Kulturë

Ansambli Kombëtar i Shqipërisë në rikthim historik pas mungesës 30-vjeçare

Ka tri dekada që Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë nuk ka performuar para publikut në Kosovë. E turneun historik e ka nisur nga Prizreni dhe ka disa arsye për këtë. Koncerti është cilësuar si mbrëmje e emocioneve, dashurisë e mallit si për mjeshtrit që kanë gjurmë ashtu edhe për prezantimin e artistëve të rinj që kanë marrë mbi supe përgjegjësinë për ruajtjen e bartjen e kësaj tradite të folklorit popullor

Turneu historik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë ka nisur në Prizren. Para audiencës së pranishme në sallën e shtëpisë së kulturës “Xhemajli Berisha” trupa e këtij ansambli në 100 minuta program, të hënën mbrëma, ka shpalosur vlerat e folklorit popullor që ruhen, kultivohen e promovohen nga artistët e ansamblit tash e 65 vjet me radhë.

Por, sipas mysafirëve, ka 30 vjet që ky ansambël nuk ka performuar para publikut në Kosovë. Madje edhe prezantuesi i koncertit festiv ka theksuar se nuk i di arsyet për këtë ndërprerje 30-vjeçare, për t’u zotuar menjëherë se më nuk do të ketë ndarje të tilla. E ka ftuar publikun që të jetë i gatshëm për një udhëtim nëpër gjithë shqiptarinë, me këngët dhe vallet perla të kombit shqiptar.

“Në 65-vjetorin e krijimit të Teatrit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, të baletit, operës shqiptare ndërmerret ky turne, i cili ka vetëm një synim: të ruajë traditat e vërteta, të ruajë muzikën e vërtetë shqiptare dhe ta çojë atë kudo ku ka shqiptarë, por edhe më tej”, ka thënë Klevis Salihaj.

Ndërkohë mbrëmjen muzikore e ka cilësuar si mbrëmje të emocioneve, dashurisë e mallit si për mjeshtrit që dhanë shpirtin në skenë, ashtu edhe për prezantimin e artistëve të rinj që kanë marrë mbi supe përgjegjësinë për ruajtjen e bartjen e kësaj tradite të folklorit popullor.

Image

Programi ka vijuar në formë homazhi për të sjellë kujtimet për Nexhmije Pagarushën bashkë me këngën për “Zambakun e Prizrenit”, të interpretuar nga Malvina Likaj me orkestrën e drejtuar nga Vladimir Hasimi.

Iris Bega ka interpretuar këngët “Dy lule mas malit” dhe “Jam bandillë”, derisa Adela Bezhani është paraqitur me këngën “Ma fal atë buzëqeshje”. Krahas këngëve të interpretuara nga solistët e rinj, por edhe me përvojë shumëvjeçare të këtij Ansambli, festa është kompletuar edhe me vallet e ndryshme nga trevat shqiptare, si “Vallja Çame”, “Vallja e Rugovës”, “Vallja e Tiranës”, e të tjera.

Për të dëshmuar afërsinë dhe bashkëpunimin me artistët nga Kosova, në këtë koncert i është krijuar hapësirë edhe artistit Artan Bakija që ka interpretuar këngët “Të deshta me hakikat” dhe “Jalla mor bylbyl o”.

Drejtori i Ansamblit Popullor, Sokol Marsi, gjatë paraqitjes para gazetarëve, disa orë para koncertit, ka theksuar se ky turne fillon nga Prizreni meqë bëhet fjalë për qytetin e rilindjes shqiptare, me parakalimin nga Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit si simbol i gjithë shqiptarisë.

“Ky është quajtur turne historik për faktin sepse kjo mënyrë e organizimit mungonte prej vitesh. Gati 30 vjet ka që Ansambli Kombëtar nuk ka bërë një turne të tillë”, ka thënë ai. Njëherësh ka shtuar se është emocion i veçantë takimi me publikun në trevat shqiptare për të kremtuar këngët dhe vallet e folklorit të pasur kombëtar.

“Trashëgimia jonë shpirtërore është nga më të bukurat në botë, kështu që le të festojmë sonte dhe të themi se festë të madhe ka shqiptaria”, është shprehur Marsi.

Në hapje të koncertit drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prizrenit, Adem Morina, ka pohuar rëndësinë e takimeve të tilla artistike.

“Jo rastësisht Ansambli i Këngëve dhe Valleve turneun e tij po e fillon në Prizren, sepse nga këtu nisi themelet shtetësia e Shqipërisë së madhe që nga viti 1878, nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Andaj është kënaqësi të jemi sonte nën tingujt e këngëve dhe valleve të ansamblit të Shqipërisë”, ka deklaruar ai.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka theksuar se Prizreni natyrshëm është adresa e parë për nisjen e një turi të tillë, për shkak të kontributit historik për rritjen e frymës patriotike.

“Të flasim në këtë skenë sonte është shumë e vështirë, sepse është një qytet që bart më vete një histori të gjithanshme, një histori bashkimi, një histori që u përsërit pas Skënderbeut vetëm në Prizrenin historik, në 1878-n arritëm që të kemi fjalën e përbashkët bashkim-lidhje. Është një ndjesi e jashtëzakonshme që ky qytet ngeli kryeqendra shqiptare për dekada e dekada me radhë duke dhënë një ndihmesë shumë të madhe për rritjen e frymës patriotike në gjitha trevat shqiptare kudo. Prizreni është kthyer tashmë në një legjendë, është një realitet historik dhe jam shumë i lumtur që gjeta gatishmërinë e kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj, për ta filluar këtë udhëtim të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore pikërisht nga Prizreni. Besoj që me këngët dhe vallet nuk do të përcjellim vetëm këtu frymën muzikore, por besoj që artistët nga Shqipëria nga pjesa tjetër e atdheut sjellin më vete edhe atë gulçin e madh patriotik”, ka thënë Minxhozi, duke uruar një natë magjike për publikun e pranishëm.

Programi artistik që bazohet në krijimet e bukura të muzikës së kultivuar nga të gjitha trevat shqiptare si dhe në folklorin e pasur kombëtar nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore pas Prizrenit prezantohet edhe në Gjakovë, në Gjilan dhe në Shkup.