Nëse dita e dytë do të sintetizohej në diptik, pjesa e parë do të ishte ajo me ndezjen e projektorëve për animacione që e kanë njeriun në fokus, pak veta në sallë dhe e dyta do të ishte ajo për marrëveshjen gati gjysmë milioni euroshe që i jep Franca, e në thelb ka përkrahjen e animatorëve të rinj të Kosovës, udhëheqësit e së cilës ambasadori francez nuk mund t’i përshëndesë, sepse nuk janë aty
“Jemi bërë si robotë”, është një deklaratë sa tallëse, aq edhe përshkruese e gjendjes së atyre që thonë se punojnë shumë dhe zakonisht bëjnë punën e njëjtë. Por, kur fenomenet shoqërore vijnë në ekran si produkt arti, imagjinata shkon më tej. Bile, kur bëhet fjalë për animacion, revolta shkon deri te njeriu që shndërrohet në printer.
Kështu ndodh me Marlenan në animacionin “Seniors 3000” nën regji të Julien David e skenar të Yacine Badday dhe Julien David. Marlenas i thuhet se ka arritur në një moshë dhe më nuk është e dobishme në kompaninë ku punon. Do të thotë është njëfarë “teprice teknologjike”, togfjalësh që në këto anë njihet mirë. E ajo revoltohet duke u shndërruar në printer për të dëshmuar të kundërtën.
Ky qe veç një prej shtatë filmave të animuar të programit të veçantë “Monstruosa” të martën në “Anibar”.
Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar të hënën paradite ka hapur portat e kinemasë së qytetit për t’i ulur të interesuarit përballë ekraneve të mëdha. Filmat i shkojnë për shtat temës së sivjetme, “Shembe patriarkatin!” Po në ditën e dytë “Anibari” ka finalizuar një marrëveshje që vendit i sjell 480 mijë euro nga Qeveria e Francës. Destinimi: trajnimi dhe pavarësimi i të rinjve për të prodhuar përmbajtje audiovizuele.
Gratë përballë burrave dhe telashet shoqërore
Programi “Monstruosas” është po ashtu nga Franca. Vjen nga kompania e me bazë të Monpellier, “Miyu Distribution”. U kushtohet veç grave. Në filmat e këtij programi realiteti nuk zë vend. Imagjinata e kalon atë. Te “Godzalina” nën regji të Lucile Paras, një vajzë që ngacmohet rrugëve të Parisit ndihmohet nga një krijesë jonjerëzore që i zvogëlon meshkujt që ngacmojnë atë. I bie që goxha një numër burrash parisienë të kthehen në shtatshkurtër. Madje edhe shumë policë. Filmat vijnë si njëfarë përgjigjeje e frustrimit të grave në raport me burrat. Ata nxjerrin në pah njëfarë ambicieje njerëzore, por me elemente krejt jonjerëzore për fuqi. Krejt kjo buron nga përballjet e vështira që kanë me burra. Por telashet midis njerëzve apo grupacioneve vijnë në forma të ndryshme në “Anibar”. Në katër lokacione, përfshirë edhe mundësinë e “VR” ku “hyhet” brenda filmave, në dhjetë kategori plotësohet mozaiku i animacioneve që shfaqen këtë vit nga e hëna deri të dielën që vjen. Telashet shoqërore janë të ndryshme, përderisa te Kategoria e të drejtave të njeriut – njëra prej gjashtë kategorive garuese – të martën janë shfaqur disa rrëfime.

Zhvendosja në diktaturën e Rusisë
Në tetë minuta “Kissing Day” sjell versionin real, por nëpërmjet animacionit të asaj që kishte ndodhur në Rusi këtu e 12 vjet më parë. Regjisorja Ligebita Libera nëpërmjet një interviste me gazetaren e njohur ruse, njëherësh aktiviste e komunitetit LGBTQ, Elena Kostyuçenko, ka zbuluar shumë gjëra që i kanë hyrë në punë në animacion. Filmi nis me një çift grash që marrin vesh se me ligj shteti ua ndalon marrëdhënien përderisa, organizatat që merren me këto punë kualifikohen si ekstremiste. Drama në film shkon deri në skajin sa e ëma i lutet së bijës që të braktisë vendin e saj, shkaku se nuk gëzon liri dhe rrezikon të hyjë në burg. Animacioni tregon historinë e aksionit “Dita e puthjes” të vitit 2012 gjatë seancave të para të shqyrtimit të Ligjit kundër “propagandës së homoseksualëve” midis të miturve. Janë situata ku realja e animacioni bëhen bashkë për të rrëfyer jetën nën diktaturë. Në Rusi s’bën punë animacioni, por të paktën pjesës tjetër të botës i tregohet edhe nëpërmjet këtij mediumi për atë që ndodh nën pushtetin e një diktatori që edhe kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Edhe filmat e tjerë të dhënë në këtë kategori gjatë ditës kanë shpërfaqur situata të ndryshme të mohimit të të drejtave të njeriut. Por një problem në vete jo veç të “Anibar”, por te shumica e festivaleve në Kosovë mbetet audienca. Është vështirë të shkohet përtej vullnetarëve e mysafirëve të ngjarjes. Është diçka që nuk po mund të tejkalohet. Te “Monstruosas” të pranishëm kanë qenë nja 20 veta, kurse te Kategoria e të drejtave të njeriut, dyfishi. Bëhet fjalë për njerëz që s’kanë nevojë për “leksione” sa u përket fenomeneve si patriarkati, pasi janë aso që kontribuojnë me prodhime a ndihmë për t’u shfaqur projekte që luftojnë për barazi. Ekziston edhe gatishmëri e madhe e të pranishmëve që të deklarohen për fenomenin që trajtohet apo filmat që shfaqen. Ta zëmë një animatore nga Pakistani nuk e ka hiç telashe që të japë mendime për filmat e shfaqur në Kategorinë e të drejtave të njeriut, edhe pse në pjesën më të madhe të tyre ka fjetur me një gërhitje jo fort të lartë në raport me audion e projekteve që janë shfaqur.
Franca në mbështetje për industri të animacionit në Kosovë
“Anibar” përtej shfaqjes së filmave të animuar e ngritjes së kauzave e ka në fokus edhe ndihmesën e të rinjve që ia mësyjnë animacionit. Historia e kësaj nisme zë fill me një të ri të rrethit të Pejës. Më 2017 Argjend Haxhiaj do të kërkonte nga organizatorët ndonjë ide se ku mund të mësonte më shumë për animacion. E prej aty nisi edhe Akademia e Animacionit. Ajo që organizatorët e shohin si “Wake up call” nga një asokohe 13-vjeçari. Por tash gjërat kanë ndërruar për të mirë.
Të martën “Anibar” ka nënshkruar Marrëveshjen që sjell në Kosovë 480 mijë euro. Bëhet fjalë për një projekt 18-mujor që ka për qëllim trajnimin, përshpejtimin e pavarësimin e animatorëve të rinj dhe organizimin e një panairi të sipërmarrjeve të reja franko-kosovare.
Pasditen e së martës drejtori ekzekutiv i “Anibarit”, Vullnet Sanaja, ka nënshkruar Marrëveshjen me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, nëpërmjet së cilës Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës financon projektin “Génesis” që do të implementohet nga “Anibari” dhe Instituti i Francës në Kosovë, i themeluar në mars të këtij viti në kuadër të edicionit të 24-t të Javës së Frankofonisë.
Pak para se të nënshkruhet Marrëveshja, drejtori ekzekutiv i “Anibar” Vullent Sanaja, ka thënë se organizata që ai udhëheq ofron një platformë që bashkon njerëzit përreth filmit të animuar.
“Me Akademinë e Animacionit ne kemi krijuar gjeneratë të re të animatorëve. Tash po nis një rrugëtim i ri bashkë me partnerët tanë. Qëllimi është që të fuqizohen animatorët e rinj dhe që ata të shkëmbejnë përvoja me kolegët e tyre francezë. Bashkë po ndërtojmë ura për të rinjtë e vendeve tona”, ka thënë ai.
Kurse ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka thënë se industria audiovizive në Francë luan një rol shumë të rëndësishëm në identitet, kulturë dhe ekonomi. Ka treguar se më shumë se 250 mijë veta janë të punësuar në rreth 13 mijë kompani në të gjithë Francën.
Ka thënë se projekti që po lansohet është rezultat i partneritetit afatgjatë dhe i njohjes së Kosovës në skenën ndërkombëtare të industrisë kulturore dhe krijuese. Ka përmendur festivalet prestigjioze përfshirë atë të Cannes, ku filmat nga Kosova kanë marrë pjesë. Po ashtu, ka përmendur edhe Marrëveshjen midis Francës e Kosovës për bashkëprodhim filmash. Ka thënë se do të rrisin mbështetjen për tri festivale: “Anibar”, “DokuFest” dhe “PriFilmFest”.
“Objektivi kryesor i këtij projekti është të ndihmojë profesionistët e rinj kosovarë në animacion të krijojnë mikro-kompanitë e tyre në përpjekje për të rritur ndërmarrësinë në vend dhe me efekte që arrijnë shumë përtej vetë Kosovës”, ka thënë Guérot. Ka sqaruar se projekti i përbashkët përfshin tre sekuenca.
“Së pari, trajnimi e inkubacioni. Kjo do të jetë sekuenca më e gjatë. Gjatë kësaj faze do të kemi rreth 65 studentë premtues dhe të parakualifikuar nga ‘Anibar’ dhe Instituti Francez në Animacion dhe në gjuhën frënge. Ky formim do t’u ndihmojë gjithashtu studentëve të përcaktojnë një rrugë më të qartë karriere. Në fund të trajnimit, disa studentë do të kenë mundësinë të bëjnë udhëtime studimore në Francë me profesionistë të fushës”, ka thënë ai. Sipas tij, sekuenca e dytë është ajo e përshpejtimit ku studentët duhet të përgatisin prezantimin e një projekti që do ta paraqesin para një grupi ekspertësh të zgjedhur nga partnerët ku studentët e përzgjedhur më pas do të punojnë në krijimin e mikro-ndërmarrjeve të tyre me ndihmën e një mentori.
“Projekti i mikro-ndërmarrjes mund të fokusohet në një nga tre sektorët e mëposhtëm: prodhim filmash, videolojëra ose prodhimi i videove të tjera. Një numër i caktuar i këtyre projekteve do të përfitojë nga financimi për të krijuar dosjet e tyre të prezantimit në katër gjuhë: shqip, anglisht, frëngjisht dhe serbisht. Së fundi, një komitet tjetër ekspertësh do të përzgjedhë projektet përfundimtare të cilat do të marrin fonde për t’i ndihmuar ata të krijojnë mikro-ndërmarrjet e tyre”, ka thënë ai. Krejt në fund ka sqaruar se do të bëhet organizimi i panairit të ndërmarrësisë së re francezo-kosovare.
“Besoj fuqishëm se ky projekt do të përfitojë shumë e shumë aktorë, në Kosovë dhe në Francë. Do të ndihmojë ngritjen e një brezi të ri të talentuar profesionistësh të animacionit. Do të përfitojnë të gjithë këta studentë-sipërmarrës të rinj, por edhe çdo aktor i fushës multimediale në Kosovë”, ka thënë ai në ditën e dytë të edicionit të 15-të të “Anibarit” nëpërmjet fjalimit ku te përshëndetjet ka pasur prej presidentes së Kosovës, deri te kryeministri, ministri i Kulturës e kryetari Komunës së Pejës, por i është dashur ta shmangë këtë pjesë ,pasi nuk ka qenë aty asnjëri prej tyre. Pavarësisht kësaj mungese të udhëheqësve institucionalë, në një ceremoni ku përfitojnë gati gjysmë milioni euro të rinjtë e vendorë të vendit që udhëheqin, animimi i animatorëve të rinj vazhdon. Deri të dielën në punëtori e ligjërata të interesuarit do të “prekin” aspekte të ndryshme të animacionit. Baza sivjet është te “Shembe patriarkatin!”. E “Anibar” po mundohet ta bëjë këtë. Pas vetes ka të rinjtë në forma të ndryshme, e ndryshimi fillon prej tyre. Edhe ai për “Shembje të patriarkatit”.