Arkitekti i njohur japonez Kengo Kuma – asociacioni i të cilit është fitues edhe i projektit për atë që tash u bë “qendra multikulturore ‘Gërmia’” në Prishtinë – ka vënë firmën në kontratën me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit. “Kengo Kuma & Associates” është fituese e konkursit ndërkombëtar për projektin arkitekturor të qendrës së vizitorëve në parkun e njohur arkeologjik në Shqipëri.
“Kjo kontratë hap një faqe të re në historinë e Parkut Kombëtar të Butrintit duke ia kthyer dinjitetin portës hyrëse të tij dhe duke orientuar vizitorin drejt një pasurie botërore”, citohet të ketë thënë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, e cila ka qenë e pranishme gjatë ceremonisë së nënshkrimit në qytetin antik të Butrintit.
E shkrirë me natyrën dhe në respekt të plotë me të, Qendra e Vizitorëve në Butrint do t’u shërbejë vizitorëve, artizanëve dhe komunitetit lokal. Ajo do të jetë në një pozicion prej 1,5 kilometrash nga hyrja aktuale e parkut dhe është konceptuar nga arkitekti japonez si një urë mes trashëgimisë dhe natyrës. Të enjten ka qenë ministrja e Kulturës që e ka shoqëruar arkitektin gjatë vizitës së tij në Butrint.
“Ndihemi të nderuar që jo vetëm projekti arkitekturor i qendrës së re të vizitorëve të këtij parku nën mbrojtjen e UNESCO-s mban firmën e tij, por edhe për promovimin e shkëlqyer që figura të tilla i bëjnë trashëgimisë sonë kulturore”, është shprehur ministrja e Kulturës.
Me herët ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e ka vlerësuar shpalljen fituese të studios japoneze për projektin e Qendrës së Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit si një hap të rëndësishëm drejt rijetëzimit dhe modernizimit të Parkut Kombëtar të Butrintit.
Titulli i projektit fitues nga “Kengo Kuma Associates” është “Urat-Between Heritage and Nature”.
Projekti japonez u vlerësua jo vetëm nga zgjidhjet arkitekturore apo elemente të veçantë të estetikës, por edhe qasjen konkrete ndaj pasurisë natyrore dhe kulturore të Parkut Kombëtar të Butrintit. Kengo Kuma është pritur edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Rrallë qëllon të jesh me aq fat sa brenda 24 orëve të takosh dy maestro të kalibrit të lartë, si kolosi i arkitekturës botërore, Kengo Kuma, i cili do të realizojë veprën e tij të parë në Shqipëri”, ka shkruar Rama, i cili ka pritur edhe skulptorin shqiptar Helidon Xhixha.
Emri i Kengo Kumas në Prishtinë është i njohur për projektin që do të konkretizohet në objektin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”, fillimisht sallë koncertale, tash galeri shoqëruar me një tjetër objekt. Hapi i radhës në lidhje me këtë projekt qe zbardhur pjesërisht në ditën e fundit të gushtit. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nga Japonia nëpërmjet rrjeteve sociale publikoi imazhet e projektit më të madh në infrastrukturën e kulturës. Sipas asaj që shihej në projekt, ndërtesa aktuale, me status të monumentit do të shndërrohet në galeri. Në bazë të asaj që shihet në imazhe, studioja e arkitektit japonez Kengo Kuma dhe ajo e partnerit të tij kosovar, Bekim Ramku, i janë përshtatur kërkesës së Komunës për të pasur dy hapësira kulturore.
“Salla Koncertale dhe Muzeu i Artit të kryeqytetit po bëhen realitet! Jam shumë i lumtur që po hedhim hapat e parë për krijimin e dy hapësirave të rëndësishme kulturore të kryeqytetit, Sallën Koncertale e Muzeun e Artit. Gjatë takimit me arkitektin e njohur botëror, Kengo Kuma, diskutuam detajet e fundit për realizimin e këtij projekti tjetër të madh drejt transformimit të Prishtinës”, kishte shkruar kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, në rrjete sociale.
Komuna e Prishtinës e ka konkretizuar nismën për ndërrim të qasjes në raport me ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Menaxhmenti aktual i Komunës kishte hequr dorë nga shndërrimi i monumentit në sallë koncertale. Kostoja e projektimit të ri është 1.6 milionë euro. Kaq peshon edhe kontrata që nëpërmjet procedurës së negocimit i është dhënë “O.U.D -Architects Sh.P.K; Kengo Kuma and Associates”. Sipas kontratës me titull “Hartimi i projektit të detajuar për qendrën multikulturore ‘Gërmia’ në Prishtinë”, studioja e arkitektit japonez, Kengo Kuma, dhe partnerit të tij vendor, Bekim Ramku, do të finalizojnë projektin. Projekti i dyshes për transformimin e ndërtesës, që gjendet në qendër të Prishtinës ishte shpallur fitues para dy vjetësh. Por, ai plan ideor tashmë do të mbetet veç pjesë e historisë. Se Komuna do të ketë qasje të re, kjo qe paralajmëruar qysh në mars të këtij viti, kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte pritur në takim arkitektin japonez Kengo Kuma. Në ditën e 12-të të marsit, Rama ia kishte bërë me dije Kumas se ndërtesën aktuale nuk do ta përdornin për sallë koncertesh. Kontrata qe nënshkruar në maj.