Bota e pasur e veshjeve popullore shqiptare pati një studiuese që vuri në pah koloritin e tyre si vlera të jashtëzakonshme kulturore. Etnologia e akademikja nga Korça, Andromaqi Gjergji, ishte studiuesja e zellshme që avancoi njohjen për kulturën materiale shqiptare. Me një bibliografi të pasur botimesh në fushën e etnokulturës, fondet e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit sot kanë mbi 30 dosje nga Gjergji që trajtojnë bujqësinë, blegtorinë, mjeshtëritë e zejet, banesat popullore, orenditë shtëpiake, si dhe veshjet popullore
Prishtinë, 11 shkurt – Të qenit akademikja e parë në Shqipëri, nuk është veçantia e saj kryesore. Si studiuese e palodhur, korçarja Andromaqi Gjergji kishte kontribuuar ndjeshëm në etnografinë shqiptare. Për studiuesit e kulturës shqiptare dhe për publikun e gjerë ajo solli trajtimet e para shkencore mbi veshjet popullore shqiptare ndër shekuj, por edhe për mënyrën e jetesës nga mesjeta gjer në modernizëm.
Me rastin e 11 shkurtit, Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Rrjetin Shqiptar të Grave organizuan veprimtarinë “Të jesh e para në traditë”, kushtuar akademikes së parë shqiptare, Andromaqi Gjergji (1928-2015).
Sipari i aktivitetit u hap nga kryetari i ASH-së, Skënder Gjinushi, në praninë e një numri të kufizuar pjesëmarrësish në sallën “Aleks Buda” të institucionit më të lartë akademik në Shqipëri.
Më pas, në fjalën e tij të hapjes, akademik Vasil Tole ka folur për një qasje më të plotë dhe të barabartë të grave dhe vajzave në shkencë.
“Në kёtё ditё edhe ne pёrshёndesim me respekt kontributin e shkencёtareve shqiptare, tё cilat janё nё vijёn e parё tё kёsaj lufte, si prof. Najada Ҫomo dhe koleget e saj”, ka thënë ai.
E historia e studimeve etnologjike është përplot me emra të grave shkencëtare, qofshin shqiptare apo të huaja, si: Elena Gjika, Edith Durham, Margaret Hasluck, Viktoria Puzanova, motrat Qiriazi, Musine Kokalari e deri te biologia e shquar, Sabiha Kasimati, e cila u pushkatua nga regjimi komunist në fillim të viteve ’50.
“Pёr fat tё mirё Shqipëria rezulton me numrin më të lartë të femrave të diplomuara në shkenca, e renditur në vendin e 8-të, nga 114 vende të botës. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Botërore, në Shqipëri 4 nga 10 të diplomuar në shkenca është një femër, me rreth 49 për qind të totalit, duke arritur kështu thuajse një balancë gjinore. Në një krahasim rajonal, Maqedonia ka 45 për qind femra, Bosnjë-Hercegovina me 43, Serbia me 40 dhe Kroacia me 38”, ka thënë veç të tjerash Tole, përcjell njoftimi i ASH-së.
Në vazhdim të aktivitetit, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka thënë se gratë dhe vajzat e shkencës shqiptare edhe sot po i investojnë energjitë e tyre dhe po u bëjnë ballë vështirësive të pandemisë.
“E vlerësoj shumë faktin që Akademia e Shkencave e përkujton këtë ikonë të kulturës sonë”, ka thënë ministrja Kushi.
Udhëheqja e Rrjetit të Grave në Arsim të Lartë dhe Shkencë në Kosovë, Drita Kadriu, ka thënë se përkujtimi i zonjës Gjergji, e para etnologe, është edhe një lloj peshe e përgjegjësisë për brezat e rinj të grave dhe vajzave në rrugën e karrierës së tyre shkencore e akademike.
“Ndiej përgjegjësinë për modelet që ne ju ofrojmë, si dhe kushtet që vendet tona krijojnë për emancipimin e vazhdueshëm shoqëror duke ngritur dhe përkrahur rolin e gruas në zhvillimin akademik e shkencor”, ka thënë Kadriu, ndërsa ka përmendur edhe shembuj grash të suksesshme në Kosovë, si Emine Gashi në shëndetësi, Edi Shukriu në arkeologji, Sala Ahmeti në gjuhësi, Drita Statovci në etnografi, e të tjera.
Në pjesën në vazhdim të aktivitetit, profesoresha Afërdita Onuzi, duke folur për rolin e Andromaqi Gjergjit, ka evokuar përvojën 27-vjeçare të saj në ekspedita e kërkime në terren.
Ajo vuri në dukje edhe kulturën e lartë dhe metodën e rreptë të kërkimit shkencor të etnologes së njohur, që bashkë me profesor Rrok Zojzin “u sollën studimeve të kulturës shqiptare vlera të rralla dhe të veçanta, që spikatin në kulturën etnografike shqiptare”.
Ndërkaq Ermela Broci nga Instituti i Antropologjisë ka përmendur edhe përpjekjet e akademikes Gjergji për emancipimin e gruas shqiptare.
“Ajo ka qenë vazhdimisht e pranishme në jetën shkencore me studime e recensione kritike, me kumtesa e diskutime të mbajtura në kongrese, simpoziume e tubime të tjera shkencore brenda dhe jashtë vendit. Bibliografia e botimeve të saj rezulton mjaft e pasur gjatë periudhës 1952-1979”, ka thënë Broci.
Për kontributet e etnografes Gjergji kanë folur edhe Efigjeni Kongjika, Pëllumb Xhufi, Vasilika Hysi, Lida Miraj, Marenglen Verli e Xhuljeta Harasani.
Etnologe, profesoreshë dhe akademike, Andromaqi Gjergji lindi më 20 maj të vitit 1928 në Korçë. Aty kreu shkollimin fillor dhe atë të mesëm, kurse në vitet 1947-1949 vijoi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës, si dhe filloi punën në sektorin e etnografisë në Institutin e Shkencave. Më vonë do t’i plotësonte studimet e larta duke diplomuar në Degën e Historisë.
Ka punuar si etnologe në Institutin e Historisë dhe Gjuhësisë, e më pas edhe në atë të Kulturës Popullore.
Njihet si një nga studiueset më të mira në fushën e veshjeve popullore shqiptare.
Rezultatet e kërkimeve të gjata shkencore në terren (1949–1981) dhe të studimeve të saj i ka pasqyruar në një varg artikujsh dhe në veprën përgjithësuese: “Veshjet shqiptare në shekuj” (Tiranë, 1988). Një numër studimesh të saj i kushtohen mënyrës së jetesës, kushteve materiale të jetës familjare e shoqërore, sidomos në fshat, që janë përmbledhur në botimin “Mënyra e jetesës në shekujt XIII–XX” (Tiranë, 2002).
Ishte bashkautore në veprat: “Histori e artit shqiptar” (1990), “Veshje Popullore Shqiptare - Albanian Popular Costumes” (vëll. I, 1999; vëll. III, 2005), “Albania a Patrimony of Europian Values” (2000), si dhe në tekstet mësimore: “Historia e artit shqiptar” (1990), “Veshje popullore” (1989) dhe “Ligjërata për etnologjinë shqiptare” (2001). Andromaqi Gjergji është e para grua anëtare e Akademisë së Shkencave (1999), kurse u dekorua edhe me urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”.