Kulturë

“Anibari” hap dyert e botëve të shumëllojta e të pakufishme

Mëngjesi në Pejën me “Anibar”, e natyrshme, është tjetërqysh. Kjo është koha më e mirë për ta përcaktuar agjendën. S’është e lehtë, pasi oferta është e gjerë dhe intriguese. Që në ditën e parë pas hapjes zyrtare, çdo gjë ka tjetër dinamikë. Të enjten kinematë janë pushtuar nga filmat, janë hapur garat, e dy prej tyre kanë qenë ajo e filmit të gjatë dhe gara e Ballkanit. Në këtë të fundit, dy kanë qenë filma vendorë, dhe kjo ka peshë për animacionin e Kosovës. Regjisorët shkëmbejnë përvojat, ndiejnë mikpritjen, e publiku ka mundësi të zhvendoset në botë të ndryshme të shumëllojta e të pakufishme

Njoftimin dhe socializimin midis pjesëmarrësve, “Anibari” nuk ia ka lënë rastësisë së ditëve plot dinamikë që çojnë sa në një kinema sa në tjetrën – nëpër histori që s’i ngjajnë njëra-tjetrës. Që në ditën e parë pas hapjes, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar ua ka ofruar mundësinë animatorëve e pjesëmarrësve që të takohen. Këtë ka vendosur ta bëjë pak më larg kinemasë, në mënyrë që biseda të jetë larg formaliteteve që mund t’i imponojë ambienti. Aty flitet më shumë për pasionin sesa për teknikën. Madje njëri nga animatorët e huaj pohon se nuk i bën fare përshtypje teknika. Një kafene pranë parkut “Anibari” e ka zgjedhur si adresë për të nisur ditën me kafe.

Eksperiencat e ditës së parë në Kosovë i kanë shkëmbyer regjisorët që kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës në Pejë. Mes muhabeteve të tyre kryefjala është filmi. Secili flet për angazhimet e tij dhe çfarë i tërheq në botën e animacionit. Kjo ndodh para se filmat e këtyre animatorëve të shfaqen në ekran. Aty botët e tyre kornizohen në atë që regjisorët kanë mbledhur në momentet e tyre krijuese.

“Gjithçka është e këndshme dhe kaq më mjaftoi për ta kuptuar që njerëzit janë të mrekullueshëm. Mund ta ndiesh frymën e mirëseardhjes këtu”, ka thënë regjisori grek Dimtris Simou.

Gara e filmave të gjatë nis me zhvendosje në Polin e Veriut

Nga aty pjesëmarrësit kanë mbushur sallën e kinemasë “Jusuf Gërvalla” për të hapur siparin e filmave të metrazhit të gjatë me “Dozen of norths” i regjisorit të njohur japonez Koji Yamamura, i cili është fitues i shumë çmimeve. Filmi që zbërthen botën e pasur të animacionit të regjisorit japonez në më shumë se një orë lëviz zonën e gjerë rreth Polit të Veriut. Publikut i flet më shumë nëpërmjet pyetjeve sesa nëpërmjet konstatimeve. Yamamura e ka realizuar këtë film duke u bazuar në ilustrimet dhe tekstet e tij të botuara në revistën mujore letrare “Bungaku-Kai” midis viteve 2012-2014. Ai e kishte ndërtuar narrativën rreth 32 numrave të revistës, duke shkruar tregime rreth ilustrimeve individuale për t’i bërë enigmë ato së bashku në një skenar që merret me kërkimin e kuptimit të jetës dhe frikën e njerëzve, ambiciet e tyre dhe lidhjen me spiritualitetin ose mungesën e tij. Animatori në film lidh kujtimet e tij të fragmentuara e të përziera. Lëvizjet janë në harmoni të plotë me muzikën e “Drums in The Night/ The Resistible Rise of Arturo Ui” nga Willem Breuker.

Pas filmit të regjisorit japonez, publiku është ndalur te prodhimet më të afërta – ato të Ballkanit. Në mesin e filmave të kësaj kategorie dy janë prodhim i Kosovës.

“Shpija” dhe “Magneti” të Kosovës, hyrje në garën ballkanike

Image

Skenë nga animacionet “Shpija” i Flaka Kokollit dhe “Magneti” i Arvan Berishës


Këtë kategori e kanë hapur filmi “Shpija” i Flaka Kokollit dhe “Magneti” i Arvan Berishës. Kokolli, e cila ka qenë e pranishme në shfaqjen e filmit, ka marrë reagime pozitive të mira nga audienca në kinema. Ajo për shumë vjet ka qenë pjesë e “Anibarit”, por këtë vit për të parën herë vjen si krijuese. Filmi i saj i realizuar në një hark kohor prej një viti nga 2021 deri në vitin 2022 është punuar me teknikën 2D në atë që bota e animatorëve e quan “frame by frame”. Në filmin e saj, në gati shtatë minuta ajo përshkruan lidhjen e fortë me shtëpinë, ku për imazh ka vajzën e cila përherë ka gjurmët e shtëpisë para syve.

“Shpija përfaqëson gjithçka që gjejmë rehati në të, qoftë diçka fizike ose jo. Në film trajtohet procesi i braktisjes së shtëpisë dhe problemet që shkakton ky proces. Ishte shumë ndjenjë e mirë më e pa interesimin e audiencës për këtë film”, ka thënë ajo për KOHËN. Kurse filmi “The Magnet” i Berishës koncentrohet në dinamikën e një familjeje të hipnotizuar në dritën që lëshon ekrani i telefonit. Ai mbetet interesimi i tyre primar, përkundër çdo veprimi tjetër në familje.

Më pas të pranishmit kanë pasur mundësinë të ndjekin filmin “My Father's Damn Camera!” (Kamera e babait tim), i cili shfaqet si një tregim që ndërthur animacionin e vizatuar me dorë dhe me teknikën e “stop-animation” në teknikën e kolazhit. Autori edhe publikun e “Anibarit” e ka shëtitur nëpër arkivin e fotografit slloven Dragisha Modrinjak. Për më tepër shpërfaq edhe një raport jo fort të zakontë të një babai fotograf me birin e tij nevrik që kërkon vazhdimisht vëmendjen e babait. “Orange Peel” (Lëvozhgë portokalli) i regjisores serbe Isidora Vuliq ka qenë rrëfimi i radhës i ekranizuar në animacion. Filmi flet për kthimin e saj me tren e kujtimet lidhen me një fletore dhe një portokall pranë saj. “Transfusioni” nga Kroacia i Vinko Bresan paraqet një botë minimaliste të bazuar në një trekëndësh, një rreth dhe një katror që ngrenë një tension që përshkallëzon në një konflikt midis tri qytetërimeve të teknologjisë së lartë. Regjisorja nga Lituania, Biruté Sodeikaitė, ka ardhur me animacionin “Elena” që shpalos ndryshimet e një jete te re në personazhin kryesor. Ndryshe nga personazhi Elena, ai në filmin e regjisorit grek Dimitris Simou përpëlitet në pasojat e një jete të vështirë në të kaluarën. Charlie i filmit “Tourist” kthehet në ishullin grek ku pati përvojën më traumatike – aty ku djali i tij kohë më parë u mbyt në det.

““Turist’ është për krizën e refugjatëve për atë që ka ndodhur para shumë vjetësh në Greqi. Ai shpjegon se si këto kriza ndikojnë në traumën personale edhe se si ndikohen traumat personale të krizës së refugjatëve ndikojnë në traumën kolektive”, ka treguar regjisori Simou për KOHËN.

Nga kjo histori publiku i kinemasë “Jusuf Gërvalla” ka kaluar në vizatime të bëra symbyllur. “The blind writer” (Shkrimtari i verbër) me skenar e regji të Georges Sifianos nëpërmjet shikimit të bazuar në shenja prekëse pasqyron hutimin e shkrimtarit, i cili vë në dyshim dogmat dhe siguritë. Kategoria e filmave të Ballkanit është pjesë e 177 filmave që janë pjesë e shtatë kategorive garuese. Me këtë kategori organizatorët kanë thënë se janë munduar gjithmonë t’i bashkojnë prodhuesit ballkanas.

“Qëllimi i ‘Anibarit’ që nga fillimi ishte t’u japim hapësirë prodhuesve të Ballkanit – duke krijuar rrjetëzim dhe përvoja mes animatorëve”, ka thënë drejtoresha e “Anibarit”, Arba Hatashi para prezantimit të filmave.

Shkëmbim përvojash e mundësi të reja për animatorët

Image

Mjeshtri i animacionit, Steven Woloshen nga Kanadaja, është njëri prej emrave me peshë të “Anibarit” të sivjetmë. Pos si anëtar i jurisë ndërkombëtare, ai vjen edhe për punëtorinë “Scratchatopia”. Të enjten në “Jusuf Gërvalla” është shfaqur retrospektiva e filmave të tij


Më pas kinemaja ka mirëpritur botën dinamike të krijimit në animacion të regjisorit kanadez Steven Woloshen. Nëpërmjet lëvizjeve të shthurura dhe gërvishtjeve ai synon të krijojë përmbajtje emocionale. Sipas tij, këta filma janë njoftim me punën e tij dhe atë që të rinjtë e këtij edicioni të “Anibarit” mund të mësojnë nëpërmjet punëtorisë së udhëhequr nga ai.

“Gjërat që do t’i shihni këtu janë të mundshme që edhe ju t’i realizoni vetë”, ka thënë ai para shfaqjes së filmave që kanë zgjatur për më shumë se një orë. Teksa ekrani i kinemasë ka qenë i përqendruar te filmat e tij, në galerinë e qytetit regjisorët kanë ngritur shumë pyetje rreth bërjes së animacionit në vendet e tyre, për përkrahjen që kanë nga institucionet dhe vullnetin për ta praktikuar atë. Në mbrëmje, publiku ka dalë në kinemanë jashtë qytetit për të ndjekur filma të kategorisë ndërkombëtare e për të vazhduar me ata të kategorisë së studentëve ne kinemanë “Kubat”.

“Anibar” në përplasje të botëve dhe temave të ndryshme premton që ta pasurojë audiencën me stile të ndryshme të animacionit edhe për pesë ditë të tjera, deri me datën 19 korrik, kur përmbyllet edicioni i 13-të i “Besëtytnive”.