase rolin e saj.
“Ishte me të vërtetë kënaqësi të punojmë shfaqjen ‘Arëthyesi’, siç dihet është një prej shfaqjeve më të njohura botërore e cila luhet çdo fundvit, është shfaqje festive. Jemi me fat që mbërrimë edhe ne të sjellim para publikut këtë shfaqje. Është balet që kërkon masivitet, shumë balerinë, shumë skenografi, shumë punë. Kemi rreth tre muaj që jemi duke punuar për ‘Arrëthyesin’. Bëmë një punë të palodhshme, me shumë dashuri’, ka thënë balerina Nuhiu.
Lëvizjet e tyre shpesh kanë qenë të lidhura ngushtë me tingujt minimalist të luajtur nga Orkestra e Filharmonisë.

Formacioni ka qenë i renditur nën skenën ku ai i balerinëve ka Ata më dinamikë kanë qenë veshja e skenave të baletit me situata dramatike. luajtur. Është udhëhequr nga dirigjenti hungarez Boian Videonoff i cili e ka konsideruar produksionin në përgjithësi si kryevepër. Ka thënë se ishte goxha frymëzuese të shihet kuraja për të sjellë për herë të parë një produksion kaq madhor.
“Është një kryevepër. Mendoj se ishte kënaqësi për të gjithë të shohin këtë produksion të plotë të bërë nga valltarët e mrekullueshëm, ishin edhe fëmijët. Kur erdha dje e pashë gjithë këtë hapësirë të mbushur me ta që dukeshin shumë të emocionuar”, ka thënë dirigjenti Videnoff.
E ka quajtur moment historik për skenën artistike premierën e “Arrëthyesit”.
“Kjo ishte arsyeja pse u ktheva në Kosovë për këtë shfaqje. Mendoj se njerëzit në Kosovë janë njerëz të mrekullueshëm dhe të fortë. E adhuroj këtë mentalitet kaq të fuqishëm për të ndërtuar diçka nga asgjë dhe për ta bërë kaq të bukur. Më frymëzoi aq shumë dhe doja të jepja diçka nga përvoja ime si muzikant. Me të vërtetë ndiej se ky vend dëshiron të bëjë diçka madhështore dhe unë me kënaqësi e bëra pjesën time”, është shprehur dirigjenti hungarez i cili ka bashkëpunuar edhe më parë me Filharmoninë e Kosovës.
Drejtori i institucionit shtetëror të muzikës klasike në vend, Baki Jashari, ka thënë se kjo është hera e parë që dy institucionet bashkëpunojnë në nivel të tillë profesional me veprën madhore dhe aspak të lehtë, sipas tij.
“Ishte një sfidë e jashtëzakonshme për Filharmoninë e Kosovës, një vepër me kërkesa jashtëzakonisht të mëdha teknike, artistike dhe me kohëzgjatje, mirëpo, para së gjithash, me ato kërkesa të Filharmonisë dhe muzikës, që në këtë rast është shumë normale t’u përshtaten nevojave të baletit. Dhe kjo ka qenë përgjegjësi e jashtëzakonshme e dirigjentit, i cili jo rastësisht ka qenë Boian Videnoff, i cili vjen nga Gjermania, e i cili ka përvojën e duhur”, ka thënë Jashari.
Institucioni i Baletit dhe ai i Filharmonisë kishin bashkëpunuar edhe në baletin “Halili e Hajria” në Tish Dalisë vitin e kaluar, kur u shënua gjysmëshekulli i BKK-së.
Jashari ka thënë se premiera e “Arrëthyesit” do të jetë një lloj gurthemeli i bashkëpunimit të dy institucioneve.
“Mendoj që premiera e sotme do të mbahet në mend, meqë shënon sigurisht edhe një moment krenarie për të dy institucionet, dhe besoj që do të jetë një gurthemel që këto dy institucione të bashkëpunojnë, ashtu si edhe nëpër botë ku teatro të operës dhe baletit që realizojnë shfaqje, ku në të dyja rastet orkestra është ajo që i shoqëron. Kështu që ne e kemi pasur nderin si Filharmoni ta kemi këtë rol dhe të jemi pjesë e kësaj shfaqjeje fantastike”, ka thënë Jashari.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, e ka vlerësuar interpretimin e secilit balerin e instrumentist të Filharmonisë. Ka thënë se rezultati i shfaqjes ka qenë përtej pritshmërive të tyre, duke e vlerësuar “Arrëthyesin” “sfidë për çdo teatër gjithandej nëpër botë”.
“Procesi deri te nata finale është përcjellë me sfida të shumta. Tashmë dihet problemi ynë i madh, e i vazhdueshëm me infrastrukturën, jemi munduar të adaptohemi në këtë sallë këtu e cila sigurisht nuk i ka kushtet e teatrit, pra në aspektin e skenografisë kemi qenë të cunguar, sepse nuk kemi pasur mundësi që të vendosim skenografi, kështu na është dashur të përdorim alternativa të tjera. Sfidë, po ashtu, ka qenë edhe pjesa e kostumeve e cila ka qenë një segment shumë i rëndësishëm i shfaqjes”, ka thënë drejtori Kajtazi.
Kostumografe e shfaqjes ka qenë Elva Bella, ndërsa skenografia është punuar nga Vesa Kraja. Asistente e koreografit ka qenë balerina Rovena Shqevi.
Në përcjellje përrallore ka qenë edhe përfshirja e korit të fëmijëve “Okarina” nën dirigjimin e Elikona Hysajt në një pjesë të interpretimit me vokal.
Magjia e “Arrëthyesit” është sjellë edhe të dielën mbrëma në reprizën e parë dhe të fundit.