Kulturë

“Arkeologjia e Ballkanit” gërmon rezultate, zbulon sfida e kritika

Në Konferencën Ndërkombëtare “Arkeologjia e Ballkanit” që ka nisur punimet të enjten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, mbi 30 studiues të kësaj fushë janë bërë bashkë për ta nxjerrë në pah veprimtarinë e tyre hulumtuese e shkencore. Kanë folur për gjetjet, peshën e tyre e të arkeologjisë. Por po aty kanë zënë vend edhe kritikat në adresë të institucioneve

Një pjesë e parahistorisë bashkë me vazhdimësinë deri në përfundim të antikitetit, kanë nisur të shpërfaqen nëpërmjet gjetjeve arkeologjike në një takim treditor të studiuesve vendas, të rajonit e shteteve të tjera. Nën temën “Arkeologjia e Ballkanit” arkeologët do të shpërfaqin imazhe të gjetjeve arkeologjike, të dhëna për to, hapësirat ku janë gjetur e deri te metodologjitë e punës. Në Konferencën Ndërkombëtare që ka nisur punimet të enjten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, mbi 30 studiues të kësaj fushë janë bërë bashkë për ta nxjerrë në pah veprimtarinë e tyre hulumtuese e shkencore.

Nën organizim të Ministrisë së Kulturës, njëkohësisht financuese, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Institutin Arkeologjik të Kosovës e Ecole Normale Superieure nga Parisi, konferenca është përshkruar si një mundësi e mirë e avancimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare e po ashtu e prezantimit të potencialit arkeologjik të Kosovës dhe krejt Ballkanit. Luljeta Plakolli-Kasumi, ushtruese e detyrës së rektorit të Universitetit të Prishtinës, ka thënë se bashkëpunimi i institucionit që ajo udhëheq me vendet e rajonit, daton qysh herët. Ka thënë se organizimi i kësaj konference akademike-shkencore, është fryt i një bashkëpunimit të autoriteteve të Kosovës me ato perëndimore në fushën e studimeve arkeologjike.

“Sa i përket Universitetit të Prishtinës, bashkëpunimi zë fill që në vitin 2002 dhe 2004 në Apolloni, ku studentët e UP-së, kishin mundësi të për[1]fitojnë nga trajnimet në terren në kuadër të projekteve arkeologjike që zhvilloheshin atje dhe iu mundësua të vazhdojnë studimet e specializuara në fushën e arkeologjisë në shumë vende të botës”, ka thënë Plakolli-Kasumi. Ka numëruar një numër marrëveshjes që ka UP-ja me institucione të ndryshme edukative, përfshirë atë me Ecole Normale Superieure nga Parisi për bashkëpunim në hulumtime arkeologjike e po ashtu për mundësinë që studentët të ndjekin studimet atje.

Në emër të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, këshilltarja e tij, Nora Arapi-Krasniqi ka thënë se në veçanti trashëgimia e pasur arkeologjike jep dëshmi për lashtësinë e civilizimit në këto anë. Sipas saj, kjo fushë duhet të trajtohet me kujdes dhe vëmendje të veçantë.

“Krahas përnjohjes, hulumtimit dhe dokumentimit, publikimi dhe promovimi i rezultateve kanë një rëndësi të veçantë. Si në promovimin në aspekt shkencor e akademik, por edhe në vetëdijesimin e publikut më të gjerë për vlerat potencialet dhe rëndësinë e trashëgimisë arkeologjike”, ka thënë ajo. Por pikërisht Ministria e Kulturës është kritikuar nga profesionistët sa i përket qasjes ndaj trashëgimisë arkeologjike. Deputeti Ardian Gola në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ka thënë se për shtetin e Kosovës rezultatet në fushën e arkeologjisë janë me interes të shumëfishtë. Sipas tij, në aspektin historik shpaloset ekzistenca e popujve që jetojnë në këtë hapësirë.

“Në interesin shkencor Kosova me potencialin që ka është njëlloj parajse për shumë studiues e shkencëtarë”, ka thënë ai. Ka përmendur potencialin turistik që mund të ngjallë arkeologjia dhe ka shkuar deri te mundësia që kjo fushë të krijojë edhe hapësirë për dialog midis identiteteve.

“Pastaj ka interes politik e kulturor pasi arkeologjia na shpalos ekzistenca identitare gjatë historisë, duke na ndihmuar që si shtet demokratik e liberal të kemi hapësirë vetëreflektuese ku identitetet komunikojnë e njihen më mirë midis vete, duke mos u shndërruar në burim konflikti nëpërmjet barrikadimit”, ka thënë Gola.

Në emër të organizatorëve ka folur drejtuesi i laboratorit “Aoroc” e profesori i Ecole Normale Superieure, Christophe Goddard. Ai ka thënë se janë shumë të lumtur që janë bashkë me kolegë nga vende të ndryshme. “Objektivi kryesor është të sh[1]palosim rezultate. Arkeologjia përdor disiplina të ndryshme sot. Tash ne mund të shohim se si jetonin njerëz[1]it, e po ashtu edhe çfarë përdorin si ushqim”, ka thënë ai në emër të organizatorëve ku bëjnë pjesë edhe profesori i arkeologjisë, Arben Hajdari e drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, Vjollca Aliu.

“Ne duhet të mblidhemi të flasim për metodat e rezultatet. Duhet t'i përshtatemi asaj që gjejmë. Të diskutosh për rezultate do të thotë të flasim për metoda. Duhet të bashkohemi edhe me gjeneratat e reja”, ka thënë ai. Parahistoria ka zënë vend e para në prezantimet që janë mbajtur në ditën e parë. Një vështrim për zbulimet e kohës së neolitit në Shqipëri e ka paraqitur Edlira Andoni nga Instituti i Arkeologjisë nëpërmjet kumtesës së përgatitur së bashku me kolegun, Ilir Gjipali. Për rezultate arkeologjike bashkë me të dhënat e lokaliteteve të kohës bronzit në Kosovë ka folur Adem Bunguri, arkeolog i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë. Për një periudhë të gjatë ai bashkë me kolegët nga Kosova kanë punuar pasluftës në vendbanime të ndryshme të periudhës së bronzit. Michael Galaty nga Universiteti i Michiganit ka shpalosur gjetje arkeologjike gjatë përnjohjeve në Komunën e Pejës dhe Istogut bashkë me Haxhi Mehmetajn e Syvia Deskajn. Arkeologu Shafi Gashi ka shpalosur të dhënat bashkë me gjetjet arkeologjike të vendbanimit parahistorik të Dobratinit. Ai me bashkëpunëtorë kishte gërmuar në kuadër të punimeve që po bëheshin për rregullimin e autostradës Prishtinë-Gjilan. Ka kritikuar institucionet sa i përket qasjes që kanë ndaj gjetjeve arkeologjike që dalin në pah derisa kryhen punë infrastrukturore. Por Gashi nuk i ka kursyer kritikat as në raport me Ministrinë e Kulturës që si institucion, deklarativisht në hapje të Konferencës ofronte përkrahje për arkeologjinë.

Qysh prej vitit 2018, Instituti Arkeologjik i Kosovës nuk ka arritur të çojë përpara projektet vjetore. Ritmi i ulët i punës ka vazhduar shkaku i procedurave administrative e mospërkrahjes logjistike. “Në pesë a gjashtë vjetët e fundit është një rrëmujë e madhe në financimin e arkeologjisë. Shpresoj që Ministria të dalë nga kjo gjendje”, ka thënë Gashi. Gjatë ditës së enjte arkeologë e studiues si Premtim Alaja, Kriledjan Çipa, Kujtim Mani, François Quantin, Emine Hajdari e Ilir Culaj kanë shpalosur gjetje arkeologjike, kanë interpretuar ato e kanë folur për mbishkrime. Sot (e premte) do të prezantohen kumtesa për qytete helene e romake bashkë me punimet që nxjerrin në pah të dhënat për antikitetin e vonë. Kurse, të shtunën pjesëmarrësit do të vizitojnë Parkun Arkeologjik të Ulpianës, Manastirin e Graçanicës e Kalanë e Prizrenit.