Hapësira e Shtëpisë së Evropës në Prishtinë është kthyer në njëfarë galerie që zbërthen prapaskenat e filmit të animuar e animacionit në përgjithësi. Aty janë ekspozuar edhe stripa e video muzikore. Si njëfarë dosje pune vijnë në formë pllakate të varura në mur projektet e filmave “Shpija” e “Ninulla F” të Flaka Kokollit. Kjo e fundit do të jepet premierë në edicionin e sivjetmë të Festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar”
Është një punë me ditë e orë të tëra deri te produkti final. Për nja dhjetë sekonda animacion, duhen qindra skica. Ideja, skenari, personazhet janë pjesa tjetër. E krejt ky proces, që nga projektimi i idesë fillestare e deri në realizimin e projektit, i shpaloset publikut në ekspozitën “Animated Worlds”.
Hapësira e Shtëpisë së Evropës në Prishtinë është kthyer në njëfarë galerie që zbërthen prapaskenat e filmit të animuar e animacionit në përgjithësi. Aty janë ekspozuar edhe stripa e video muzikore. Si njëfarë dosje pune vijnë në formë pllakate të varura në mur projektet e filmave “Shpija” e “Ninulla F” të Flaka Kokollit. Kjo e fundit do të jepet premierë në edicionin e sivjetmë të Festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar”.
Ndonëse nuk është zbuluar shumë prej filmit, skica përfundimtare e djepit me një foshnjë, pranë së cilës qëndron një grua, zë vend kryesor në njërën prej punimeve të ekspozuara. Në të njëjtin pllakat është edhe ai i gdhendjes në drurin e djepit, skica e zogjve deri në detajet më të imëta e pamjet e maleve.
Pranë saj zbërthehet edhe projekti i animacioneve të filmit “Shpija”. Elementet aty përfshijnë ngjyrat e përdorura në disa prej sekuencave të filmit e personazhin në të, bashkë me shtëpinë. Manovrimet me duar – me të cilat karakteri i filmit synon ta ndalojë shtëpinë që e ndjek nga pas - janë prej kryesoreve në film. Vetëm nga kjo pjesë e filmit janë shtatë dizajne. Aty jepen edhe versionet fillestare dhe finale të projektimit të pamjes së personazhit dhe të saj duke dalë prej vrimës së shtëpisë.
Në projektin e Fatlum Nezirit, sfondi i njërës prej pamjeve të animuara zbërthehet për t’u shpalosur krejt pjesët përbërëse të saj. Është ngjyra e gjelbër me nuancat e saj të errëta, qëndrimet e personazhit dhe adaptimi i tyre kur në film paraqitet mot i ftohtë. Mes tyre janë edhe skicat e lëvizjes së gjallesave.
Krejt materialet e ekspozuara bashkë me disa projekte të tjera komerciale e ndërtojnë klipin përmbledhës që vjen si një video instalacion i ekspozitës “Animated Worlds” dhe e kompleton atë më tej. Materialet në tavolinë mund të luhen edhe vetë nëpërmjet atyre që njihen si “flip books”. Aty është edhe më e qartë sa duhet punë për një lëvizje krejt të thjeshtë që shfaqet në pamjet e projektuara aty pranë.
Në projektin e Ari Zharkut janë lëvizjet e një fëmije në luhatëse që e ilustron qartë këtë proces janë si tërësi e ekspozitës së kuruar nga artistët Shkamb Jaka dhe Laureta Hajrullahu. “Përmes stilit të tyre unik të animacionit, kolektivi Pink-i eksploron një sërë temash duke filluar nga përvojat personale dhe jeta e përditshme deri te çështjet shoqërore dhe politike. Animacionet e tyre shfaqin një kombinim të rrallë humori dhe thellësie, duke e bërë punën e tyre të kapshme për një gamë të gjerë audiencash”, shkruhet për ekspozitën.
Eksperimentimi në mediumin e tyre, ku shpesh skicat fillestare vijnë krejtësisht të transformuara në punën finale, është gjithashtu prej elementeve të para të ekspozitës që bie në sy. Aty shpaloset ndërtimi i rrëfimit të filmit të animuar. Sipas autorëve të ekspozitës, për një sekuencë filmi që zgjat mes pesë deri në dhjetë sekonda, nevojiten mbi 200 skica figurash.
Tre vjet pune të animatorëve Flaka Kokolli, Ari Zharku dhe Fatlum Neziri shpalosen në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë. Ekspozita, pos kësaj, kurorëzon edhe dy vjet bashkëpunimi midis artistëve në kolektivin e specializuar në video dhe filma të animuar “Pink-i”. Është e fundit ngjarje që e mban të bashkuar treshen të cilët më tutje karrierën e tyre e vazhdojnë individualisht dhe njëkohësisht e para në të cilën kanë bashkuar artin e tyre në një ekspozitë të vetme. Përderisa Kokolli kishte studiuar animacionin në Hungari, Ari Zharku dhe Fatlum Neziri kishin përvetësuar njohuritë në akademinë “Anibar”. Kishin funksionuar në “Pink-i” prej vitit 2021.
Bashkautorja e ekspozitës e regjisorja e filmave të animuar, Flaka Kokolli, ka thënë se prej qëllimeve kryesore të shpalosjes së punës së tyre ka qenë t’i tregohet publikut krejt procesi i realizimit të një projekti animacioni. “Punët që shihen në ekspozitë janë të nxjerra prej kësaj periudhe dyvjeçare që kemi punuar dhe shumica prej tyre janë pjesë të nxjerra prej animacioneve që nuk janë parë më herët, pra produkti final. Kemi nxjerrë pre-produksion, që i bie, skicat fillestare, konceptet derisa kemi ardhur te pjesa përfundimtare, ilustrime e sfond, gjithçka që ka qenë paraprakisht para rezultatit final”, ka thënë ajo, e cila ka vlerësuar të rëndësishme ekspozitën pasi animacioni është industri e re në vend dhe se publiku nuk e njeh procesin e punës.
Punimet e Nezirit përfshijnë kryesisht stripa, por qëllimi është animacioni në përgjithësi. “Ideja jonë pak a shumë e ka të shfaqet procesi 5 a 10-sekondësh i animuar që duket shumë shkurt, por merr me javë, me muaj punë. Kemi bërë ndarje të atyre elementeve. Njerëzit që kanë ardhur, kanë mundur të shohin skica, ‘cell paper’ ku kanë mundur të shohin ndarjen e prapavijës me karakterin që është tamam një pikturë, më në fund është dhënë edhe animacioni për të parë si i përmbledh krejt këto gjëra në fund”, ka shpjeguar ai derisa ka treguar se si kishte nisur bashkëpunimi i treshes.
“Ka qenë një kohë, sidomos pas pandemisë ku kemi qenë pak a shumë të gjithë duke bërë të njëjtën gjë. Na u përshtatën planet në një mënyrë që e organizuam dhe veç vendosëm t’ia nisim. Pak a shumë si pa plan pasi që në Kosovë nuk është se ka industri të animacionit. Kemi mësuar edhe duke punuar”, ka treguar Fatlum Neziri më tej.
Për Ari Zharkun, animacioni është medium tejet atraktiv me të cilin është lidhur që në fëmijëri. Sipas tij, mund të eksplorohet më shumë nëpërmjet këtij mediumi dhe se pasioni për të ka bërë të vazhdojnë të punojnë në të.
“Industria e animacionit është shumë e zhvilluar, ka histori. Ndoshta në vitet 2000, pak më vonë ia kanë nisur kosovarët të bëjnë animacione, por nuk ka pasur diçka shumë serioze. Pasi ka shumë pak persona që merren me animacion, çdo person duhet t’i bëjë krejt. Sfondet, animacionet, regjinë, skriptën me raste, kështu që secili punon gjithçka”, ka thënë Zharku.
Ekspozita “Animated Worlds” qëndron e hapur deri më 11 gusht në kuadër të asaj që Shtëpia e Evropës ka quajtur si “Vala e re”. Kishte nisur më 9 maj, në shënim të Ditës së Tokës me ekspozitën me punime të fëmijëve që kishte ardhur si rezultat pas punëtorisë në degën e Shtëpisë së Evropës në Mitrovicë të Veriut. “Animated Worlds” ka qenë e dyta me radhë, derisa organizatorët kanë njoftuar se parashihet të realizohen edhe tri të tjera deri në janar të vitit të ardhshëm.
