Përmes kontrastit të ngjyrave dhe ritmit të furishëm të formave, veprat vendosen përballë një realiteti që nuk është vetëm i autorit, por i të gjithëve. Është reflektim i përbashkët mbi sfidat dhe zhgënjimet e një shoqërie që ende lufton për një stabilitet të munguar. “Arkeologjia e shpirtit”, siç titullohet ekspozita e Anton Krasniqit, është gërmim i kujtesës e zanafillën e ka në përditshmëri
“Arkeologjia e shpirtit” është titulli i qëlluar për ekspozitën, e cila nëpërmjet 20 pikturave me tis abstraksioni rrëmon në kujtesën kolektive dhe shpirtërore të një populli. Përmes ngjyrave të balancuara dhe lëvizjeve të fuqishme të brushës, këto vepra pasqyrojnë dhimbjen e së kaluarës e pasigurinë e së tashmes. Njëkohësisht ngërthejnë brenda tyre një shpresë të pashuar për rilindje dhe vazhdimësi.
Nëpërmjet këtij cikli që shpaloset në ekspozitën e Anton Krasniqit, arti shihet si një mjet i fuqishëm për të dëshmuar përjetimet historike dhe për të ndërtuar dialog midis së shkuarës dhe së ardhmes. Ekspozita e hapur të enjten mbrëma në “Hanin e 2 Robertëve” ka gjuhën vizuale ku ndërlidhen elemente të kaosit urban dhe të kujtesës kolektive.
Përmes kontrastit të ngjyrave dhe ritmit të furishëm të formave, veprat vendosen përballë një realiteti që nuk është vetëm i autorit, por i të gjithëve. Është reflektim i përbashkët mbi sfidat dhe zhgënjimet e një shoqërie që ende lufton për një stabilitet të munguar.
“I humburi”, është njëra prej veprave të ekspozitës. Autori ka vendosur përpara një pasqyre reflektive ku e kaluara dhe e tashmja përplasen në një dialog të vazhdueshëm, duke krijuar një tension të pashmangshëm ekzistencial. Aty humbja nuk trajtohet si një gjendje e thjeshtë individuale, por si një përvojë kolektive e një shoqërie që lëviz në errësirën e tranzicionit, duke u përpjekur të gjejë një busull orientuese në rrugëtimin e saj të pasigurt.

“Nga tradita”, futet në një udhëtim të kundërt – nga e tashmja drejt së kaluarës – duke e parë atë jo si një kujtim të largët, por si një strukturë të gjallë, e cila ende frymon dhe formëson realitetin e sotëm. Këtu, tradita nuk paraqitet thjesht si një rikthim nostalgjik apo një rikrijim skenik i së shkuarës, por si një puls i përhershëm që përshkon qenien kombëtare. Ngjyrat e forta, teksturat e theksuara dhe dinamika e formave krijojnë një ndjesi të fuqishme të vazhdimësisë kulturore, ku çdo detaj bëhet një simbol i transmetimit të vlerave nga një brez në tjetrin.
Piktori Refki Gollopeni, njëherësh kurator i ekspozitës, ka thënë se Anton Krasniqi është një emër i njohur i artit në Kosovë me të cilin ka ekspozuar në disa ekspozita kolektive përderisa ka qenë edhe kurator i ekspozitës së vjetme të tij në Berlin, dhe të asaj që pritet të hapet sivjet në Paris.
“Pra, Antoni veç ka filluar që t’i tejkalojë kufijtë e Kosovës. Është një artist që punon në cikle të ndryshme të pikturës. Sonte këtu kemi një cikël nga piktura abstrakte, është një lloj abstraksioni ekspresionist. Por, është me rëndësi të ceket se ai punon edhe në cikle të ndryshme siç është peizazhi imagjinativ, por edhe portrete dhe figura të ndryshme, të cilat normalisht si artist varion nëpër cikle të ndryshme të pikturës duke eksperimentuar”, ka thënë Gollopeni në vernisazhin e ekspozitës “Arkeologjia e shpirtit”. Është ndalur te titulli e të cilin e ka zbërthyer edhe me shprehjen e Picassos, i cili thotë se përmes artit hiqet pluhuri i emocionit, i shpirtit dhe konkretizohet me një realitet, qoftë ai abstrakt apo realizëm.
“Antoni në këtë rast është frymëzuar nga jeta e përditshme nga përjetimet që ne i kemi parë si komunitet, si shoqëri gjatë luftës, gjatë historisë sonë dhe vërehet një lloj qytetërimi. Nga rrënojat e atij qytetërimi dhe brenda atyre rrënojave ka një lloj shprese, një lloj përpjekjeje për mbijetesë, ka përpjekje për ringjallje dhe kjo e bën tërësinë e veprës së Antonit shumë interesante dhe e bën të ndryshëm nga piktorët e tjerë”, ka thënë ai.

“Arkeologjia e shpirtit” është një thirrje për të mos e harruar të kaluarën. Por ka edhe të tjera kuptime. “Lidhet edhe me historinë e popullit tonë, që mbijetesa ka qenë tradicionale dhe në këtë drejtim gjithmonë është bërë përpjekje, por sa herë është menduar që ka marrë fund diçka, ka filluar një rilindje ose ka filluar një ringjallje, kështu që ai e lidh edhe me filozofinë ose me edukimin si simbol i rilindjes, i paqes por edhe i qëndresës”, ka thënë Gallopeni.
Kritiku e dramaturgu Naser Shatrolli ka thënë se Anton Krasniqi është një artist që ka një përkushtim e ndjeshmëri ndaj asaj që trajton
“Është i pandashëm, shumë i lidhur me kulturën, është në vazhdimësi duke e kërkuar, si të thuash thellë e më thellë identitetin e tij krijues, që kjo është shumë e rëndësishme. Vërtet ka krijuar një pjekuri, një personalitet në kuadër të kësaj që ai po prezanton edhe sot por edhe në hapësira të tjera. E gjithë kjo është një punë e madhe, punë që kërkon vëmendje. Kemi tablo të përmasave dhe guximi i tij, kreativiteti i tij është prezent në mesin tonë. Është duke u pjekur në një stil unik dhe me një përmbajtje të qëndrueshme edhe tematike”, ka thënë Shatrolli.
Piktori Anton Krasniqi, ka thënë se së bashku me kuratorin Refki Gollopeni kanë rënë dakord që në këtë ekspozitë të jenë 20 punime dhe të titullohet “Arkeologjia e shpirtit”.

“Këto punime janë të viteve të fundit, çdo gjë e paraqitur në pikturë është e menduar dhe janë paraqitur vuajtjet e paraluftës dhe të pasluftës me zhurmë, moszhvillimin, pakënaqësinë në çdo aspekt. Për këtë arsye e kam paraqitur zhurmën, pakënaqësinë e vendit tonë, si para luftës, si pas luftës. Ne kemi shpresuar se pas luftës do të ecim me një hap më të madh, por kemi stagnuar dhe unë gjithmonë në pikturat e mia abstrakte i paraqes ato vuajtjet, zhurmat, papastërtitë, ato çfarë i mundon 90 për qind të kombit”, ka thënë Krasniqi, i diplomuar për pikturë në Fakultetin e Arteve, në klasën e profesorit Rexhep Ferri në vitin 2004, ndërsa titullin Master e ka marrë në Universitetin e Prishtinës në vitin 2009. Ka marrë pjesë në 35 ekspozita kolektive e “Arkeologjia e shpirtit” është ekspozita e tij e 11-të personale. Veprat e tij kanë tejkaluar kufijtë kombëtarë dhe rajonalë, duke udhëtuar në Austri, Gjermani, ndërsa aktualisht ai është në prag të organizimit të një ekspozite në Paris. Ai nuk kufizohet vetëm te stili abstrakt e cikli i portreteve ka peshë në krijimtarinë e tij.
“Në përgjithësi, kombi ynë mburret me figurat kombëtare edhe unë si pjesë e kombit jam krenar me çdo gjë që ka të bëjë me figurat kombëtare. Më emocionon dhe më jep siguri e njëfarë peshe të madhe kur pikturoj këto figura”, ka thënë Krasniqi. Edhe ky është një lloj gërmimi në kujtesë, njësoj sikurse “Arkeologjia e shpirtit” që sapo ka nisur rrugëtimin në “Hanin e 2 Robertëve”.