Nëpërmjet filmave të saj, Aulona Selmani ka thënë se synon të prekë tema mbi sfidat e popullit të Kosovës. Vitin 2023 e ka shënuar me “And the wind weeps” dhe “Si në vaj”, dy filma të metrazhit të shkurtër të prodhuar në Zvicër. I pari është alarm, i dyti ka një qasje personale. Për të dy filmat ka pasur nga kasta emra të shquar aktorësh nga Kosova, të cilët e çmojnë bashkëpunimin me të. Selmani rrëfen për historitë prapa filmave përderisa ka nisur përgatitjet për të debutuar në film të metrazhit të gjatë
Dauti, një i mbijetuar i masakrës ku ia vranë djalin, ka njëzet vjet që ushtron të shkruajë në një letër se çfarë do të thotë nëse Haga e thërret ndonjëherë për të dëshmuar për tmerret që ka parë atë ditë. Barra e kujtimeve rëndohet kur merr lajmin se vëllai i tij vdiq nga një sëmundje. Dauti mbetet i mbijetuari i fundit që kujton ngjarjen. Mendja e tij nis të dështojë në detaje të rëndësishme të dëshmisë. Ai mund të mos hedhë dritë kurrë mbi rastin e masakrës dhe vdekjen e djalit të tij. Atë e rëndon ndërgjegjja dhe pyetja se a do ta falë i vdekuri që iu dorëzua harresës.
Në këtë ngjarje bazohet rrëfimi në filmin “And the wind weeps” i regjisores dhe producentes me prejardhje nga Kosova, Aulona Selmani. Filmi i metrazhit të shkurtër në 25 minuta prek një temë të gjerë e komplekse. Këtë e ka pohuar edhe vetë Selmani. Ka thënë që “And the wind weeps” vjen si një lloj përmbledhje e historive mbi traumat e luftës që ajo ka dëgjuar gjatë.
“Edhe pse ka kaluar një kohë shumë e gjatë prej kur ka përfunduar lufta, ato traumat dhe kujtimet nuk largohen asnjëherë e sidomos fakti që shumë prej personave që kanë qenë dëshmitarë të tmerrit dhe nuk janë ftuar asnjëherë prej Hagës me dëshmu për çka kanë parë. Kam dashur ta përçoj si një lloj mesazhi për botën që ka shumë njerëz që asnjëherë nuk kanë arritur ta shohin drejtësinë për ato të padrejta që u kanë ndodhur dhe mund të them që është një gjë alarmante”, ka thënë Selmani.
“And the wind weeps” është xhiruar në qershor të vitit 2022 në Zürich, ndërsa premierën botërore e ka dhënë në “San Sebastian Film Festival” në shtator të vitit 2023, në programin “Nest”, ku prej 421 propozimeve të filmave të ndryshëm prej 53 shteteve, vetëm 13 janë pranuar. Filmi është bashkëprodhim midis “Zürcher Hochschule der Künste - ZHdK” dhe SRF - Radio dhe Televizioni i Zvicrës.

“Jam ndier shumë me fat që kam pasur mundësi ta kem premierën shumë të mirë, ku filmi është pritur jashtëzakonisht mirë dhe pak a shumë është një lloj shtyse për mua që të kem më shumë shpresë për projektin tjetër. Ka qenë hera e parë që kam shfaqur film para një publiku internacional dhe nuk e kam ditur se sa publiku ka njohuri për Kosovën. Një gjë tjetër e mirë ka qenë salla e mbushur me njerëz dhe që në fund të filmit ka pasur shumë kritika të mira”, ka bërë të ditur Selmani.
Bislim Muçaj, Kumrije Hoxha, Armend Smajli dhe Afrim Muçaj janë pjesë e kastës së filmit “And the wind weeps”. Aktori Afrim Muçaj është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin me Selmanin. Ka thënë se e gëzon fakti që një regjisore e re e ka bërë të mundur realizimin e një filmi që flet shumë.
“Me Aulonën është kënaqësi që kam punuar dhe pretendoj të punoj në të ardhmen. Ka qenë një raport i shkëlqyer. Po besoj që kemi bërë role të mira dhe unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij projekti. Ka qenë shumë lajm i mirë për premierën në San Sebastian, pikërisht edhe njëra prej arsyeve është që një regjisore e re, e cila jeton në Zvicër, ka marrë pesë aktorë prej Kosovës për ta xhiruar një film në Zürich, që nuk është edhe aq e thjeshtë, por po konsideroj që po i shpërblehet me gjithë sukseset që filmi ka marrë që në hapat e parë”, ka thënë Muçaj.
Regjisorja Selmani ka treguar se që nga momenti kur ka nisur ta shkruajë skenarin, kastën e ka pasur në mendje. Për të një ekip i tillë ka qenë ëndërr e përmbushur.
“Pikësëpari jam shumë falënderuese për ekipin që e kam pasur, për aktorët që i kam pasur si pjesë e filmit, të cilët kanë punuar shumë. Ka qenë një ekip i përmbushur dhe pa asnjërin nga ta nuk do të kisha mundësi të realizoja një film të tillë, sepse ka qenë si storie e vështirë dhe e ndjeshme për ta punuar vetë, kështu që kur e kam parë që e kam mbështetjen e shumë njerëzve përreth meje ka qenë shumë më lehtë për mua dhe së dyti është shumë më lehtë për punën dhe tërë procesin”, ka thënë Selmani.
Bashkë me filmin “And the wind weeps” ka nisur rrugëtimi i një filmi tjetër nën regji të Selmanit.
“Si në vaj” është projekt kinematografik, i cili e rrëfen historinë e Nadies, luajtur nga aktorja e mirënjohur Ilire Vinca. Dikur një vejushë e re, Nadia vëzhgohet e kontrollohet vazhdimisht nga kunatat e saj rebele. Por pastaj shfaqet një autoportret nga e kaluara e saj, që e vë në pikëpyetje mënyrën se si ajo jeton.
“’Si në vaj’ e ka një vend shumë të veçantë në zemrën time, sepse është një film shumë personal në të njëjtën kohë edhe se kam kaluar shumë mirë me aktoret dhe sidomos me Iliren. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme. Ilirja është fantastike edhe si person, edhe si aktore. Kam mësuar shumë nga ajo në realizim të filmit dhe ia ka dhënë filmit një anë të cilën unë nuk e kam paramenduar në skenar”, ka thënë Selmani.
Aktorja Vinca është shprehur e kënaqur me ftesën që ka marrë nga Selmani për të luajtur rolin e Nadies në filmin “Si në vaj”.
“Kur më ka ftuar Aulona në filmin e saj kam ndier shumë kënaqësi, sepse ka qenë një ekip shumë i mirë. Të gjithë të rinj kanë qenë dhe është përçuar një atmosferë e jashtëzakonshme, e cila shpresoj dhe besoj të jetë transmetuar edhe në film”, ka thënë Vinca.

Producentja dhe regjisorja Aulona Selmani u lind në Zvicër, në vitin 1997. Ka kryer studimet bachelor në degën Film dhe Televizion në Universitetin e Prishtinës dhe studimet master në Degën e Filmit në Züricher Hochschule der Künste.
Me filmin “And the wind weeps” Selmani ka marrë çmimin “Talenti i ri më i mirë” në Poloni, derisa ketë muaj do ta shënojë premierën zvicerane në “Solothurn Film Festival”. “Si në vaj” u dha premierë në festivalin e filmit “Gässli” në Basel, ku është nderuar me Çmimin për regjinë më të mirë dhe Çmimin e publikut.