Kulturë

“Anibari” me gati 300 filma si ftesë për hapjen e botëve të ndryshme

Për një javë, duke filluar nga e mërkura, audiencën e “Anibarit” e pret një program të pasur i filmave – 224 të përzgjedhur nga 1400 aplikime. 177 prej tyre janë pjesë e shtatë kategorive garuese. “Besëtytnitë” është tema, por ajo nuk kufizohet vetëm këtu. Është një ftesë për hapjen e botëve të ndryshme e gërshetim kulturash të llojllojta. Pos filmave ka edhe shtyllën e cila për çdo vit e më shumë e fuqizon festivalin: edukimin e brezave të rinj, në artin e animacionit

Një bisedë e vitit të kaluar midis pjesëmarrësve u bë sebep i temës me të cilën “Anibari” do të shënojë edicionin e 13-të. Duke u bazuar në numrin, në paragjykimet se ai sjell ters, organizatorët vendosen që ky edicion të zhvillohet rreth temës së “Besëtytnive”.

Ftesë për t’u bashkuar me besime të ndryshme u ka bërë edhe pjesëmarrësve virtualë. Tash, të gjitha këto janë gati t’i zbulojnë në edicionin që do të nis të mërkurën në qytetin e Pejës.

“Përgjatë festivalit do të bisedojmë për disa besëtytni të cilat i kemi përzgjedhur në bazë të pyetjeve që i kemi bërë në rrjetet sociale, ku pyetja ka qenë se a besoni në besëtytni dhe cilat janë ato më interesante që i keni nga kulturat tuaja”, ka thënë koordinatorja për media Rina Statovci, në një konferencë për media të mbajtur të martën paradite, në “Kino Armata” në Prishtinë.
Organizatorët kanë bërë të ditur se audiencën e këtij festivali e pret një program të pasur i filmave – 224 të përzgjedhur nga 1400 aplikime. 177 prej tyre janë pjesë e shtatë kategorive garuese: ndërkombëtare, kategoria e studentëve, e të drejtave të njeriut, kategoria e Ballkanit, kategoria e filmave artistikë, kategoria e filmave të animuar video-muzikor dhe kategoria e audiencës së re – e cila është kategori e re garuese në program. Janë edhe 13 filma që do të shfaqen në kategorinë jashtë garës – “Panorama”. Tema “Besëtytnitë” do të zbërthehet në ekranet e kinemasë “Jusuf Gërvalla”, teatrin “Istref Begolli”, kinemanë “Kubat” dhe kinemanë “Liqeni” të cilat do të jenë të hapura për publikun në plot një javë sa shtrihen aktivitetet e festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar. Me programet speciale, “Anibari” synon të prekë tema të ndryshme, kurse nëpërmjet programeve edukative, ofrohen teknika të reja në botën e animacionit.

“’Anibari’ tash e 13 vjet punon në fushën e edukimit sa i përket animacionit. Një prej programeve kryesore të organizatës dhe festivalit është edukimi i gjeneratave të reja dhe zhvillimi i industrisë së animacionit”, ka theksuar drejtoresha e festivalit, Arba Hatashi në konferencën për media një ditë para hapjes zyrtare

“Programi eksperimental” me kurator Panot Mahmutaj përfshin 10 filma e po aq edhe programi “Queer Bashkëkohore” me kurator Kate Jessop. “Retrospektiva e Steven Woloshen” përmbledh 20 filma që shpalosin filmat e tre dekadave karrierë të vetë animatorit kanadez. Për herë të parë vjen programi i realitetit virtual “VR” me shtatë filma i kuruar nga Ondra Moravec. Për një përvojë unike, organizatorët kanë ftuar të gjithë pjesëmarrësit t’i bashkohen këtij programi të veçantë për festivalin.

“Kjo është hera e parë që do të shfaqen filma të realitetit virtual në festivalin ‘Anibar’, pra në qytetin e Pejës dhe në rajonin e Dukagjinit”, ka thënë Hatashi.

Nëpërmjet aktiviteteve edukative do të diskutohet për tema dhe tenika të ndryshme të animacionit.

“’Deluzionet’ e animuara është punëtoria që do të udhëhiqet nga novelisti grafik dhe animatori Andy London. Nga kjo punëtori pjesëmarrësit do të bëjnë një film të shkurtër të animuar njëminutësh me një sërë teknikash animacioni. Mësimet se si të bëheni një animator ‘stop motion’ me lëvizje të ngadalta do të sjellë në festival regjisori nga Erfurti, Marcus Grysczok i cili është i specializuar në këtë teknikë. Kurse për teknikën “Scratchatopia”, pjesëmarrësit do të mund të mësojnë nga regjisori më nam nga Kanadaja, Steven Woloshen. “Animacioni dhe realiteti i shtuar” është punëtoria që do të udhëhiqet nga artistja Kristína Saganova. Punëtoritë sipas organizatorëve janë një përvojë e drejtpërdrejtë për të rinjtë që duan të futen në këtë fushë.

“Punëtoritë do të jenë për gjenerata të ndryshme duke filluar nga mosha 7-vjeçare, tri prej tyre do të jenë gjatë gjithë festivalit ku produktet e tyre do të shfaqen në ceremoninë e përmbyllëse të festivalit”, ka thënë tutje Hatashi.

Nga “Akademia e Animacionit” kanë diplomuar gjashtë gjenerata. Edhe këtë edicion “Anibari” e ka fokusin te të rinjtë duke u sjellë emra të njohur të botës së animacionit. Premierë do të shfaqen edhe filmat vendorë të animuar: “Shpija” i Flaka Kokollit dhe “Magneti” i Arvan Berishës.

“Duke e parë gjithë potencialin që është i pranishëm në Kosovë në fushën e kinematografisë, qëllimi ynë është që audiencave dhe gjeneratave të reja t’u sjellim hapësirë për ngritjen e kapaciteteve të tyre”, është shprehur gjatë konferencën Hatashi derisa ka përsëritur se “Anabari” është gati.