Kulturë

“Anibar” sivjet me 134 filma ilustron botën e animacionit

Anibar

Në kuadër të Garës kryesore, asaj Ndërkombëtare, garojnë gjithsej 17 filma. Në program janë përshirë filmat “Zima” i Tomek Popakul dhe Kasumi Ozeki, “Margarethe 89” i Lucas Malbrun, “Father’s letter” i Alexey Evstigneev, “Our Uniform” i Yegane Moghaddam, “Wonder to wonder” i Nina Gantz, midis të tjerësh

Ftesa për ta shtypur patriarkatin që vjen nga “Anibari” sivjet do të bëhet me gjithsej 134 filma të animuar të ndarë në nëntë kategori, gjashtë prej tyre garues. Datat dihen: prej 15 deri më 21 korrik. Edhe tema “Smash the Patriarchy”, të cilën Festivali Ndërkombëtar i Animacionit e publikoi javën e kaluar. Në javën e tretë të korrikut nis edhe shpalosja e programit për sivjet.

Filmat që ndërtojnë edicionin e sivjetmë janë krijime të veçanta që vijnë nga të katër anët e botës. Është e qartë se janë të stileve, teknikave e me qasje të ndryshme.

Sivjet është veç një film vendor në program – “Flower of a thousand colors” i Ilir Gashit në kategorinë e Audiencës së Re, jashtë garës. Por janë dy filma të animatorëve nga Shqipëria: “The salmon coronach” i Indrit Mesitit, që është në kategorinë e Videoanimacioneve Muzikore, ndërsa Ramona Kristo e ka punuar filmin “Keep” bashkë me  Andrei Campan.

Vitin e kaluar Flaka Kokolli me “Ninulla F” dhe “Këtu – Different Dreams” në Garën e Videoanimacionit Muzikor ishte konkurrente vendore. “Ninulla F” kishte triumfuar në këtë kategori. “The Root” i Finesa Pejës garonte në kategorinë e Audiencës së Re.

Prezantimi i programit të edicionit të sivjetmë është bërë vetëm një javë pas lansimit të temës “Smash the Patriarchy!”.

Në kuadër të garës kryesore, asaj ndërkombëtare, garojnë gjithsej 17 filma. Në program janë përshirë filmat “Zima” i Tomek Popakul dhe Kasumi Ozeki, “Margarethe 89” i Lucas Malbrun, “Father’s letter” i Alexey Evstigneev, “Our Uniform” i Yegane Moghaddam, “Wonder to wonder” i Nina Gantz, midis të tjerësh.

Më së shumti filma janë në kategorinë e Garës Studentore. Gjithsej 28. Midis të tjerësh, “Muscle Man in: Metal Mayhem” i Nicolas Laurent Gemoets, “Humanity” i Tereza Kovandora, “Don’t die” i Yuseon Park, “Keep out” i Tan Lui Chan e “In loving memory” i John Eaton.

Në kategorinë e Garës Ballkanike përfshihen filmat “Zarko, you will spoil the child!” i Veljko dhe Milivoj Popovic, “Underground” i Yiannis Christoforou, “Butterfly” i SUNCANA Brkulj, “The family portrait” i Lea Vidakovic, “The Illuminer” i Lachezar Velinov dhe “Three Birds” i Zarja Menart.

Në Kategorinë e Videoanimacioneve Muzikore janë 22 filma, ndërsa në “Panorama”, që është jashtë garës, janë gjithsej shtatë.

“Anibar” ka bërë të ditur se programin në këto kategori e ka kuruar drejtori artistik i festivalit, Petrit Gora, ndërsa përzgjedhjen e filmave në Garën e Audiencës së Re dhe të Filmave për të Drejtat e Njeriut, Vita Kasapolli.

“Nga një numër prej 1532 filmash nga 77 vende të botës, ekipi i programit ka arritur të përzgjedhë gjithsej 134 filma të animuar, të ndarë në 9 kategori, 6 prej të cilëve janë garues, (Gara Ndërkombëtare, Studentore, Ballkanike, Videoanimacioneve Muzikore, e të Drejtave të Njeriut dhe e Audiencës së Re). Ndërkaq programet e veçanta të kuruara nga profesionistë të fushës do të bëhen publike së shpejti”, i ka thënë Kasapolli KOHËS.

Sipas saj, Festivali ka pasur më shumë zgjedhje sivjet si rrjedhojë e numrit më të madh të filmave që kanë aplikuar për pjesëmarrje.

“Nga aplikimet që kemi marrë sivjet, kemi pasur mundësinë që të kemi ende më shumë opsione në përzgjedhje, por që kanë rezultuar edhe në raste të mospranimit të filmave shumë të mirë, për shkak të programit shumë të ngjeshur gjatë festivalit”, thuhet në përgjigjen e saj me shkrim.

Para Festivalit, ekipi i “Anibarit” do të rrugëtojë nëpër qytete të rajonit me qëllim që ta informojë publikun rreth ngjarjes.

“Tashmë shumica e punëve të mëdha kanë përfunduar. Për momentin fokusin e kemi te trajnimi i gjeneratave të reja të cilat do të përfshihen në Festival, si dhe në turin e Festivalit i cili përfshin qytete në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, dhe do të zgjasë deri më datën 4 korrik”, ka thënë ajo derisa e ka theksuar edhe rolin e Festivalit në avokimin për gjithëpërfshirje.

“’Dashni’ dhe ‘Smash the Patriarchy’, por edhe temat paraprake kanë qenë gjithmonë në një formë apo tjetrën të ndërlidhura me pozitën e shoqërisë kosovare, dhe kanë reflektuar situatat aktuale në kontekstin lokal. Megjithëse qasja dhe kahja e temës mund të variojë nga edicioni në edicion, roli dhe synimi i Festivalit mbeten të njëjtë. Pra, avokimi për gjithëpërfshirje, barazi, pranim dhe diversitet. Në rastin e vjetëm, Festivali ka pasur qëllim të festojë dashninë, ndërsa këtë vit e sulmon një faktor të rëndësishëm të kufizimit të shprehjes lirshëm të ‘dashnisë’”, ka shpjeguar Vita Kasapolli, koordinatore për media në “Anibar”.

Ka thënë se tema e sivjetme e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar është “formë revolte ndaj shkaqeve dhe efekteve të shoqërisë patriarkale në të cilën jetojmë”.

“Patriarkati si sistem i dëmshëm për të gjitha gjinitë, afekton mirëqenien individuale dhe kolektive, duke përcaktuar dhe imponuar rolet gjinore. Rrjedhimisht në një shoqëri patriarkale janë lehtë të cenuara të drejtat për t’u shprehur lirshëm, për të pasur siguri, trajtim dhe respekt të njëllojt, në aspektin ekonomik, politik, social, edukativ etj. Festivali ‘Anibar’ këtë vit synon që përmes temës ‘Smash the Patriarchy’ të arrijë të shpërfaqë dëmet e sistemit patriarkal, duke trajtuar fillimisht shkaqet dhe duke marrë për bazë përvojat dhe perspektivat e ndryshme të grupeve të ndikuara direkt dhe indirekt nga po ky sistem”, ka thënë Kasapolli më tej.

Festivali përfshin edhe Programin Eksperimental që është kuruar nga Panot Mahmutaj.

Përzgjedhja e temave është një prej anëve të forta të “Anibarit”. Vjet me “Dashni” synonte dashurinë e pakufishme, ndërsa një vit më parë numrit 13 të edicionit i ishte kundërpërgjigjur me “Besëtytnitë”.

“Anibarit” që prej edicioneve të para nuk iu deshën shumë vjet për t’u shndërruar në festival unik jo vetëm në rajon. Pati rol parësor në fuqizimin e animacionit në Kosovë jo vetëm duke shfaqur filma, por edhe duke mbështetur prodhimin. Sivjet me tre filma vendorë në garë është vetëm edhe një dëshmi. Edhe në këtë edicion vjen me animacionin në radhë të parë.