Kulturë

“Anora” – fituesi i madh në “Oscars” që ringjall fuqinë e filmit

Ekipi i filmit “Anora”, fituesit kryesor të çmimeve “Oscar” për sivjet

Ekipi i filmit “Anora”, fituesit kryesor të çmimeve “Oscar” për sivjet

Foto: Associated Press

Sean Baker i filmit “Anora” bën histori në “Oscars 2025” me pesë trofe. Ka shfrytëzuar fjalimin e tij për të shprehur pasionin për përvojën e kinemasë duke thënë: “Ku kemi rënë në dashuri me filmat? Në kinema apo jo. Regjisorët e “No Other Land”, i shpallur “Dokumentari më i mirë” gjatë mbrëmjes, bënë deklaratë në mbështetje të të drejtave palestineze, ndërsa artistë të tjerë i thyen barrierat në diversitetin e filmit. E filmi danez me aktorin shqiptar, u mposht në garën e fortë. Pa “Oscar” mbeti edhe filmi kroat që denoncon krimet e Serbisë

Fituesit e edicionit të 97-të të ceremonisë prestigjioze “Oscar” janë shpallur të dielën mbrëma në Hollywood dhe gara e sivjetme për çmime akademike ka qenë goxha e ngushtë, në veçanti ajo mes tre filmave, “Anora” nga Sean Baker, “The Brutalist” nga Brady Corbet dhe “Conclave” nga Edward Berger.

Përfundimisht, filmi i zhanrit dramë, komedi dhe romancë, “Anora”, ishte triumfuesi kryesor me rrëmbimin e pesë çmimeve, nga gjashtë kategoritë ku ishte nominuar, përfshirë këtu edhe çmimin e madh të mbrëmjes atë “Filmi më i mirë i vitit”.

Mishërimi i pastërtisë kinematografike

Për një industri filmi që është transformuar nga platformat digjitale dhe është përulur nga trazirat ekonomike, regjisori Baker dhe filmi i tij “Anora” e mishëruan një lloj pastërtie kinematografike.
Duke i fituar personalisht katër prej çmimeve “Oscar”, atë “Filmi më i mirë”, “Regjisori më i mirë”, “Skenari më i mirë origjinal” dhe “Montazhi më e mirë”, Sean Baker e barazoi rekordin që e mbante Walt Disney, i cili në vitin 1954 kishte fituar katër trofe “Oscar” brenda natës, për katër filma të ndryshëm. 

“Rroftë filmi i pavarur”, ka brohoritur Baker nga skena e teatrit ikonik “Dolby”. Po ashtu, e ka shfrytëzuar fjalimin e tij për të shprehur pasionin për përvojën e kinemasë duke thënë: “Ku kemi rënë në dashuri me filmat? Në kinema apo jo. Regjisorë, ju lutem që të vazhdoni të realizoni filma për ekran ta madh”.
Fiks 22 vjet pasi mori çmimin “Oscar” duke u shpallur “Aktori më i mirë” për rolin në filmin, “The Pianist”, Adrien Brody e rrëmbeu të njëjtin çmim të dielën mbrëma, kësaj radhe për performancën e jashtëzakonshme të një tjetër të mbijetuari të Holocaustit në filmin epik të regjisorit Brady Corbet, “The Brutalist”.

Nga e majta: Adrien Brody, fitues i “Oscarit” për aktorin më të mirë për rolin në “The Brutalist", Mikey Madison, fituese për aktoren më të mirë për rolin në “Anora”, Zoe Saldana, fituese e çmimit për aktoren më të mirë në rol dytësor për “Emilia Perez”, dhe Kieran Culkin për aktorin më të mirë në rol dytësor për filmin “A Real Pain”

Thirrja kundër urrejtjes

Megjithëse ishte parashikuar si fitues i mundshëm i kësaj kategorie, marrë parasysh suksesin në ceremonitë e tjera të sezonit të shpërblimeve, Brody arriti të triumfojë krahas yllit të filmit “A Complete Unknown”, Timothée Chalamet, i cili pati rastin të bëhet aktori më i ri në moshë që e rrëmben çmimin akademik në kategorinë “Aktori më i mirë”. Këtë rekord vazhdon ta mbajë Brody, i cili ishte gati 30-vjeçar kur u shpërblye për filmin “The Pianist”.

“Jam këtu edhe një herë për të përfaqësuar traumat e vazhdueshme dhe pasojat e luftës dhe shtypjes sistematike si dhe të antisemitizmit, racizmit dhe të tjerave”, ka thënë Brody. “Lutem për një botë më të shëndetshme, më të lumtur dhe më gjithëpërfshirëse. Nëse e kaluara mund të na mësojë diçka, është të mos e lëmë urrejtjen të kalojë pa u kontrolluar”. 

Gara e ngushtë për kategorinë “Aktorja më e mirë” u zhvillua mes yllit Hollywoodian, Demi Moore dhe aktores relativisht të re për publikun, Mikey Madison. Megjithëse pritjet ishin që 62-vjeçarja, Moore ta rrëmbente “Oscarin” e parë të karrierës, për performancën e shkëlqyer në filmin “The Substance”, shumica mbetën të habitur kur si fituese u thirr emri i Mikey Madisonit. Ajo u vlerësua nga votuesit e “Academy Awards” për portretizimin e prostitutës që martohet me djalin e një oligarku rus, në filmin “Anora”. 

Në kategoritë “Aktori dhe aktorja më e mirë në rol dytësor”, nuk pati befasi gjatë mbrëmjes. Çmimet i morën aktorët që ishin parashikuar nga ekspertët, por edhe publiku në përgjithësi. 

Kieran Culkin u vlerësua për performancën e veçantë krahas Jesse Eisenbergut në dramën “A Real Pain”. Ishte çmimi i parë që u nda gjatë mbrëmjes, dhe trofeun në skenë ia dhuroi ylli i kinematografisë, Robert Downey Jr.

“Nuk e kam idenë se si kam arritur këtu. Thjesht kam gjithë jetën që aktroj”, ka deklaruar deklaroi Culkin para të pranishmëve i kapluar nga emocionet.

Zoe Saldaña e mori çmimin e parë “Oscar” të karrierës, duke u shpallur “Aktorja më e mirë në rol dytësor” për rolin në filmin “Emilia Perez”. Në po këtë kategori kishte triumfuar edhe në ceremonitë e kaluara, “Globi i Artë”, “BAFTA”, “Critics Choice Awards” dhe “SAG”. Para të pranishmëve, aktorja u shpreh krenare që vjen nga një familje emigrantësh dhe se po fiton çmim “Oscar” pikërisht me një film ku ajo flet dhe këndon në gjuhën spanjolle. 

Çmimi për skenarin më të mirë të adaptuar e mori filmi “Conclave”. Skenari i filmit intrigues, historia e të cilit zë vend në Vatikan, u shkrua nga autori dhe dramaturgu britanik, Peter Straughan, bazuar në romanin e vitit 2016 me të njëjtin emër nga romancieri, Robert Harris. Të dy, Straughan dhe Harris, janë veteranë të zhanrit triler.

Regjisorët Basel Adra dhe Yuval Abraham, fitues të çmimit “Oscar” për dokumentarin më të mirë për filmin “No Other Land”

Gara e fuqishme e humbur nga filmi danez me aktorin shqiptar

Çmimin “Oscar” për filmin më të mirë ndërkombëtar sivjet e rrëmbeu drama braziliane, “I’m Still Here”. Ky projekt garonte edhe për çmimin kryesor të mbrëmjes, atë “Filmi më i mirë” dhe protagonistja e tij, Fernanda Torres, konsiderohej pretendente e denjë për t’u shpallur “Aktorja më e mirë”, për performancën e shkëlqyer në film. “I'm Still Here” është një dramë politike e bazuar në historinë e vërtetë të Eunice Paiva, burri i së cilës, Rubens, u “zhduk” dhe u vra në Brazilin e viteve ‘70. 
Ky projekt arriti ta mundë konkurrencën e fortë në këtë kategori të përbërë nga filmi danez ku luan dhe aktori shqiptar, Besir Zeçiri, “The Girl With the Needle”, drama ligjore e vendosur në Iran, “The Seed of the Sacred Fig” dhe mjuziklli “Emilia Pérez”, e që kishte qenë favoriti i ekspertëve për ta rrëmbyer çmimin.

Shfaqja e realitetit për fatin e palestinezëve

Në kategorinë “Dokumentari më i mirë” triumfoi “No Other Land”.  

Filmi tregon shkatërrimin e fshatrave palestineze në Bregun Perëndimor, prej nga vjen njëri nga regjisorët e filmit, Basel Adra. Ai u bashkua me gazetarin izraelit, Yuval Abraham, për të kapur sulmet e dhunshme që trupat izraelite kryejnë mbi Masafer Yatta, duke dëbuar banorët palestinezë nga shtëpitë e tyre dhe duke djegur ndërtesat deri në themel. Me të dalë në skenë për ta pranuar çmimin, regjisorët vendosën t’i bëjnë thirrje publikut mbarëbotëror që t’i bëjnë presion Izraelit për t’i dhënë fund abuzimit me të drejtat njerëzore. 

“Filmi ‘No Other Land’ reflekton mbi realitetin e ashpër që e kemi përjetuar dhe duruar me dekada. Sonte po i bëjmë thirrje botës që të ndërmarrë masa serioze për ta ndaluar padrejtësinë ndaj popullit tonë dhe për t’i dhënë fund spastrimit etnik ndaj njerëzve të Palestinës”, ka thënë Adra.

“The Brutalist”, një prej filmave më të nominuar të këtij edicioni dhe një prej favoritëve të kritikëve për t’u nderuar me disa prej çmimeve kryesore, fitoi “Oscar” në kategorinë “Kinematografia më e mirë” dhe “Muzika më e mirë në film”. Çmimin për “Këngën më të mirë origjinale” e mori “El Mal”, kolona zanore e filmit “Emilia Pérez”. Befasia e mbrëmjes ishte shpallja e filmit nga Letonia, “Flow”, si fitues i çmimit “Filmi më i mirë i animuar”, duke e mundur favoritin e ekspertëve, “The Wild Robot”.

Sean Baker, regjisor i “Anoras”, fitues i pesëfishtë në “Oscars”

Pyetja për njeriun mposht denoncimin e krimeve të Serbisë

Në garën për filmin më të mirë të shkurtër, ka triumfuar “I’m Not a Robot” i regjisores holandeze  Victoria Warmerdam. Titulli surrealist që luan me pyetjen se kush është njeriu, ka mposhtur edhe filmin kroat “Njeriu që s’mundi të heshtë” i cili denoncon krimet e Serbisë. Risjell në ekran historinë që ndodhi në tren, kur lufta shpërtheu në ish-Jugosllavi. Risjell historinë e Tomo Buzovit tek hipi në një tren në Beograd, mëngjesin e 27 shkurtit të vitit 1993, duke marrë rrugë për në Mal të Zi për ta vizituar të birin. Ai nuk kishte si ta dinte se çfarë do të ndodhte dhe se guximi i tij do të kujtohej edhe sot. Ndërsa treni kalonte nëpër Bosnjën që sapo kishte fituar pavarësinë, ai u ndal papritur dhe u mbush me anëtarë të forcave paramilitare serbe. Këta burra të armatosur kalonin nga vagoni në vagon duke kërkuar të dinin etninë dhe identitetin fetar të çdo pasagjeri. Dhe vetëm një person, nga më shumë se 500 pasagjerë iu kundërvu atyre. Ishte Tomo Buzov. Ai vetë nuk ishte mysliman, por nuk mund të qëndronte pa bërë asgjë, teksa vëzhgonte këtë spastrim etnik të tmerrshëm që po ndodhte.
Ceremonia u hap me dy prej zërave më të fuqishëm në skenën e muzikës, Ariana Grande dhe Cynthia Erivo. Para yjeve të pranishëm i interpretuan disa prej këngëve klasike si, “Somewhere Over the Rainbow”, “Home” dhe “Defying Gravity”. Gjatë mbrëmjes interpretuan edhe këngëtaret, Doja Cat, Raye dhe Lisa, nga grupi “Blackpink”.

Lëvdata për një punë të mrekullueshme mori edhe prezantuesi i edicionit të 97-të të “Oscars”, Conan O’Brien. Sa herë që ishte në skenë, O’Brien balanconte humorin me një dashuri të dukshme për filmat dhe dhembshuri për një industri, ku kohët e fundit shumë njerëz pësuan humbje si pasojë e zjarreve që shkatërruan Los Angelesin. Duke qenë një prezantues që nuk e merr veten shumë seriozisht, ai ia mundësoi çdo mysafiri të relaksohet dhe të argëtohet në ngjarjen më të rëndësishme të filmit në botë.