“Patriarkati fabrikë e dhunuesve”, “Patriarkati armik i përbashkët” e “Patriarkatit fundi po i vjen”, janë tri konstatimet që në fakt bëhen maksima të rrugës që do të ndjekë “Anibari” për një javë. Paralajmërimi me ceremoninë plot gjallëri e vendosmëri, duket shpresëdhënës. Kjo ka qenë “skena” e fundit e ceremonisë hapëse të Festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar” që të hënën mbrëma ka nisur në Pejë. Tema është revoltë e fortë: “Shembe patriarkatin”
Është aso tymi fishekzjarrësh që zakonisht përdoret në stadiume ose në ndonjë marsh festiv. Në Pejë ka arritur për të dyja: për marsh dhe për festë. Synohet të ecet paralelisht. Të marshohet kundër patriarkatit dhe të festohet për rrënimin e këtij fenomeni. Kur fishekzjarrët janë ndezur mbi projektor, parullat janë lëshuar poshtë. “Patriarkati fabrikë e dhunuesve”, “Patriarkati armik i përbashkët” e “Patriarkatit fundi po i vjen”, janë tri konstatimet – i fundit realisht bartte synim – që kanë mbuluar projektorin. E në kor është kënduar “Beharët i lirisë”. Jo versioni origjinal, por ai i Eli Gashit që bën thirrje për kërkim të barazisë. Krijon një atmosferë tipike socialiste, por pa këto ngjyra s’ka revolucion.
Kjo ka qenë “skena” e fundit e ceremonisë hapëse të Festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar” që të hënën mbrëma ka nisur në Pejë. Tema është revoltë e fortë: “Shembe patriarkatin”.
Festivali që nisi më 2010, çdo vit synon që të jetë më aktual me tema që prekin jo veç vendin ku mbahet, por edhe aspekte globale. Qindra njerëz janë mbledhur te “Kino Liqeni” në parkun e Pejës “Karragaq” për t’ia “prerë shiritin” edicionit të ri. Me “orë ballkanike” ceremonia ka nisur me një orë e shtatë minuta vonesë. Por telashet e tilla janë të shpeshta në këto anë. Vonesat e përcjellin këtë zonë për gjithçka. Edhe në luftimin e patriarkatit.
“Anibar” vjet bënte apel për “Dashni” – siç ishte tema – e sivjet është njëfarë vazhdimësie. Krahas dashurisë kërkon barazi. Posterë e shenja të Festivalit janë gjithandej, por era që synon të instalojë buron te “Kino Liqeni”. Aty krejt bashkë kanë bërë një lloj deklarate për shembjen e patriarkatit. Ka nisur me fjalën hyrëse.
Sivjet është përzgjedhur që hapja të bëhet nga aktorja Zana Berisha. Të pranishmëve – ku pushtetarët mungonin – ua ka kujtuar se “Anibar” gjithmonë ka pasur qëllim dashurinë, jo urrejtjen, përfshirjen, jo përjashtimin, tolerancën, jo diskriminimin.

“Prandaj sot jemi mbledhur për t’i dhënë zë një teme shumë të rëndësishme. Të rëndësishme për secilin nga ne: Shembja e sistemit patriarkal. Sonte edhe njëherë tjetër po mblidhemi të marrim qëndrim kundër këtij fenomeni. Kundër padrejtësisë sistematike, kundër pabarazisë gjinore të cilën ma merr mendja secili prej nesh e përjeton në një mënyrë apo tjetrën”, ka thënë ajo. Ka vazhduar duke thënë se po marrin qëndrim kundër kësaj derexheje që di “me ta zbehë dritën, por di edhe me të mbytë”.
E ka përshkruar “Anibarin” si strehë të imagjinatës radikale që synon të sfidojë statusin kohë dhe t’i përkrahë idetë e reja progresive.
“Prandaj, gjatë 14 edicioneve të fundit shumë shpesh e kemi rikujtuar fuqinë e madhe që ka arti në të bërët protestë. Atë fuqi do ta shfrytëzojmë në shtatë ditët tona programative. Në ditët në vijim do të përballemi me shumë tregime të fuqishme, me perspektiva globale të mirëqenies personale, me kode kolektive, me të bukurat e të hidhurat e të qenit vajzë, djalë, burrë grua e ‘queer’”, ka thënë Berisha. Sipas saj, revolta duhet të vazhdojë derisa zhurma e marshit shemb themelet e patriarkatit. Kjo teme nuk është thjesht një deklarim.
“Është thirrje për veprim. Mollën e Adamit që na ka mbetë në fyt të gjithëve sonte po e përpijmë për me bërtitë pro çlirimit e barazisë”, ka thënë ajo por t’i hapur rrugë programit.
Krejt në fillim pas ndezjes së projektorit qe radha e “trailerit” të festivalit që sivjet është punuar nga animatorja hungareze, Luca Tóth. Aty në vend të kokës te një gruaje zë vend molla duke bartur simboliken e mollës së Adamit, besëtytni religjioze. Por nëpërmjet ndihmës së lapsit, situata ndërron dhe personazhet zhvishen nga mbështjellja që ua kishte zënë frymën. Në këtë rast grave u vjen ndihma nga burrat. Kjo edhe ishte ideja e animatores.
“Mendova shumë dhe gjatë tek kuptova se për mua pjesa më e rëndësishme e shembjes së patriarkatit në fakt nuk është një lloj demolimi, është krejtësisht e kundërta. Doja të tregoja sa e rëndësishme është të kemi besim dhe lidhje njerëzore për të rindërtuar një sistem që është i përshtatshëm për shumicën prej nesh”, ka sqaruar ajo për organizatorët konceptin e “trailerit” 40-sekondësh.

Filmat jashtë garë në natën e parë kanë qenë intro të asaj që e pret publikun. Midis tyre “You Are Overreacting” i polakes Karina Paciorkoeska, është njëfarë përmbledhjeje globale e sistemit patriarkal apo synimeve për një të tillë. Aty nëpërmjet animacionit paraqiten edhe deklarata të figurave publike botërore, përfshirë ish-presidentin dhe kandidatin e tanishëm për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donad Trump. Më pas nëpërmjet personazheve, tregohet për trajtimin që u bëhet grave në rrugë e në mjete transporti deri te revolta për të ndryshuar gjendje.
Drejtoresha e Festivalit, Arba Hatashi, ka thënë se ceremonia e hapjes iu dedikua temës, por përgjatë ditëve të Festivalit janë filmat në garë e jashtë garës që janë të ndërlidhur me temën.
“Tema këtë vit është rrjedhojë e temës së vitit të kaluar ‘Dashni’. Në këtë rast kemi dashur të kemi fokus te problemet e qytetarëve të Kosovës dhe te sistemet me të cilat veprojmë e ndërveprojmë. ‘Shembje patriarkatit’ është një thirrje për jetë më të mirë për secilin, për një jetë më të barabartë për të gjithë”, ka thënë ajo.
Nuk është qëllimi që njerëzit veç të shohin filma të animuar, siç mund të këtë qenë në fillim. Tema përforcohet me programin e filmave, panelet e diskutimeve e nga ligjëratat.
Janë dhjetë kategori ku do të shfaqen 158 filma. Prej tyre gjashtë kategori garuese, katër jashtë garës e tri programe speciale. Prin kategoria e audiencave të reja me 32 filma për t’u pasuar nga ajo e filmave studentorë me gjithsej, 27, përderisa ajo e video-animacioneve muzikore do të ketë 22 filma.
Programi përveçse ndahet në atë filmik, që pastaj kategorizohet në gara të filmave – ku është janë ato ndërkombëtare, ballkanike, studentore, filmave për të drejtat e njeriut, video-animacioneve muzikore dhe filmave për audienca të reja – përbëhet edhe prej kategorive të veçanta filmike.
Te kategoritë e veçanta filmike hyn edhe “Çfarë janë burrat”, i kuruar nga Luce Grosjean, themeluese e kompanisë për distribuimin e animacioneve “Sève Films”. Ajo ka vendosur që të përzgjedhë filma që merren vetëm me pasiguritë e brishtësinë e burrave në përgjithësi, e që përfaqësohen në mediumin e animacionit. Program më vete është “Monstruosas” që vjen nga kompania franceze me bazë të Monpellier, “Miyu Distribution”. Ky program u kushtohet veç grave. Janë kryefjala, sikurse te romani grafik “Shembe patriarkatin” i autores Marta Breen, ku bashkohen rrëfimet e 100 grave revolucionare. “Anibar” dhe sivjet synon që të ngjallë një erë kundër patriarkatit. Nuk është revolta e parë e as e fundit në shtetin më të ri të Evropës, por sefte bëhet me filma të animuar. Me personazhe që krijohen bash ashtu siç do autori. Sivjet dhe ligjëratat e diskutimet prekin këtë tema. Është mobilizim i madh për ta shembur patriarkatin, por efekti pritet të shihet. Në raste të tilla, arti nxit kauza, merret me to, nuk heq dorë dhe ngjall shpresë. E “Anibar” është në këtë drejtim. Nuk do të heqë dorë me thirrjen që vjen si temë “Shembe patriarkatin”.