Kulturë

“Arkivat si tregime të pathëna” për dialog e hapësira të reja kulturore

Aktorët Ilire Vinca dhe Enver Petrovci

Aktorët Ilire Vinca dhe Enver Petrovci në “Arkivat si tregime të pathëna”, të premten në Kino “Armata” kanë ndarë rrëfimet e tyre për vitet e rezistencës me art

Dialogu midis komunitetit artistik dhe hulumtuesve të fushës së kulturës ka qenë qendra e tematikës që ka trajtuar seminari dyditor ndërdisiplinor i mbajtur në Kino “Armata” në Prishtinë si iniciativë e katër institucioneve me seli në Ballkanin Perëndimor dhe në Francë. 

“Archives as unspoken stories” (Arkivat si tregime të pathëna) ka qenë tema e këtij organizimi për të cilin janë bërë bashkë “Iniciativa për Histori Gojore”  në Prishtinë, “Art Explora”, École Nationale Supérieure d'Arts de Paris-Cergy dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor i Shkupit. 

Seminari për qarqet e fushës së kulturës dhe jo vetëm funksionon nën programin “EU Balkans” dhe mbështetet nga programi “The Creative Europe”. Qëllim parësor ka inkurajimin e ndërveprimit midis artistëve, studiuesve dhe akterëve kulturorë të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së si mënyrë për të përhapur praktika të ndryshme kërkimi. 

“Armata” nikoqire e aktiviteteve ka qenë shembulli i parë për rolin e saj si hapësirë, e cila funksion si institucion kulturor që promovon kulturën alternative qysh prej vitit 2018. 

E shtuna, dita e dytë dhe përmbyllëse, ka nisur me një panair librash nga shtëpi publikuese alternative të Kosovës dhe të rajonit. Me titujt e tyre u prezantuan “BERK Botime” nga Tirana, “Kolektivi Zine”, “Potpuri”, “Lirindja”, “Pykë-presje” e të tjera. U organizua dhe punëtoria nga “Termokiss”, i cili u ofroi mundësinë të pranishmëve që të angazhohen në procesin e krijimit të një “fanzine” magazine jozyrtare e krijuar nga entuziastët. Ky ‘wokrshop’ pasoi nga një konferencë për perofrmancën “An Icon Never Dies” nga artistja franceze Eden Tinto Collin, e cila trajton personazhin fiktiv shumëdimensional të Jane Dark. 

Paneli i parë i diskutimit ka qenë i dedikuar për fuqinë që kanë shtëpitë publikuese nga gjeografi dhe kontekste të ndryshme sociale. Në temën “Publishing, a political tool” (Publikimi si një instrument politik) u prezantuan me punët e tyre Donika Çapriqi nga “Space SyntaKS”, Blerta Haziraj nga “ATO fanzine”, Lura Limani nga “Lirindja” dhe Theo Robine – Langlois, publicist nga Franca. Paneli i radhës ka qenë i dedikuar për diskutimin për rëndësinë e historive gojore dhe arkivimit të tyre, ku janë paraqitur hulumtues të ndryshëm nga Kosova dhe bota ndër të cilët edhe sociologia Linda Gusia me projektin për “Shtëpitë Shkolla” e Arbër Selmani, me projektin e arkivit të komunitetit LGBTQ+ në Kosovë. 
“Tregime pjeshkash” ka qenë ngjarja qendrore e ditës së dytë e cila njëherësh i vuri edhe pikën këtij seminari dyditor. Diskutimi i organizuar nga iniciativa që synon krijimin e një hapësire ku gratë mund të tregojnë tregimet e tyre, bëri bashkë gjashtë gra të cilat kanë ndarë tregime të tyre mbi temën e turpit.

Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti nën titullin “Archives as unspoken stories” është të forcojë rrjetin e artistëve, praktikën artistike dhe hulumtimin ndërmjet Ballkanit Perëndimor, Bashkimit Evropian dhe pjesëve të tjera të botës. Për më tepër, projekti synon ngritjen e kapaciteteve dhe transmetimin e njohurive në fushën e artit dhe kulturës në dialog me disiplina të tjera, drejt studentëve të artit, artistëve, profesionistëve të sektorit krijues dhe publikut të gjerë. 

Jeta Rexha, drejtoreshë e “Oral History Initiative” kur ka folur për synimet e seminarit të sivjetmë, ka thënë se mundohen të krijojnë një projekt që përfshin artistë dhe hulumtues të kulturës në Kosovë. “Dhe programi vjen si një pasqyrë e ambicieve të skenës kulturore në Kosovë”, ka thënë Rexha në fjalën hyrëse, në ceremoninë e hapjes së “Archivit...” ceremoninë modeste hapëse të premten. Projekti karakterizohet me organizimin e seminareve sikur “Archives...” vjen me një afat kohor trevjeçar. Seminarit në Prishtinë i kishte paraprirë një i ngjashëm në Paris. 

Camille Kingué, kryesuese e zyrës për zhvillim të karrierës në Ecole Nationale Supérieure d’Arts de Paris-Cergy–ENSAPC, Paris, ka ndarë motivin prapa pjesëmarrjes së këtij institucioni partner në këtë event. 

“Edhe vetë titulli tregon që kemi të bëjmë me një seminar i cili tenton të krijojë raporte bashkëpunimi mes hulumtuesve të ndryshëm dhe artistëve. Ky seminar këtu në Prishtinë vjen si një vazhdimësi e atij në Paris, pasi që ka pasur shumë zhvillime në art dhe kulturë andaj kemi vazhduar dhe tash”, ka thënë Kingué.

Për Ivana Vaseva, kuratoren e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup, vizitat në Prishtinë janë gjithmonë të mirëseardhura. Sipas saj, fatet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut lidhen dhe mund të përkthehen si të tilla edhe në iniciativat për kulturën. 

“Është gjithmonë kënaqësi të jem në Prishtinë aq më tepër kur takohemi me artistë dhe hulumtues nga shumë vende. Me Kosovën na lidhin fatet, sidomos këto dekadat e fundit, andaj është kënaqësi të marrim pjesë në këtë iniciativë dhe të trajtojmë se si arti bashkëkohor mund të jetë një hapësirë e bashkëpunimit të artistëve dhe hulumtuesve nga të dyja vendet”, është shprehur ajo. 

Alexandra Goullier Lhomme, udhëheqëse e programeve për rezidenca në “Art Explora”, e pranishme në ceremoninë hapëse ka folur rreth iniciativës që ajo përfaqëson në këtë simpozium si dhe planet e të ardhmes të cilat do të shtrihen edhe në Shqipëri, gjegjësisht në Tiranë. 

“’Art Explora’ është një fondacion i cili beson shumë se arti mund të krijojë lidhje në komunitete por edhe nëpërmjet artisteve të ndryshëm, dhe të gjitha projektet tona të fondacionit lëvizin drejt kësaj ideje. Përmes programeve tona të rezidencave artistike ne besojmë që artisti duhet të jetë në qendër, duhet të mbrojmë kreativitetin. Rezidencën e parë e kemi pasur në vitin 2021 në Paris dhe që atëherë ne pranojmë nga 20 artistë duke iu siguruar të ardhurat dhe punën për një periudhë dy deri në gjashtë muaj. Ne i kushtojmë rëndësi pjesëmarrjes së artistëve nga gjeografi dhe kultura të ndryshme, dhe këtë vit do të lansojmë një program të ngjashëm si në Paris edhe në Tiranë”, ka thënë ajo, duke shtuar se kjo iniciativë do të mirëpresë 30 artistë, por do t’u shërbejë edhe si hapësirë multifunksionale.

Pjesa tjetër e programit të ditës së parë u realizua nga një prezantim i punës së Inicaitvës për Histori Gojore ndër vite në Kosovë, angazhimi kryesor i së cilës është dokumentimi joformal i historisë së Kosovës duke u përpjekur të rikuperojë ndërveprimin e kujtimeve individuale dhe kolektive. Aty u shfaqën dhe tre filma të shkurtër si “Mardhe” nga Flaka Kokolli, “Those Who Drown Cling to Foam” nga Urtina Hoxha dhe “Pashtriku” nga Ana Morina. Ndërkaq u zhvilluan dhe vizita në hapësira të ndryshme alternative që i dedikohen kulturës nëpër kryeqytet si “Fondacioni Shtatëmbëdhjetë”, “Qendra për Praktikë Narrative” dhe “Termokiss”. 

Mbrëmja qe e rezervuar për një diskutim me dy subjekte të cilat për pjesëmarrësit e huaj, që ishin të shumtë në numër, ofruan një pasqyrë të kontekstit kulturor të Kosovës së viteve ‘80 dhe ’90. 
I parapriu një video-kolazh me inserte nga intervistat e realizuara nga OHI, me personalitetet të ndryshme nga skena kulturore e Kosovës. U shfaq aktori Adem Mikullovci duke treguar se sa shumë i kanë kushtuar rëndësi premierave të shfaqjeve teatrore kosovarët në vitet ‘70. 

Artistja Lirije Bulliqi, punonjëse shumëvjeçare në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ka treguar se si vepra e Picassos arriti edhe GKK. Politikania Kaqusha Jashari nëpërmjet video-materialit ka ndarë detaje nga ballot e të hënave dhe të enjteve në Prishtinën e dikurshme. 

Të gjitha këto qenë detaje interesante për audiencën që shërbyen si parathënie për diskutimin me aktorët Enver Petrovci dhe Ilire Vinca. Ky diskutim erdhi si një përpjekje për të hartuar skenën artistike si rezistencë në Kosovën e viteve të regjimit. 

Petrovci ka ndarë detaje nga fillimet e tija si drejtor i teatrit “Dodona” dhe vështirësitë që komuniteti artistik kishte hasur gjatë asaj periudhe. “Unë e kam marrë rrogën me marka dhe rroga ime ka qenë 2 marka e 75 centë. I shisnim biletat nga 1 markë për shikues dhe nga to besoni ose jo, ne i paguanim dhe aktorët. Do të thotë po flasim për një periudhë shumë të vështirë edhe politike, por dhe ekonomike”, ka thënë Petrovci. 

Ilire Vinca gjithashtu ndau detaje nga fillimet dhe peripecitë e kaluara përgjatë karrierës së saj. 
“Kam mësuar çdo këngë të vjetër shqipe gjatë asaj kohe dhe kur kishte shfaqje në ‘Dodona’ ne hynim në teatër me bukë ndër sqetull, djathë ose diçka, gjithkush sillte diçka sepse ne duhet të flinim aty deri të nesërmen në mëngjes për shkak të orës policore. Pra teatri në Kosovë zhvillohej në këto kushte”, ka thënë Vinca. 

“Archives as unspoken stories” për vitin që vjen ka Shkupin si nikoqir dhe epilog të projektit trevjeçar.