Kulturë

“Arkiva1990” për dokumentimin me imazhe të dashurisë dhe sakrificës

Imazhet e viteve ’90 do të koleksionohen në album kujtimesh nga artistja Gresa Nuredini. Momentet e përjetësuara i sjell dekada pas si një perspektivë e kohës. Qëllimi është që publikut t’ia ofrojë konceptin e dashurisë së dikurshme dhe sakrificën për tjetrin. “Çdo gjë filloi me kuriozitetin dhe dëshirën për të digjitalizuar arkivin e fotografive të familjes sime. Një element i shpërndarë në çdo fotografi, njerëzit gjithmonë ndanë poza filmi, pothuajse asnjëherë nuk ishte vetëm një person në fotografi. Çdo gjë ndahej mes vete në vitet ‘90, edhe frika”, ka thënë Nuredini

“Arkiva1990” vjen si dokumentim vizual i dashurisë së kohës nën regjim. Nëpërmjet arkivave personale fotografike synon të rizgjojë kujtimet me anë të kujtesës kolektive si trashëgimi kulturore. Imazhet e viteve ’90 do të koleksionohen në album kujtimesh nga artistja Gresa Nuredini. Momentet e përjetësuara i sjell dekada pas si një perspektivë e kohës. Qëllimi është që publikut t’ia ofrojë konceptin e dashurisë së dikurshme dhe sakrificën për tjetrin.

Krejt materialet do të përzgjidhen për të eksploruar vitet ’90 nëpërmjet imazheve që do të ndërtojnë një album fotografik dhe ekspozitën që parashihet të hapet në shkurt të vitit të ardhshëm. Siç bën të ditur autorja e projektit, “Arkiva1990” informon rininë për dekadën kur u mbyllën të gjitha institucionet publike dhe krejt çfarë mbeti ishte dashuria për njëri-tjetrin.

Sipas Nuredinit, dokumentimi dhe ruajtja e rrëfimeve historike vizuale e mbron manipulimin e kujtesës kolektive dhe shtypjes së pikëpamjeve alternative. Kësisoj ka ftuar familjet të hapin arkivat e tyre për të qenë pjesë e nismës së saj. Këtë mund ta bëjnë nëpërmjet postës elektronike të saj në “[email protected]”.

“Çdo gjë filloi me kuriozitetin dhe dëshirën për të digjitalizuar arkivin e fotografive të familjes sime. Një element i shpërndarë në çdo fotografi, njerëzit gjithmonë ndanë poza filmi, pothuajse asnjëherë nuk ishte vetëm një person në fotografi. Çdo gjë ndahej mes vete në vitet ‘90, edhe frika”, ka thënë Nuredini.

Sipas saj, arkivat personale të qytetarëve përmbajnë edhe historinë e identitetit rezistues në shoqëri.

“Jeta në kolektiv nën faktorin e dukshëm të frikës, katalizon bashkim dhe dashuri që shumëfishohet dhe vështirë rikthehet në prezencën e dekadës së re të mbushur me individualizëm. Ky projekt shtjellon mirëmbajtjen e kujtesës kolektive si një dokumentim historik me qasje ontologjike, e portretizuar nga vetë narrativat e qytetarëve”, është shprehur Nuredini.

Periudha të cilën Nuredini e përcakton se duhet t’i përkasin fotografitë sjell në mendje luftën në rend të parë.

“Lufta në Kosovë gjatë viteve '90 ka pasur një ndikim emocional të thellë tek individët të prekur nga kushtet e saj johumane, të cilat më parë janë dokumentuar në shumë kronika arkivash që kanë portretizuar kapitujt e rëndë të marshit të pandërprerë të luftës”, ka shpjeguar Nuredini në përmbledhjen për projektin “Arkiva1990”.

Vlerësohet se janë pikërisht vitet ’90 që ndriçojnë shumë ngjarje historike. Ndonëse nuk është përcaktuar numri i saktë se sa fotografi do të përzgjidhen për t’u bashkëngjitur në libër, artistja Nuredini veçse ka një kriter për përzgjedhjen e tyre.

“Të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre me fotografi do të kenë të paktën një foto të përfshirë. Tematika përqendrohet në bashkimin në komunitet në kohën kur institucionet publike, si shkollat, universitetet, teatrot u mbyllen, si pasojë e shkarkimit nga pronësia e shqiptarëve të Kosovës, dhe gjithçka që mbeti mbi posedimin tonë ishin dashuria dhe sakrifica për njëri-tjetrin. Një objektivë e qytetarëve përmes fotografive të tyre të cilat vizualizojnë realitetin paralel të krijuar në rrethana kufizuese”, ka shpjeguar Nuredini. Të gjithë ata që duan të ndajnë fotografitë e momenteve të tyre të asaj periudhe, këtë mund ta bëjnë deri më 31 tetor.

Gresa Nuredini ka qenë një prej përfituese të projekteve nga Fondacioni Kosovar për Trashëgimi Kulturore pa Kufij, “CHwB Kosova” në kuadër të platformës “Heritage Space”.

Programi nisi në vitin 2016 me qëllim inkurajimin e artistëve, studiuesve dhe profesionistëve të tjerë që veprojnë në fushën e kulturës dhe të tjera për të ruajtur trashëgiminë kulturore përmes hulumtimit dhe dokumentimit.

“‘Heritage Space’ inkurajon qasje ndërdisiplinore në fushën e trashëgimisë kulturore, siç janë hulumtimi në formë të shkruar, arti bashkëkohor, filmbërja, rrëfimi përmes platformës digjitale, dokumentimi dhe format e tjera me rëndësi që arrijnë të ndërveprojnë me publikun e gjerë kuptimisht, përmes edukimit dhe vetëdijesimit. Për më tepër, ‘Heritage Space’ inkurajon shoqërinë dhe komunitetet e ndryshme të ndërlidhen me të kaluarën historike dhe trashëgiminë kulturore, përtej formave tradicionale”, shkruhet nga “CHWB” për platformën “Heritage Space”.

Në edicionin e shtatë vëmendja kishte qenë në arkivimet e ndërprera, krizat e trashëgimisë dhe rrëfimet e interpretimet. Projekti i Nuredinit i përshtatet kësaj të fundit, nëpërmjet artit pamor.

“Nëpërmjet ndërveprimit të temës “tregim dhe rrëfim vizual”, ky projekt thërret një eksplorim mbi përvojën njerëzore dhe kujtesën kolektive përmes mediumit të fotografisë e cila fshihet në arkivat personale të qytetarëve gjatë viteve ‘90 në Kosovë. Fotografia si medium vizual ndihmon në formimin e kujtesës kolektive dhe ndikon në perceptimin tonë të historisë”, shpjegon artistja Gresa Nuredini derisa vlerëson se imazhet mund të përshkallëzojnë emocionet, të nxisin reflektim dhe të ndikojnë në kuptimin për botën. Materialet i konsideron si lloj i trashëgimisë kulturore që të gjithë e kemi në shtëpi.

Pos projektit të Nuredinit, përfitues ishte edhe instalacioni i Diellza Salicanës me titull “Udhëtimi i kohës në kohë”, audioinstalacioni “Zhurmimi i gjurmëve” i Elisa Maxhunit dhe Tringa Sefedinit, projekti multimedial “Diçka po ndodh...” i Kreshnik Arifit dhe projekti hulumtues “Shoqërimi i grave përmes kafes” i Liridona Sijarinës. Komisioni përzgjedhës ishte në përbërje me regjisoren Kaltrina Krasniqi, hulumtuesin Piro Rexhepi, antropologen Lira Blakaj, artistin Lulzim Zeqiri dhe gazetaren e redaktoren Dafina Halili.