Një studim i ri zbulon se muri i rrethimit të romakëve në Masada mund të jetë ndërtuar vetëm brenda dy javësh. Hulumtimi i ri arkeologjik forcon mendimin se rrethimi mund të ketë qenë më i shpejtë dhe më efikas sesa mendohej deri më tash
Gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në pah se rrethimi romak i rebelëve hebrenj në Masada, një nga mitet themeluese të Izraelit modern, mund të ketë qenë shumë më i shpejtë si proces, më efikas dhe më brutal sesa është shpjeguar tradicionalisht. Fundi i revoltës hebraike në vitet 72-73 përshkruhet në mënyrë konvencionale si një qëndrim i fundit heroik kundër fuqisë së Romës nga një grusht rebelësh që më në fund vranë veten, në vend që të pushtoheshin nga forcat e perandorit Vespasian.
E vendosur në një pllajë të lartë të shkretëtirës me pamje nga Deti i Vdekur, Kalaja e Masadës u pushtua nga Sicari, një fraksion ekstremist i rebelëve zelotë hebrenj. Tani është një nga atraksionet më të famshme turistike të Izraelit.
Ngjarjet e rrethimit u përshkruan më së shumti nga historiani Josephus Flavius, një komandant hebraik gjatë luftës, i cili ishte dorëzuar dhe më pas u miqësua me komandantin e forcave romake, djalin e Vespasianit, Titus.
Rrëfimi i Josephusit për Masadën në Luftën Hebraike – një libër i botuar në vitin 75 – është vënë në pikëpyetje prej kohësh nga akademikët, me disa që shprehin dyshime se a kishte ndodhur vërtet vetëvrasja masive e rreth një mijë zelotëve.
Hulumtimi i ri sugjeron një version dramatikisht të ndryshëm të ngjarjes. Duke u bazuar në gërmimet në vitet 1990, një punim në “Journal of Roman Archeology” nga Hai Ashkenazi, Omer Ze’evi Berger, Boaz Gross dhe Guy Steibel sugjeron se strategjia e rrethuesve – duke përfshirë ndërtimin e murit të madh rrethues që rrethonte Masadën – ishte një triumf i efikasitetit romak.
Studiuesit vlerësojnë se muri i rrethimit mund të ishte përfunduar nga 6 mijë deri në 8 mijë ushtarë në më pak se dy javë, duke i lënë ata të lirë të përqendrohen në ndërtimin e një vendkalimi që përfundimisht u lejoi të depërtonin në Kështjellë.
Studimi përputhet me kërkimet e mëparshme që sugjeruan se ky vendkalim mund të kishte përfunduar brenda një muaji, të gjitha duke treguar për një afat kohor shumë më të shkurtër për rrethimin, i cili mund të ketë zgjatur dy muaj në vend të dy vjetëve.
“Llogaritjet tona të të dhënave tregojnë se 5 mijë burra mund të kishin ndërtuar sistemin e rrethimit rreth Masadës prej 11 deri në 16 ditë” shkruajnë arkeologët, të cilët përdorën dronë dhe modelim 3D për të ekzaminuar ndërtimet e rrethimit dhe kampet e lidhura me to.
Stiebel, autori kryesor i studimit i tha gazetës “Haaretz” se “nga këndvështrimi romak, nuk ishte një histori aq e madhe. Nuk ishte si rrethimi i Jerusalemit i cili zgjati pesë muaj dhe u zhvillua në vitin 70 , bënë një goditje precize dhe u larguan pas disa javësh”.
“Fakti që rrethimi zgjati më pak nga sa mendonim, nuk e bën sitin më pak interesant apo më pak të rëndësishëm. Ajo ende ngre pyetje që janë jo pak interesante. Pse romakët e bënë këtë përpjekje vite pas përfundimit zyrtar të luftës, për të dërguar 6 mijë deri në 8 mijë ushtarë në mes të shkretëtirës? Është ende një sipërmarrje e madhe logjistike. Do të thotë se ishte shumë e rëndësishme për ta”, ka thënë ai.
Për Stiebel dhe disa akademikë të tjerë, dyshimi është se larg nga të qenit një shfaqje force, arsyeja e rrethimit ishte më prozaike: rebelët po kërcënonin ndalimin e furnizimit me një parfum të vlefshëm, por të harruar prej kohësh, balsam, nga ku ai prodhohej në një fushë aty pranë, Ein Gedi.