“Kam qenë fëmija i vogël. Kam qenë më i llastuari dhe kam mundur të bëj gjithçka. Kështu që kam vendosur t'i bie kitarës. Deri në momentin e parë kur e kam parë kitarën e Valon Gashit, jam fascinuar dhe pastaj i kam thënë babit gjithsesi ta blej një kitarë
Kur u kthehet kujtimeve të fëmijërisë, Armend Xhaferi shpalos disa foto ku shihet me kitarë. Buzëqeshja tek luan me këtë instrument edhe sot i ka mbetur e njëjtë. E mban akoma entuziazmi i një fillestari, ani pse që nga ajo kohë e deri sot ka luajtur në skena e me emra profesionistësh. Në foton e shkrepur kohë me parë vërehet se kitaristi kosovar është improvizues i lindur. S’është nga ata muzikantët që veç del e luan duke respektuar partiturat. I tillë s’është as në lojë e as kompozim. Madje as në intervista. Gjithnjë shkon përtej kësaj. Në gjithçka ka një dozë humori. Xhaferi, i lindur në një familje ekonomistësh, thotë se duke qenë fëmija më i vogël e kishte lirinë më të madhe të gjente pasionet e tij. Për të kitara ishte dashuri në shikim të parë. Loja me të ishte një kapitull që e hap një histori të gjatë me muzikën. Sot është një prej emrave me të njohur të jazz-skenës kosovare. Mbrëmjet ku luan ai veçohen për gjallërinë në skenë dhe për karakterin e një artisti që muzikën e bën me qejf. I tillë njihet nga publiku dhe nga komuniteti i muzikës jazz. Të tilla synon t’i bëjë të gjitha mbrëmjet ku luan me muzikantë të ndryshëm.
Jazzi si oqean
“Kam qenë fëmija i vogël. Kam qenë më i llastuari dhe kam mundur të bëj gjithçka. Kështu që kam vendosur t'i bie kitarës. Deri në momentin e parë kur e kam parë kitarën e Valon Gashit, jam fascinuar dhe pastaj i kam thënë babit gjithsesi ta blej një kitarë", rrëfen ai për fillet në muzikën. Xhaferi thotë se kishte qenë fëmijë i qetë. Pasion kishte pasur edhe për futbollin. Madje ishte një prej futbollistëve më të mirë në shkollë. Por të gjitha pasionet i mbetën nën hije kur nisi lojën në kitarë.
“Kam qenë edhe futbollist i mirë. Edhe në shkollë kam qenë i mirë, por kur fillova me kitarë, i lash të gjitha. Kitara ma ka ndryshuar jetën. Mund të them që më ka plotësuar”, ka rrëfyer Xhaferi në emisionin “Pro X” të KTV-së. Prej momentit kur filloi të luante me kitarë s’vonoi shumë kohë dhe Xhaferi së bashku me miqtë e lagjes (Sherif Çitaku në vokal, Adriatik Munishi në bass, Petrit Ukmata në bateri, Veton Nushi në piano dhe Arben Restelica, dizajner) formuan bendin me emrin “Tensioni”. Me këtë bend fillimisht e pastaj me bendin “Origano”, Xhaferi përjetoi skenën për të parën herë. Thotë se është e rëndësishme që s’ka debutuar si i vetëm. Me “Armend Xhaferi Trio”, luan me Kiril Tufekcievski në kontrabas e Viktor Filipovski në bateri vazhdon të përcjellë harmoninë në skenë.

“Me ‘Tensionin’ kemi filluar me koncerte nëpër kafene dhe kemi marrë pjesë edhe në festivale. Ajo ka qenë me rëndësi për mua, sepse nuk kam qëndruar vetë si kitarist, por menjëherë bashkë. Më vonë e kemi formuar bendin ‘Origano’”, rrëfen ai. Kur flet për jazzin si mësuesin e parë më të mirë e përmend shpesh Ilir Bajrin. Në jazz u kyç më vonë, por gjithçka nisi me rokun. Thellë akoma thotë se është roker, por jazzi është oqeani ku mund të notojë më lirshëm.
“Kam qenë roker. Akoma jam roker. Pak me më çelë brenda, del ai rokeri. Por kur vjen puna te improvizimi ndihesha shumë ngushtë. Kisha nevojë për diçka që është më e gjerë. Jazzi për mua ka qenë pastaj si një oqean i madh. Andaj e kam sfiduar veten që të shkoj të studioj jazz”, ka treguar Xhaferi. Nevoja për t’u thelluar në jazz e bën Xhaferin që t’ia mësyjë Gracit. Para se të nisej atje, në fillim të ‘90 ishte goxha aktiv nëpër mbrëmje muzikore. Performanca në atë kohë i kujton si të ndrydhura nga ndjenjat e frikës për shkak të situatës. S’ishte koha më e mirë për të për t’u zhvilluar muzikalisht, por Xhaferi të cilit shpesh i referohen si “Xhafa” nuk dorëzohej. Madje ëndërronte përtej. “Para se të shkoj në Grac ka qenë situatë shumë e rëndë. Sa herë që bënim muzikë në kafene hynin policia. Kudo që ke dalë ka qenë ajo ngarkesa se do të vijnë policia”, ka treguar ai. Ai ka përfunduar studimet master në vitin 2006 në “Kunsuniversitat” në Grac dhe ka përvojë 15-vjeçare në harduer dhe softuer digjital të audios. Fillimisht për t’u bërë pjesë e këtij universiteti duhej të shkonte atje dhe të bëhej gati për testin pranues. Në vitin 1995, Xhaferi si 17-vjeçar nis një rrugëtim të ri në muzikë që do ta formësonte atë si muzikant.
“Ishte një ikje muzikore, por edhe një ikje prej vendit tënd. Graci ka qenë potez i mirë që kam shkuar”, pohon ai. Graci do ta bënte të futej tamam në oqeanin që ëndërronte ai si muzikant. 10 vjet atje i përshkruan me plot pasion e mësime të reja për jazzin. Gjithçka për të atje fillon nga zeroja.
Album për viktimat e luftës
“Atje fillon një epokë e çmendur. Për herë të parë jam takuar me profesionistë të nivelit të lartë. Më kanë thënë çka ke mësuar deri tash, fshij të gjitha dhe nisim prej fillimit. Prej fillimit kanë nisur të punojnë me mua që të m’i mësojnë gjërat ngadalë”, tregon tutje kitaristi e kompozitori nga Prishtina. Një pjesë e madhe e tij thotë se është akoma në Grac. Atje ka formuar bendin “Marimanga Trio” (Enes Seferović – kontrabas, Bajram Istrefi - bateri), ku kanë realizuar dy albume muzikore e kanë realizuar goxha performanca muzikore në Sarajevë. Aty Xhaferi filloi ta sfidojë veten edhe në kompozim. Gjithnjë synon diçka origjinale. Në kompozimin e këngëve ka përfshirë elemente të jazzit me ato të folklorit shqiptar, kryesisht të jugut të Shqipërisë. Andaj meloditë e tij duket sikur kullojnë nga melosi shqiptar. Deri tani ka realizuar rreth katër albume. Këngët i ka emërtuar në bazë të asaj çka e shoqëron çdo ditë.
“Këto këngët e reja jam munduar që t'i shoh gjërat e afërta çka ne kemi dhe ne nuk e dimë. Një këngë e ka emrin ‘Speci’, çka mund të thuash që mund të bësh art me shumë se një spec. Një këngë e ka emrin ‘Suxhuk’, unë e kam pasur gjithë këtë idenë që kur fle dhe e ndien erën e suxhukut është ndjenjë e mirë”, ka rrëfyer ai. Ai është kompozitor i pasionuar dhe me aftësi në kompozim, orkestrim, dhe aranzhim të muzikës për film dhe media të tjera vizueale, duke përfshirë teknologjinë më të fundit. Xhaferi është i specializuar në kitarë elektrike dhe akustike, në bas, bateri dhe zhanret jazz, pop, world, blues, rock, reggae dhe muzikë ambienti. Në vitin 2009, ai ka bashkëthemeluar studion “Homebasesound”, ku bashkëpunon me producentë, interpretues dhe artistë të tjerë. Kur del në skenë, Xhaferi asnjëherë s’e nis lojën pa komunikuar pak me publikun. Thotë se që nga ai moment i përshëndetjes e deri të duartrokitjet e fundit koha për të ndalet.
"Unë ndihem si me qenë në dy pjesë i ndarë dhe që kur dal në skenë ngjitem me atë publik, me atë energji. Mundohem që çka vjen prej lart nëpërmjet Zotit t’ia dhuroj publikut poshtë. Unë mendoj që asgjë nuk është e imja. Kur dal në skenë më duhet lidhja me publikun, në momentin që lidhem më nuk mbaj mend asgjë”, ka thënë ai.
Në fund të këtij viti ai planifikon ta publikojë edhe një album muzikor që u dedikohet viktimave të luftës. Për ata që duan të marrin mësimet për jazz e kitarë, Xhaferi planifikon që gjatë këtij viti ta hapë edhe një shkollë profesionale në të cilën do t’i ndajë njohuritë me të rinjtë. Të rinjtë mund të arrijnë çkado që synojnë, mjafton që të kenë synime të mira dhe ato realizohen.