Kulturë

“Amë” si kontrapunkt i realitetit në kërkim të ngjyrave

Poezitë e saj shtrihen ndër vite, ka shumë sosh te të cilat janë të dallueshme shenjat e protestës ndaj realiteteve të llojllojta, ndaj zymtësisë së përditshmërisë. Edhe kur ka rebelizëm, ruan elegancën. Ngjyrat nuk janë vetëm simbolikë te poezia e saj, dhe një përmbledhje opusit të saj poetik ka pritur jo pak për t’u bashkuar në “Amë”. Ky është titulli i librit i Nora Prekazit, e njohur si aktiviste sociale e artiste, jo edhe aq gjerësisht si poete, ani pse poezitë i janë botuar e përkthyer në antologji të ndryshme. I pari libër me poezi i Prekazit është përuruar në natën e dytë të edicionit të dytë të Festivalit Poetik të Prishtinës.

Në “Amë” ajo përdor vargun si një instrument për ta futur veten në binarët që e dërgojnë atë në një udhëtim introspektiv. Përmes poezisë prek rolin e gruas në shoqërinë kosovare, trajton kompleksitetin e saj të zhveshur nga rolet dytësore me karakter biologjik që rëndom i atribuohen asaj. Ironia ndaj realitetit që jetohet në Kosovë është prezente në pothuajse çdo poezi, diku bërtitur e diku mjeshtërisht e mbuluar nga simbolikat lirike. Libri “Amë” si një pasaportë e identitetit urban të poetes vjen i mbështetur në kërkimin e ngjyrave te hapësirat që karakterizohen nga e përhimëta. “E hirta”, “E kaltra” dhe “E bardha”, janë titujt e tri cikleve dhe po aq kapitujve të “Amë”.

“Ngjyrat këtu nuk kanë karakter simbolik, megjithëse simbolizmi është një mjet letrar që përfshin përdorimin e elementeve simbolikë për të përfaqësuar diçka më të thellë se kuptimi i tyre i mirëfilltë”, ka thënë poetja Vlora Konushevci për librin, në përurimin në “Termokiss”, në panel bashkë me poetin e gazetarin Arbër Selmani dhe poeten Donika Dabishevci, që është edhe botuese e librit, organizatore e Festivalit.

Image
I pari libër me poezi i Prekazit është përuruar në natën e dytë të edicionit të dytë të Festivalit Poetik të Prishtinës

Ngjyrat që autorja ka zgjedhur t’i përdorë si paralajmërim dalin të jenë pasqyrim i gjendjes emocionale nga të cilat karakterizohen vargjet. Për shembull cikli “E hirtë” pasqyron vetëdijen e autores mbi karakterin monoton të përditshmërisë dhe rëndësinë e pajustifikueshme që u jepet gjërave që nuk e meritojnë atë. Për dallim nga “E hirta”, tek “E bardha” poetja tendencën e purifikimit të ndjenjave të dashurisë e manifeston me sinqeritet të koncentruar. Në këtë pjesë të librit poezitë përçojnë mesazhe që e ngritin lart rolin e dashurisë.

“Nora refuzon ta shohë botën bardhezi, ndaj bota e saj është në kërkim të ngjyrave. Këto ngjyra i japin kuptim jetës, e paraqesin atë në të gjitha dimensionet e saj, duke hapur debat, duke ngritur dilema dhe ndeshur teza. Ka një predominim të lehtë të së hirtës, ndoshta me të drejtë, si një shpërfaqje e ngjyrës së jetës sonë nga vitet e fundit, e cila është patjetër e ndikuar nga periudha e transicionit, trendet dhe zhvillimet globale, luftës dhe krizës ekonomike”, ka shkruar Konushevci në recension.

Gazetari dhe poeti Arbër Selmani, i pranishëm në promovim, e vlerësoi këtë libër të parë të Nora Prekazit si një libër psikologjik, sepse në të trajton dhe aspektin e shëndetit mendor, si motiv shpesh i anashkaluar.

“Në këtë libër Nora nuk kërkon falje për asgjë, ajo zhvishet e tëra në këtë libër dhe çka më ka lënë përshtypje është se në këtë libër është shumë i pranishëm motivi i familjes. Ajo u shkruan haptazi poezi apo letra familjarëve të saj duke përfshirë vëllanë, babanë, mamin, burrin dhe fëmijët. Nora është ndër të vetmet poete shqiptare që merret me familjen si thumbim letrar”, ka thënë Selmani.

Letrat e Nora Prekazit, Selmani i sheh si shumë të fuqishme dhe të distiluara në mënyre të tillë që sjellin nuanca të realitetit dhe idealizmit.

“Poezia e Norës është gjithmonë një poezi e ngarkume, jo poezi sipërfaqësore, është poezi aktiviste, rebeluese, por asnjëherë duke bërtitur apo duke u çjerrë në një formë të kotë, revolta te poezia e Norës jetësohet me nuanca shumë të bukura”, ka shtuar Selmani.