Ansambli vokal “ReMusica”, nën dirigjimin e Rafet Rudit, do ta mbyllë festivalin “La Semaine du Son – De week van de Klank” në Bruksel me koncertin “Vitrail Albanese”. Aktivitetet nga “ReMusica” janë vlerësuar nga festivali belg si “një mundësi unike për të zbuluar lidhjen midis një tradite të pasur dhe të lashtë dhe tendencave të reja në muzikën bashkëkohore”
Xhevahiret historike të muzikës së hershme shqiptare e deri më sot do të shpalosen para publikut belg në kuadër të edicionit të 20-të të festivalit “La Semaine du Son – De week van de Klank” në Bruksel. Ansambli vokal “ReMusica”, nën dirigjimin e Rafet Rudit, do ta mbyllë festivalin me koncertin “Vitrail Albanese” më 5 shkurt. Një panel diskutimi me Rudin dhe me mjeshtrin belg të korit, David Baltuch, përfshihet, po ashtu, në programin e planifikuar për ditën e parafundit të festivalit. Aktivitetet nga “ReMusica” janë vlerësuar nga festivali belg si “një mundësi unike për të zbuluar lidhjen midis një tradite të pasur dhe të lashtë dhe tendencave të reja në muzikën bashkëkohore”.
Programi i ansamblit vokal do të zhytet në thesarin e muzikës shqiptare. Këngë të shekujve 13 dhe 14 të kompozitorëve Gjergj Danush Lapacaj e Jan Kukuzeli do të pasqyrojnë traditën e hershme kombëtare për kultivimin e këngës para publikut belg. Ato do të gërshetohen me veprat e krijuesve si Memli Kelmendi e Mendi Mengjiqi, ndërkohë në program do të përfshihet edhe repertori modern botëror. Nga organizatorët është bërë e ditur se të gjitha biletat për të ndjekur koncertin në “Flagey” - qendrën më të rëndësishme kulturore në Bruksel - veçse janë shitur.
Një tjetër hapësirë në kuadër të festivalit me traditë 20-vjeçare, “La Semaine du Son” është rezervuar për diskutim mbi temën “Muzika shqiptare mes traditës arkaike ballkanike dhe modernitetit evropian”. Diskutimi do të mbahet më 4 shkurt me protagonistë kompozitorin e dirigjentin Rafet Rudi dhe pianistin, kompozitorin e dirigjentin belg David Baltusch. Baltusch, po ashtu, drejton korin belg dhe për sukseset e tij ka marrë diploma të shumta në piano, teori muzike, orkestrim, dirigjim, muzikë dhome e kontrapunk. Diskutimi gjithashtu do të mbahet në qendrën “Flagey” dhe vjen edhe si njohje e publikut me muzikën shqiptare një ditë para koncertit “Vitrail Albanese”.
Në një përgjigje për KOHËN, Rudi ka njoftuar se organizatorëve u është dashur ta bartin diskutimin e planifikuar në një sallë më të madhe për shkak të interesimit të madh të publikut. Ai ka bërë të ditur se e tërë biseda do të zhvillohet rreth programit të koncertit. “Ky do të jetë prezantimi i parë i një ansambli kosovar atje. Do të jetë mundësi e mirë për të njohur publikun atje me potencialin tonë interpretativ”, është shprehur Rudi.
Rafet Rudi është anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve dhe një nga personalitetet më të shquara dhe aktive të dekadave të fundit në skenën muzikore kosovare. Nën drejtimin e tij, Kori dhe Orkestra e Filarmonisë së Kosovës kanë interpretuar një sërë veprash të rëndësishme vokale dhe instrumentale.
Në program përfshihen “Psalt” e Jan Kukuzeli, “Të falemi o dhe” e Rauf Dhomit, “Ater umbra” e Memli Kelmendit, “OEIA” e Mendi Mengjiqit, si dhe kënga tradicionale “Janinës ç’i panë sytë”. Ndërkohë do të interpretohen edhe vepra të autorëve botërorë si “Stars” e lituanit Erics Esenvalds, spanjollit Tomas Luis de Victoria, “Haec dies” e anglezit Ëilliam Byrd, “The Lamb” e anglezit tjetër John Tavener, “Amor” e italianit Claudio Monteverdi dhe kënga tradicionale “An Irish Blessing”.
Drejtoresha artistike e “ReMusica”, Donika Rudi, është shprehur se festivali promovon tash e 22 vjet artistët vendorë dhe se krijon kushte bashkëpunimi me artistë ndërkombëtarë me fokus në kompozitorët e rinj. Sipas saj, vetë formimi i festivalit dhe ansamblit ka pasur mision kompozitorët kosovarë në botë dhe jo vetëm. “Duke ditur se koncerti i ‘ReMusica Vocal Ensemble’ do të mbahet pikërisht në vendin më të rëndësishëm të skenës muzikore në Bruksel, ku gjatë vitit qarkullojnë emrat eminentë të skenës ndërkombëtare, përfshirë instrumentistët dhe orkestrat më të rëndësishme botërore, na bën tejet krenarë dhe të nderuar”, ka thënë Rudi për KOHËN nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.
Pos në Belgjikë, festivali “La Semaine du Son” organizohet edhe në shtete të tjera si në Francë, Meksikë e Argjentinë. Edicionin e këtij viti, të 20-tin me radhë, do ta fillojë më 30 janar dhe do të përmbyllet më 5 shkurt. Muzika, kinemaja, takimet e festivalet janë në fokus të Festivalit gjatë këtij edicioni, sipas tyre.
Koncerti “Vitrail Albanese” është pjesë e programit “The Week of Sound të “Flagey”. Tetë anëtarët e ansamblit vokal kosovar “ReMusica” do të interpretojnë në një nga sallat kryesore koncertale të Brukselit. Shaban Behramaj, anëtar i ansamblit “ReMusica”, ka thënë se janë në përgatitje intensive para koncertit dhe se janë tejet të entuziazmuar për të interpretuar para publikut belg. “Ansambli ‘ReMusica’ ka një rëndësi të veçantë. Përmes tij synojmë promovimin e kulturës dhe muzikën tonë, kompozitorët tanë, dhe përfaqësimin e vendit tonë denjësisht në skenën ndërkombëtare duke mos harruar shtëpinë e vet, të cilës i takon, festivalit ‘ReMusica’. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ansambli të udhëhequr nga profesori Rafet Rudi”, ka thënë Behramaj, i cili është edhe koordinator i festivalit “ReMusica”.
Pjesë e ansamblit janë edhe Kaltrina Miftari, Shkurte Hykaj-Rexhepi, Diellza Sylejmani, Safet Berisha, Nikollë Gjini, Etrit Nura dhe Rizah Jahaj.
“Flagey” është shtëpi kulturore në Bruksel e përkushtuar ndaj muzikës dhe imazhit lëvizës. “E vendosur në buzë të sheshit ‘Flagey’ dhe pranë pellgjeve të Ixelles, kjo ndërtesë – dikur selia e institucionit kombëtar të radiotelevizionit – tani më shumë se kurrë është kthyer në një udhëkryq ku disiplinat artistike mund të takohen dhe shkëmbejnë ide.”, shkruhet për këtë qendër në ueb faqen e tyre.
Ansambli vokal “ReMusica” karakterizohet për repertorin e tij të gjerë modern shqiptar e deri tek ai botëror bashkëkohor. Për drejtoreshën e tyre Donika Rudin, skena kulturore belge është e njohur. Në tetorin e kaluar, vepra e kompozuar nga ajo “Vajtimi i Tokës” ishte prezantuar para publikut atje në kuadër të “Oortreders Festival”. Cikli i veprave audio-vizuale kushtuar efekteve të ndryshimeve klimatike ishte thirrje për ndërgjegjësim dhe kujdes ndaj planetit, me fokus në shtjellimin e eksperiencave tingullore edhe për ata që nuk i dëgjojnë ato. Para publikut vendor ishte dhënë në qershor, në Parkun e Qytetit në Prishtinë, në kuadër të edicionit të tetë të festivalit të artit në hapësirë publike, “HAPU”.
Koncerti “Vitrail Albanese” në festivalin “La Semaine du Son - De week van de Klank” mbështetet nga Presidenca e Republikës së Kosovës.