“Uta – The climb for Kosovo”, i dhënë premierë në Kosovë, pos eksplorimit të natyrës vjen edhe si eksplorim i vetvetes, situatave dhe dashurisë për vendlindje. Në 20 minuta rrëfimi çon me pamje te momentet triumfuese e sfiduese të alpinistes së parë shqiptare, që ka ngjitur majën më të lartë në botë. Mbi të gjitha e vendos përkushtimin e saj
Në Himalaje, ku ajri hollohet dhe sytë zor se ngopen me pamjen, alpinistja shqiptare Flutura Ibrahimi, e njohur si Uta Ibrahimi, ka skalitur emrin e saj në faqet e historisë së alpinizmit. Ajo është e para shqiptare alpiniste që pushtoi malin e Everestit në kreshtën e Himalajeve të Mëdha të Azisë Jugore, që shtrihet në kufirin midis Nepalit dhe rajonit të Tibetit të Kinës. Fiks 8 mijë e 849 metra lartësi.
Në mbrëmjen e së premtes, në kinemanë “Armata” u dha premiera e filmit dokumentar “Uta – The climb for Kosovo” dhe aty publiku nuk pa vetëm lartësitë që ajo arriti, por edhe thellësinë e lidhjes së saj me natyrën, familjen e edhe Kosovën. Dokumentari 20-minutësh, i realizuar më 2019-n, kapi thelbin e udhëtimit të Ibrahimit. Një udhëtim jo vetëm nëpër shpatet e pabesa të Everestit.
Pandemia mund të ketë penguar planet fillestare për publikimin e filmit, por kur projektori në “Armata” u ndez, ekrani u kthye në jetë, duke e çuar publikun në majat e akullta ku u shpalos historia e Uta Ibrahimit.
Ibrahimi ka theksuar se shfaqja e projektit të saj dhe një pjesë edhe nga fëmijëria para publikut në Prishtinë i fal emocion të veçantë. I ka veçuar edhe bashkëpunëtorët Jack Somerville dhe Jake Tupman duke u shprehur mirënjohëse dhe e lumtur që një prej arritjeve të saj më të mëdha është e dokumentuar.
“Tepër kam qenë e emocionuar tërë ditën sot edhe gjatë filmit. Edhe pse e kam parë dokumentarin në një festival sot ka qenë shumë e veçantë për mua, sepse e kam shfaqur në shtëpinë time dhe para njerëzve të mi dhe kjo është shumë me rëndësi, pasi që ata më mbështesin dhe më rrinë afër ne çdo kohë. Ende jam e emocionuar. Producentët Jake edhe Jack kanë ardhur në Kosovë disa herë që të takohemi dhe në 2015-n ata e propozuan ta bëjmë një dokumentar bashkë dhe pas ngjitjes në Everst kam dashur ta bëjmë gjuhën shqipe, mirëpo këta dy kanë qenë shumë seriozë dhe gjithçka e kanë bërë me iniciativë të veten”, ka thënë Ibrahimi.

Filmi nis me disa fotografi të Ibrahimit si fëmijë dhe ëndrrat e saj të mëdha deri në moshën 15-vjeçare, kur lufta ia ndërpret ato.
Në diskutim me publikun Ibrahimi ka folur edhe për ndikimin që lufta e fundit në Kosovë ka pasur në rrugëtimin e saj.
“Për mua një rol shumë të rëndësishëm dhe një copë shumë e madhe e karakterit tim vjen prej mënyrës se si jam rritur, përjetimet e luftës dhe familja, kështu që normal që ata është dashur të marrin materiale dhe kanë gjurmuar që nga prej fazave të para të miat si fëmijë e deri kur jam rritur. Si përfundim është bërë diçka shumë e lezetshme dhe normalisht që një pjesë shumë e madhe e përvojës sime nuk është e përfshirë, por po shpresoj që kur projekti me 14 majat të përfundojë, ta bëj një dokumentar më të gjatë”, ka thënë Ibrahimi.
Dokumentari shpalos edhe një pamje të kontrasteve midis peizazheve të qeta të maleve shqiptare dhe madhështisë së frikshme të Everestit. Megjithatë, mes bukurisë, filmi nxjerr në dritë hijet e humbjes. Ortekët, të cilët gjatë ekspeditës kanë marrë me vete disa nga miqtë e saj.
Ibrahimi ka rrëfyer që janë momentet si këto që çdoherë e emocionojnë. Ka thënë se kur e ka parë dokumentarin për herë të parë ka qarë gjatë gjithë 20 minutave.
“Është shumë kënaqësi që një përmbyllje të të gjitha punëve gjatë një kohe të gjatë të jetës me i pa në ekran dhe pastaj aty është babai të cilin më nuk e kam dhe sot e pashë dhe m’u duk sikur ta shihja babin prapë. Është shumë emocionuese dhe jam e lumtur që e kemi shfaqur. Uroj që të jetë inspirim për të gjithë të rinjtë e sidomos vajzat”, ka përfunduar Ibrahimi.
Pas shfaqjes së dokumentarit u hap diskutimi udhëhequr prej gazetarit Milot Hasimja dhe shumë të pranishëm, në mesin e tyre alpinistë e entuziastë patën pyetje për Ibrahimin. Midis pyetjeve u gjend një fije e përbashkët, që është ndjesia e pakapshme e qëndrimit në majë të botës. Me secilën përgjigje Ibrahimi u përpoq të artikulonte të papërshkrueshmen.
Alpinistja Drenica Zogaj ka thënë se kjo mbrëmje i ka dhuruar frymëzim dhe kurajë që të vazhdojë alpinizmin, pavarësisht sfidave. Rrugën drejt majave më të larta në botë ka thënë se Ibrahimi e ka hapur për secilën vajzë që i ka të njëjtat ëndrra.
“Mendoj që te ne ende e shohin si të pamundur që një vajzë të bëjë diçka të tillë edhe pse po shkon duke ndryshuar kjo. Edhe unë personalisht ballafaqohem me probleme të tilla, por kur është diçka që e do dhe e vendos si cak për veten, atëherë mundesh dhe Uta na e dëshmoi këtë”, ka thënë Zogaj.
Në korrik të këtij viti, Ibrahimi ka valëvitur dy flamujt, të Kosovës dhe Shqipërisë, në majën e malit “K2” apo siç njihet “Mali Vdekjeprurës”, për shkak se është jashtëzakonisht i vështirë për t’u ngjitur dhe mban numër të lartë të alpinistëve që kanë vdekur rrugës. Ky është mali i dytë më i lartë pas Everestit.