Kulturë

“Anibar” numëron së prapthi për ndezjen e projektorëve me “Dashni”

Me rreth 140 filma, Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” vjen me edicionin e 14-të. Në program janë edhe panele diskutimi, masterklasa, punëtori, mbrëmje muzikore e të tjera, sikurse edhe tri programe speciale. Katërshja e filmave nga Kosova ka edhe një tjetër kuptim përderisa “Anibari” ngulmon ta fuqizojë prodhimin vendor. “Love|Dashni” e edicionit të sivjetmë nis të hënën

“Anibari” është gati për ndezjen e projektorëve me “Dashni” dhe këtë e ka rikonfirmuar edhe me konferencë për media tri ditë para hapjes zyrtare në Pejë. Detajet e fundit janë shpalosur të premten në Prishtinë dhe organizatorët u janë adresuar adhuruesve të filmit të animuar teksa i kanë siguruar se i pret një pako filmash nga e gjithë bota, plot surpriza e mbi të gjitha dashuria. “Love|Dashni” është tema e edicionit të 14-të që nis të hënën. Janë 138 filma në gjithsej nëntë kategori prej të cilave shtatë garuese e dy jashtë garës. E në listat e filmave garues, të publikuar tashmë edhe në web-faqen e festivalit, në mes filmave ndërkombëtarë, mund të shihet edhe katër filma nga Kosova.

Në program janë edhe panele diskutimi, masterklasa, punëtori, mbrëmje muzikore e të tjera, tri programe speciale si dhe gara e “Pitchi”-it . E, interesimi për t’u bërë pjesë e këtij festivali, ka qenë jashtëzakonisht i madh. Në adresë të festivalit qenë nisur hiç më pak se 1 mijë e 509 filma.

Koordinatorja e programit të festivalit, Vita Kasapolli, ka zbuluar detaje të hollësishme për secilin program dhe kategori konkurruese e jo konkurruese të festivalit.

“Këtë vit i kemi nëntë kategori ku janë shtatë gara duke e përfshirë garën ndërkombëtare me 18 filma të ndarë në katër programe të cilat do të shfaqen në kinematë e hapura të festivalit domethënë në kino ‘Liqeni’ dhe kino ‘Kubat’. Brenda kësaj gare ka filma nga e gjithë bota e animacionit e gara do të hapet me filmin ‘27’, i cili edhe do të ketë premierën në këtë pjesë të regjionit”, ka bërë të ditur ajo.

Në kategoritë garuese hyn edhe gara e studentëve e cila këtë vit është e ndarë në katër programe dhe pritet të shfaqet për katër ditët e festivalit. Kjo kategori përmban filma të prodhuar nga studentë të cilët merren me programe të animacionit kudo nëpër botë.

Te kategoria e “Animacioneve muzikore” janë tre filma nga Kosova. Bëhet fjalë për “Ninulla F” e Flaka Kokollit, “Këtu – Different Dreams” me regji të Flaka Kokollit dhe Nora Jusufit si dhe “T’huj” nga Lorna Cekixhi dhe Joan Kamberaj.

“Në garën e ‘Animacioneve muzikore’ për të cilën garë, me kënaqësinë më të madhe tregoj se do të hapet me një animacion vendor punuar nga Lorna Cekixhi, Joan Kamberaj e që është këngë e këngëtarit Shpat Deda. Si animacion i dytë është prodhimi i animatores Flaka Kokolli dhe Nora Jusufit, e cila është studente e Akademisë së Animacionit ‘Anibar’. Ndërsa do të përfundojë me një animacion tjetër të Flaka Kokollit dhe me këngë të Besa Berberit ‘Ninulla F’ të cilën ia ka dedikuar rivitalizimit të ninullave të vjetra, tradicionale shqiptare”, ka bërë të ditur ajo.

“Gara e të rinjve” u dedikohet grupmoshave të reja dhe përmban gjashtë programe. Kjo garë pritet të hapet me animacionin nga Kosova, “Roots” të Finesa Pejës. Kjo sikurse edhe Flaka Kokolli janë emra që kanë dalë nga “Akademia e Animacionit” e cila zhvillohet nga vetë festivali “Anibar”. E një traditë e tillë ka marrë shtytje edhe më tutje me programin “Pitch in”.

“Risi e këtij viti është gara e “Pitch it” e cila për herë të parë po organizohet në mënyrë formale në festival. Qëllimi i garës është që me e ndihmu industrinë dhe produksionin e filmave të animuar. Para garës do t’i paraprijë një punëtori që do t’i trajnojë të rinjtë që t’i ‘pitch’ projektet e tyre në mediumin e animacionit për t’i përgatitur projekt-propozimet e tyre, por në të njëjtën kohë edhe aftësi të buta të cilat duhen për këtë gjë specifike”, ka bërë të ditur Arba Hatashi, drejtoreshë e festivalit.

Në ditën e fundit të festivalit do të mbahet edhe gara e “Pitch it” ku pritet të përzgjidhen gjithsej tre të rinj të cilët do të përkrahen në forma monetare e në të njëjtën kohë edhe në mentorim.

Teksa ka folur për rëndësinë e shtyrjes së të rinjve në realizimin e animacioneve, Hatashi ka bërë të ditur gjithashtu se përgjatë ditëve të festivalit do të organizohen edhe pesë punëtori.

“’Anibar’ është themeluar edhe me idenë që të rinjtë të kenë mundësi të aftësohen në fushën e animacionit. Në këtë rast, komponenti i edukimit që i organizojmë gjatë shtatë ditëve të festivalit është një prej komponentëve më të rëndësishme që mundohemi t’i ofrojmë për grupmoshat e ndryshme. Këtë vit do t’i kemi pesë punëtori të cilat do të ndodhin gjatë ditëve të festivalit për grupmosha nga ajo gjashtëvjeçare deri te ato punëtori që janë profesionale për komunitetin dhe industrinë e animacionit në Kosovë”, ka thënë ajo.

Në kuadër të filmave garues hyn edhe Gara Ballkanike me tetë filma dhe ajo e Filmave për të drejtat e njeriut që merren me trajtimin e problemeve të mëdha siç është vrasja e foshnjave vajza në Kinë apo vrasja e Mahsa Aminit në Iran.

E programi i aktiviteteve që ofron këtë vit “Anibar” është edhe më i gjerë. Përfshin edhe tri programe speciale, ku hyjnë Programi Virtual, “Queer Toons” dhe “WTF”.

“Do të shfaqen filmat virtualë që do të shfaqen në Galerinë e Artit në Pejë. Pastaj është programi ‘WTF’ që së bashku me programin virtual kanë zbarkuar nga festivali më i madh dhe më i vjetër i animacionit, ‘Annecy Film’ (i Francës v.j.) dhe janë të kuruar në një mënyrë që ta nxjerrë audiencën nga zona e komfortit, me i shty pak në siklet, është goxha komik. Programi ‘Queer Toons’ i kuruar nga Marko Dješka është dedikuar komunitetit queer dhe vjen si urë lidhëse mes audiencës dhe personave që i përkasin komunitetit Queer”, ka bërë të ditur Kasapolli.

Për pjesën tjetër të aktiviteteve ka folur koordinatorja për media e festivalit, Rina Statovci. Ka bërë të ditur se njëra ndër temat e panelit do të jetë edhe ndërlidhja e horoskopit me dashurinë.

“Këtë vit, duke e marrë para sysh që tema është dashuria katër panelet që do të mbahen përgjatë festivalit lidhen direkt me temën e dashurisë në botën e animacionit dhe mënyrat e tjera se si e shprehim dashurinë. Disa prej këtyre paneleve kanë me qenë në ndërlidhjen e astrologjisë dhe dashurisë pra ndërlidhja me horoskopin dhe si e perceptojmë në njëfarë forme dashurinë përmes saj. Do të bisedojmë më gjerësisht rreth astrologjisë në dashuri”, ka thënë ajo.

Ndër temat që do të trajtohen gjatë paneleve të diskutimit do të jenë edhe ato për komuniteti queer në Kosovë, dashurinë ndaj vetvetes si dhe ndikimin e kinematografisë në perceptimin e dashurisë.

“Tema tjetër është kodi civil ku do të diskutojmë rreth martesës së personave të gjinisë së njëjtë dhe problemeve që këta persona të komunitetit queer kanë në Kosovë dhe jo vetëm. Do të flasim për një dashuri që është shumë e rëndësishme e që është dashuria ndaj vetes. Pse është kaq e rëndësishme dhe pse duhet të kesh përherë dashuri për veten. Ndikimi që ka kinematografi në mënyrë se si e perceptojmë dashurinë përmes filmave të ndryshëm. Pra, qysh regjisorët e ndryshëm tregojnë dashuri qoftë romantike”, ka bërë të ditur ajo.

“Anibarit” që prej edicioneve të para nuk iu deshën shumë vjet për t’u shndërruar në festival unik jo vetëm në rajon. Pati rol parësor në fuqizimin e animacionit në Kosovë jo vetëm duke shfaqur filma, por edhe duke mbështetur prodhimin. Sivjet me katër filma vendorë në garë, është vetëm edhe një dëshmi. E në këtë edicion vjen me “Dashni” për animacionin, në radhë të parë.