Përderisa publiku ia mësyn sallës, personazhi kryesor i shfaqjes qëndron në skaj të skenës. I ulur në një pjesë të shtëpisë së tij, duket sikur është thelluar në mendime dhe po përgatitet për diçka.
Posa publiku rehatohet në sallë, duke vrapuar ngjitet në skenë ish-gruaja e tij (Xhejlane Tërbunja). E në këtë rast oboisti (Mentor Zymberaj) zgjohet nga bota e mendimeve, shkruan sot “Koha Ditore”. Të rrethuar me instrumente muzikore e shumë gazeta, në të cilat shkruhet për sukseset e oboistit, personazhet nisin të rrëfejnë një dramë jetësore dhe psikologjike që i ka përcjellë për vite me radhë.
Lënë të kuptojnë se dikur ishin martuar dhe madje kanë edhe fëmijë. Xhorxho, që është i biri i tyre, kur përmendet bëhet edhe shkas i dialogëve të nxehtë. Të ndarë para shumë kohësh, ata nisin të akuzojnë njëri-tjetrin për arsyet e këtij epilogu martesor. Diskutimet shpesh marrin kahe të ashpër dhe akuzat deri në amoralitet nuk mungojnë.
Shpërfaqet jeta e një artisti, i cili kishte humbur shumë gjatë viteve sherri i kushteve sociale e ekonomike. Një pjesë të fajit e ka edhe vetë ai. Por janë dy gjëra që në shfaqjen “Anonimi i Venedikut” me tekst të Giuseppe Bertos dhe regji të Drita Begollit, e dhënë premierë të hënën në teatrin e qytetit të Prishtinës, “Dodona”, i bashkojnë ish-bashkëshortët: dashuria dhe sëmundja. Pak para se gruaja të ikë, oboisti tregon që tashmë i ka ditët e numëruara, pasi është disgnostifikuar me tumor në kokë.
Në këtë rast situata përmbyset krejtësisht. Që të dy rrëfejnë se gjithmonë e kanë dashur njëri-tjetrin. E këto momente bëjnë që shumë gjëra të harrohen dhe sëmundja të konceptohet si diçka më e lehtë pavarësisht që fundi është vdekja.
Shfaqja me skenografi të Lyra Zajmit dhe kostumografi të Valdete Mustafës është realizuar në shenjë të klasikes.
Shfaqja është bashkëprodhim i “Dodonës” me Institutin Ndërkombëtar të Teatrit... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.