Kulturë

Animacioni – sinonim i lirisë artistike në zbërthim temash komplekse

Filmat e animuar si produkte finale në ekrane të mëdha, nuk janë krejt ato që sjell “Anibari”. Festivali përqendrohet ta shpalosë edhe atë se çfarë ngjan deri te konkretizimi i një vepre të tillë. E këtë e bën nëpërmjet emrave të shquar të filmave të animuar. Njëri prej tyre, të premten, ka qenë animatori i njohur kanadez, Steven Woloshen, i cili me të rinjtë ka ndarë sekretet e tij në botën e këtij arti. E se animacioni zbërthen edhe tema komplekse, dëshmi janë edhe filmat e kategorisë për të drejtat e njeriut. Puna në studio të vogla a të mëdha, ka qenë një tjetër temë diskutimi

Animatori i njohur kanadez, Steven Woloshen, me karrierë të gjatë në animacion nuk ngurron për asnjë çast që aftësitë e tij t’i ndajë me të tjerët. Ndryshe nga ngjarje të këtij lloji që mbahen mbyllur a me numër të kufizuar pjesëmarrësish, ai ka zgjedhur që punëtorinë e tij ta mbajë para teatrit “Istref Begolli”. Ka një arsye të fortë për këtë që lidhet me karakterin e tij si krijues.

Kushdo që kalon a ndalet për të parë punën e tyre, me buzëqeshje e fton që të bëhet pjesë e punëtorisë. Për ta mbajtur nën qiellin e hapur thotë se ka marrë shkas edhe nga ajri i mirë i qytetit veriperëndimor. Tre herë të tjera kishte synuar të vinte në Kosovë, por që pandemia ia kishte pamundësuar.

“Scratchatopia” titullohet punëtoria që përmbledh teknikën e tij të punës. Një ditë më herët para publikut të “Anibarit” ka prezantuar nëntë filma prej bagazhit të tij të gjerë i shtrirë në tri dekada.

Por, ky ka qenë vetëm njëri kapitull i ditës së tretë të “Anibarit” në të cilin, çdo adhurues jo vetëm i animacioneve, gjen diçka. Ekranet e kinemave kanë vazhduar me shfaqjen e filmave, punëtoritë e debatet po ashtu e në ambientet që preken prej këtij festivali që sivjet vjen me edicionin e 13-të me temën “Besëtytnitë”, animacioni është kryefjalë edhe e muhabeteve të zakonshme.

Steven Woloshen: Filmi realizohet kudo

“Është kënaqësi të shoh kaq shumë entuziazëm. Vendosa të punoj jashtë pasi që ka shumë ajër të pastër dhe mesazhi që unë dua ta përçoj është se mund të realizojmë filma kudo, nuk do të thotë të jemi vetëm brenda në kompjuter por ngado”, ka thënë Steven Woloshen për KOHËN. Të rinjve u është drejtuar se nëpërmjet punëtorisë do t’u ofrojë mundësinë që edhe ata të realizojnë diçka të tillë. Në punë e udhëheq spontaniteti. Nuk është nga ata animatorë që ka ndonjë skenar. Frymëzimin ia lë rastësisë. Inspirimin e madh e gjen te muzika jazz, pasi që ajo ashtu si puna e tij në animacion mund të krijohen duke eksperimentuar dhe improvizuar. Jo rastësisht imazhet e tij abstrakte shpesh sinkronizohen me muzikë.

“Unë mendoj se nxitjet dhe dëshirat spontane janë pjesa më e mirë e krijimit të filmave të punuar me dorë”, shkruhet në biografinë e tij.

Brusha, markerë e ngjyra të ndryshme kanë mbushur gjithë tavolinën. Shiritat e filmave të vjetër janë materiali kryesor ku të rinjtë mund të pikturojnë imagjinatën e tyre për animacion. Lehtësisht me shkathtësitë e tij, mjeshtri i animacionit, Woloshen, ato i vendos në ekran nëpërmjet “USB microscope”, i cili thotë se është një mikroskop që përdoret në teknologji.

Nëpërmjet lëvizjeve të shthurura dhe gërvishtjeve ai synon të krijojë përmbajtje emocionale. Për këtë arsye ka hequr dorë nga dokumentarët pasi që liria që i afronte animacioni kishte triumfuar mbi çdo gjë tjetër. Sot, regjisori i shumë çmimeve nuk ngurron që njohuritë e tij t’i ndajë me këdo, pavarësisht moshës.

Bora Aliu është nxënëse e shkollës se mesme dhe për një javë është shkëputur nga kryeqyteti për t’u futur në botën e animacionit në Pejë.

“Jemi duke marrë shirita të filmave të zbrazur dhe në to po vizatojmë çfarëdo që duam. Kemi marrë edhe filma shqiptarë mbi të cilët kemi shtuar detajet tona”, tregon ajo teksa shprehet e entuziazmuar për atë që sheh në ekran.

Image
“Cockroaches” i regjisorit norvegjez Adel Khan Faroog, ka hapur garën e filmave për të drejtat e njeriut

Animimi për të drejtat e njeriut

Derisa të rinjtë kanë vazhduar punën në një teknikë të paeksperimentuar më parë, një pjesë e publikut i është drejtuar kinemasë “Jusuf Gërvalla” ku janë shfaqur filma të kategorisë së të drejtave të njeriut.

“Cockroaches” (Buburrecat) e regjisorit norvegjel Adel Khan Faroog ka qenë filmi i parë në ekran sa i përket kësaj kategorie. Ai vjen si një përrallë e animuar rreth përjashtimit dhe ekstremizmit, që tregon se si kërkimi për pranim mund të ketë pasoja fatale. Në një kohë kur e djathta ekstreme po marshon sërish në shumë vende evropiane, filmi synon të dërgojë një paralajmërim. Pas përfundimit ky film ia ka lëshuar radhën në ekran një rrëfimi të shkrirë në animacion, i cili flet për miqësinë midis Kookoo Rikoo, klounit të vetëm arab të krishterë izraelit dhe një vajze siriane të mbijetuar nga lufta. E gjitha është përmbledhur në 18 minuta të filmit “La prima Cosa” (Gjëja e parë) nga regjisorët Omar Al Abdul Razzak dhe Shira Ukrainitz. Filmi “Night” (Nata) i Ahmad Saleh nga Palestina është një orvatje në netët plot makth. Aty ku pluhuri i luftës i mban sytë pagjumë e nata sjell megjithatë paqen dhe gjumin në qytetin e thyer.

“Seven Grams” titullohet filmi që tregon hjekat e një të riu 12-vjeçar të rrëmbyer nga një grup aktiv gueril në Kongon Lindore. Kjo ka ndodhur teksa vizitonte motrën e tij më të madhe në Mubi në provincën e Kivusë veriore. Filmi nën regji të Karim Ben Khelifa dhe TT Hernandez tregon transformimin e një të riu, i cili përballet me një botë të papritur, por që i reziston asaj.

“Kështu janë varret masive, një trup mbi tjetrin dhe asgjë tjetër?”, është pyetja që shtron filmi “It rains” i Magali Rocha Donnadieu dhe Carolina Corral Paredes. Aty përmes shiut, Oliver i dërgon sinjale nënës së tij për ta ndihmuar atë të zbulojë të vërtetën.

Image
Në disa filma të shfaqur gjatë edicionit të 13-të të “Anibarit”, regjisori ka peshën edhe të skenaristit e të producentit. Pikërisht kjo temë është zbërthyer në diskutimin e së premtes pasdite të udhëhequr nga Lisa Labracio dhe Dez Stavrasoc

Punë të mëdha në studiot e vogla

Në disa filma të shfaqur gjatë edicionit të 13-të regjisori ka peshën edhe të skenaristit e të producentit. Pikërisht kjo temë është zbërthyer në diskutimin e së premtes pasdite të udhëhequr nga Lisa Labracio dhe Dez Stavrasoc. Ata kanë diskutuar se si një studio e vogël i bën filmbërësit të “veshin” uniformën e shumë profesioneve, kurse ato më të mëdha ofrojnë mundësinë më të madhe të fokusohen vetëm në një punë specifike. Sipas Stravrasoc, marrja e përgjegjësive që u takojnë anëtarëve të tjerë të ekipit, jep mundësinë të kuptohen rolet e tyre dhe të bën “koleg” më të mirë. Por sipas tij, megjithatë duhet fokus në pikat më të forta të aftësive.

“Është e rëndësishme t’i bëni pyetje vetes se çfarë dëshironi të bëni më shumë dhe më pas të shkoni pas asaj”, ka thënë Stravrosoc. Lisa Labracio, e cila ka eksperiencë edhe në gazetari, ka thënë se kjo e ka bërë që të ndërrojë herë pas here “kapelën” që të bëjë punë të ndryshme njëkohësisht. Sipas saj, të punuarit në studio e të vogla të bën punëtor më të mirë në ekip pasi që mund të përballesh edhe me përgjegjësitë e të tjerëve.

“Çfarë dua të them është se për t’i bërë të gjitha këto punë nuk do të thotë të jeni ekspert në secilën fushë të produksionit”, ka theksuar ajo.

Mbrëmja e së premtes ka përfunduar në kinemanë nën qiell të hapur “Liqeni”, ku janë shfaqur filmat e kategorisë së studentëve, për të vazhduar në kinemanë “Kubat” ku janë shfaqur filmat që janë pjesë e kategorisë së garës ndërkombëtare. Deri në përmbyllje të edicionit të 13-të, “Anibari” pritet ta lidhë Kosovën edhe më tutje me rrëfime anekënd botës.