Kulturë

Anëtarët e Filharmonisë në protestë kundër çakordimit me paga

Filharmonia e Kosovës është njëri prej institucioneve, i cili ende nuk ka zgjidhje për çështjen e koeficientit të pagave. E mungesa e përgjigjes nga ana e Ministrisë së Kulturës, të hënën i ka nxjerrë në shesh. Shoqata e Sindikatës së Filharmonisë së Kosovës, ka protestuar me kërkesën për trajtim të barabartë në paga. Grupi i Filharmonisë “doli në podium” pa duartrokitjet e publikut e pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë

Për Filharmoninë e Kosovës, të zakonshme janë hapësirat e pazakonta për interpretim. Të hënën pasdite disa pjesëtarë të saj kanë zbarkuar edhe në sheshin e kryeqytetit. Anash krejt sfidave të tjera që publikut i shfaqen qartazi në koncerte, anëtarët e Korit e të Orkestrës janë zhvendosur nën qiell të hapur me tjetër qëllim. Me përgjegjësinë e institucionit që e përfaqësojnë e seriozitetin që reflektojnë në skenë, i kanë shfaqur pakënaqësitë. Të hënën pasdite kanë protestuar për trajtimin e pabarabartë në pozita të njëjta sa u përket pagave që ua përcakton koeficienti.

Interpretimi i pjesës korale “Të falemi o dhe” nga opera “Dasma Arbëreshe” e kompozitorit Rauf Dhomi ka qenë thirrja e Shoqatës Sindikale të Filharmonisë së Kosovës në protestën disaminutëshe para objektit të Ministrisë së Kulturës. Trupa e Filharmonisë, institucionit vartës të Ministrisë, “doli në podium” pa duartrokitjet e publikut e pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë.

Protestës së tyre nuk i është përgjigjur askush nga personeli i Ministrisë së Kulturës. I pranishëm nuk ka qenë as menaxhmenti i Filharmonisë së Kosovës. Sindikata e Filharmonisë ka paralajmëruar hapa të tjerë nëse nuk zgjidhet problemi.

Për problemet e paralajmëruara qysh në muajin shkurt, nuk është bërë e ditur se është gjetur zgjidhje. Kur Ministria e Kulturës i kishte publikuar shifrat e pagave, rritje ka pasur vetëm në disa kategori. Sqarohej se drejtorët e institucioneve qendrore të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore nga 605 euro bruto, do të kenë pagë prej 1365 eurosh. Drejtorët e qendrave rajonale të trashëgimisë kulturore prej 484 eurosh, në 945 euro. Kuratori i Galerisë prej 637 në 1155 euro e profesionistët e trashëgimisë kulturore prej 637 në 840 euro. Instrumentistëve të parë në Filharmoni prej 675 eurosh iu bë paga 892 euro, aktorëve prej 720 në 840 euro, balerinëve prej 675 në 892 euro e valltarëve të “Shotës” prej 521 në 840 euro.

Por këto paga janë veç për kategoritë e para të punonjësve, pasi profesionistët e artit dhe të kulturës ndahen në disa kategori. Qysh atëherë, institucionet e edhe vetë MKRS-ja nuk e kishin të qartë se çfarë do të ndodhë.

Kryetari i Sindikatës së Filharmonisë së Kosovës, Shaban Behramaj, ka bërë të ditur se në takimin me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, pikërisht të hënën paradite, nuk kanë marrë përgjigje në këtë çështje.

“Në takimin që është mbajtur sot nuk është se kemi dëgjuar diçka të re, thjesht sipas ministrit, kjo punë do të rregullohet, por ajo që na intereson ne, është ta dimë se kur do të rregullohet, sepse janë shkelur disa afate ligjore deri më tash nga Ministria. Për ne është e pakuptimtë të vazhdojmë të presim më tutje. Ajo çfarë ne presim është një deklaratë publike se kur do të rregullohet e gjithë kjo dhe ne do të presim deri në përmirësimin e këtij gabimi, që ata e quajnë gabim”, ka thënë Behramaj, anëtar i Korit të Filharmonisë. E ka quajtur “gabim trashanik” çështjen e pagave dhe “diskriminim brenda institucionit”.

“Siç e kemi cekur në deklaratat tona publike, anëtarët të cilët kryejnë të njëjtat punë me të njëjtat përgjegjësi dhe kanë të njëjtën kontratë, paguhen ndryshe nga njëri-tjetri, kurse një pjesë e tyre kanë marrë edhe retroaktivisht dhe normalisht se kjo ka ngjarë pakënaqësi të madhe te të gjithë anëtarët”, ka thënë Behramaj.

{gallery}

Punonjësit e institucionit më të lartë shtetëror të muzikës serioze kërkojnë të rregullohet me urgjencë kjo çështje.

“Ne lusim qoftë Ministrinë e Kulturës, qoftë Ministrinë e Punëve të Brendshme që ta marrin më me seriozitet këtë çështje dhe me urgjencë ta rregullojnë atë. Kemi pritur mjaft, gjithmonë me shpresë se kjo procedurë do të finalizohet, sepse edhe për ne si artistë, protesta ka një shije të pakëndshme”, ka thënë Behramaj.

Në përkrahje të protestës ka dalë edhe kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Kosovës, Rrahman Jasharaj. Ka thënë se anëtarët e Filharmonisë së Kosovës meritojnë paga dinjitoze dhe trajtim të barabartë.

“Ne sot kemi ardhur të solidarizohemi me ta si anëtarë tanë që janë, me kërkesat e tyre të ligjshme. Ishte kjo një protestë shumë e veçantë, filloi me një repertor të tyre. Këta njerëz na përfaqësojnë kudo në botë dhe ne krenohemi me ta. Uroj që ministri Çeku dhe të tjerët të ulen të bisedojnë me ta dhe të realizojnë kërkesën e tyre që është shumë reale dhe shumë e drejtë, që të mos kemi dallime në paga për të njëjtën punë të kryer”, ka thënë Jasharaj.

Për harmonizimin e krejt procesit fillimisht duhet hartim i rregulloreve. Zana Fetiu, këshilltare politike e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, dy muaj më parë ka thënë për KOHËN se po punohet në to.

“MKRS-ja në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vartëse është duke punuar në hartimin e rregulloreve të organizimit të brendshëm dhe sistematizimit të vendeve të punës, përmes të cilave do të bëhet rregullimi i strukturave të brendshme administrative të institucioneve vartëse dhe klasifikimi i ri i të gjithë zyrtarëve publikë sipas pozitave të përcaktuara me këto rregullore në përputhje me sistemin e ri të pagave”, kishte thënë Fetiu.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, në një përgjigje për KOHËN kishte thënë se ka qenë kërkesë e kahershme dhe e vazhdueshme e tij që punonjësit e Filharmonisë të ndahen në 17 kategori. Siç kishte thënë ai, ashtu funksionon modeli evropian i institucioneve.

“Në Filharmoni është telashe të inkorporohemi në ligjin e ri, që ka tetë kategori. Shtojca e 12-të e Ligjit të pagave është dashur të konsultohej me profesionistë. Prej që ka hyrë Ligji në fuqi vazhdimisht ka paqartësi të logjikshme”, kishte deklaruar Jashari këtë shtator.

Afati i fundit për korrigjime të rasteve të paharmonizuara ishte dita e fundit e muajit shtator. Afati ishte shtyrë, por ende nuk ka zgjidhje për rastet e paharmonizuara.

Për herë të fundit pagat e krijuesve, interpretuesve dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore ishin rritur në nëntor të vitit 2019. Në shtatorin e atij viti fillimisht kishin hyrë në grevë aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës e më pas atyre u ishin bashkuar edhe punonjësit e institucioneve të tjera. Pas negociatave, ministri i Kulturës në atë kohë, Kujtim Gashi, ishte marrë vesh me përfaqësuesit e punonjësve që pagat të rriteshin deri në 50 për qind.

Rritja ishte bërë pa ndonjë planifikim dhe ishte sakrifikuar buxheti i disa projekteve kapitale e ai vjetor i institucioneve. Për vitin pasues pagat ishin paraparë me rritje në Ligjin mbi ndarjet buxhetore.