Kulturë

Ankandi humanitar bashkon artistët

Arti merr peshë kur i futet edhe një misioni, dhe i tillë ka qenë ankandi për shitje veprash të mërkurën mbrëma në “Mensën Ramiz Sadiku”. Artistë nga Kosova e Maqedonia e Veriut janë bërë bashkë për të ndihmuar Valdete Dobrën, 43-vjeçaren e cila po vuan nga sëmundja e kancerit.

Disa minuta para orës 20:00, kur ishte paralajmëruar nisja e ngjarjes “Mensa” ka nisur të mbushej me njerëz. Përveç dashamirësve të artit, afaristëve të ndryshëm dhe jo vetëm, aty kanë qenë edhe shumë nga ata që kishin kontribuuar duke dhuruar veprat e tyre.

Ka qenë arkitektja e deputete e Kuvendit të Kosovës, Eliza Hoxha ajo që ka marrë barrën kryesore në mbledhjen e veprave dhe përgjigjet kishin qenë të shumta. Me të marrë vesh për lajmin, në adresën e saj kishin ardhur jo vetëm vepra artistësh, por edhe aso të nxënësve të shkollave fillore e të mesme të Prishtinës. Emra të shquar të skenës vendore i janë përgjigjur kësaj nisme – si Zake Prelvukaj, Jakup Ferri, Esat Valla, Mjellma Goranci, Zana Ramadani, Mimoza Zajmi, Musë Prelvukaj, Hajrush Fazliu, Eshref Qahili, Arben Llapashtica, Lulzim Demaj – e në ankand ka pasur edhe vepra koleksionesh si ajo e artistit të ndjerë, maestros Nsret Salihamixhiqi. Ka qenë pikërisht vepra e tij që ka arritur çmimin më të lartë. Është dhuruar prej “Dada Art Gallery”. Çmimi fillestar i saj nisi me 200 euro, për të arritur më pas vlerën prej një mijë eurosh. Në total ankandi, i cili u moderua nga aktori i njohur Fatmir Spahiu, arriti të mblidhe 18 mijë euro.

I pranishëm në ankand ishte edhe bashkëshorti i Valdete Dobrës, Fisnik Dobra, i cili me pak fjalë ka falënderuar artistët.

“Mirë se keni ardhur dhe faleminderit që na jeni bashkangjitur në këtë ankand humanitar me piktura e vepra të artit. E vlerësojmë jashtëzakonisht shumë gjithë mundin, angazhimin që keni treguar edhe për gjithë ata që nuk janë prezentë. Jemi sinqerisht të emocionuar, të befasuar e të surprizuar sa shumë ekziston shpirti human te populli ynë”, ka thënë Dobra.

Organizatorja e ngjarjes, Eliza Hoxha, ka luajtur rolin kryesor në mbledhjen, grumbullim dhe vënien e çmimeve fillestare të veprave. Teksa ka folur për idenë e këtij organizimi, Hoxha ka çmuar gatishmërinë e artistëve që i janë përgjigjur ftesës për këtë aksion.

“Thjesht, ideja ka ardhur prej Fisnikut, burrit të Valdetes, i cili më është afruar dhe më ka pyetur, për shkak se ne kemi bërë edhe një ankand dhe disa aktivitete për (regjisoren v.j.) Burbuqe Berishën. Ka folur me Bufin, Fatmir Spahiun, mandej ka ardhur te unë dhe normalisht në këso rastesh unë asnjëherë nuk mund të them jo. Por më e rëndësishmja është që kur unë u kam shkruar artistëve, ka qenë mahnitës vullneti i artistëve të dhurojnë vepra. Kjo jo vetëm në fillim, por mandej ne kemi pasur një momentum ku ka qenë sfiduese që t’i promovojmë veprat dhe galeria “Qahili”, Eshref Qahili me vajzën Nita Qahili na kanë ofruar hapësirën që t’i çojmë aty”, ka thënë Hoxha, e cila gjithashtu për vete bleu katër vepra.

Teksa ka folur për përfitimin e dyanshëm që ka bërë shitja e këtyre veprave, Hoxha ka theksuar se nëpër ankande të tilla njerëzit zakonisht mund të arrijnë t’i marrin ato edhe me çmime shumë më të ulëta seç zakonisht shiten.

Drejtori i “Dada Art Gallery” në Prishtinë, Genc Rodiqi, ka qenë ai që ka blerë mbi dhjetë vepra duke u bërë blerësi më i madh i mbrëmjes. Rodiqi është shprehur se një gjë e tillë është e rëndësishme veçmas kur dihet që paratë do të shkojnë për bamirësi.

“Pikë së pari ky është një aksion shumë i mirë për të mbledhur para për një zonjë që është e sëmurë nga kanceri. Është për bamirësi. Të gjithë kemi kontribuuar. Jo vetëm unë, por të gjithë, aq sa kemi pasur mundësi. Kështu që më vjen mirë që këto të holla shkojnë për bamirësi, për një çështje të mirë”, ka thënë ai teksa ka bërë të ditur se veprat do të shkojnë në galerinë e tij.

E konkurrenti më i fortë i Rodiqit ka qenë kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili arriti që disa herë t’ia rrëmbente pikturat. Teksa ka bërë të ditur se në shtëpi ka një koleksion veprash, Rama ka folur edhe për dashurinë që ka ndaj artit.

“Kam dashuri të madhe për artin. Normalisht babën e kam pasur piktor, artist. Kam koleksion të madh të veprave të artit, sepse e dua artin. Sonte këtu kam sjellë edhe disa miq që po ashtu kanë dashuri ndaj veprave të artit dhe normalisht që sot me ble vepër të artit është dyfishim i asaj çka merr, sepse jo vetëm që e merr një vepër arti fantastike, por edhe e ndihmon një fond të mirëfilltë, shumë të rëndësishëm për t’i ndihmuar zonjës Valdete për t’u shëruar”, ka thënë ai.

Vepra e Nysret Salihamixhiqit u ble nga Nancy Soderberg. Aktivistja e cila bleu edhe një vepër tjetër është shprehur e lumtur që pati mundësi të kontribuonte në mbledhjen e fondeve.

“Kjo ishte një kauzë e mrekullueshme për të ndihmuar një familje në nevojë, kështu që isha e lumtur të vija. Eliza Hoxha më ftoi dhe unë jam dashamire e madhe e artit, sepse është një gjë pasiononte, vibrante. Bleva diçka për banesën time dhe paratë do të shkojnë për një kauzë të mirë”, ka thënë Soderberg

Veprat e tyre i kanë dhuruar edhe shumë fotografë të njohur nga Kosova, në mesin e të cilëve edhe fotografi i njohur i botës së egër, Arian Mavriqi. Fotografia ku ai ka arritur të kapë dhinë e egër e cila jeton në malet e Kosovës u shit për 200 euro, nga starti i cili nisi me 50 euro. Mavriqi, i cili ka dhuruar pesë vepra, më së shumti nga të gjithë, është shprehur i lumtur që të gjitha janë shitur.

“Është ndjenjë e kënaqësisë që nuk përshkruhet. Është jashtëzakonisht mirë kur e di që veprat e tua janë shitur dhe kanë zënë vend në buxhetin që kërkohet për t’u shëruar zonja Valdete. Nuk mund ta përshkruaj këtë kënaqësi. Kisha shumë dëshirë që të shiteshin të gjitha dhe ashtu ndodhi, prandaj jam shumë falënderues edhe për blerësit që ishin individë nga kompani të ndryshme, për çka do që t’i përdorin, për zyra, për dekorim, s’është me rëndësi. Një iniciativë shumë e mirë që mund ta përdorim edhe për raste të tjera”, ka thënë ai.

Ankandi arriti të shiste 80 për qind të veprave të dhuruara, ndërsa të tjerat vazhdojnë të jenë ende në shitje online.